Search
Close this search box.

Këshilli i Investimeve fillon konsultimin e Programit të Reformës Ekonomike (ERP), 2024-2026

Tiranë, 15 dhjetor 2023 / Këshilli i Investimeve (KI), nën drejtimin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, u mblodh në mbledhjen e tij të katërt për vitin 2023. Kjo mbledhje shënoi nisjen e procesit të konsultimit për draftin e Programit të Reformave Ekonomike (ERP) për Shqipërinë, 2024-2026, i cili detajon reformat strukturore për zhvillimin ekonomik të vendit dhe masat shoqëruese. Me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të KI-së dhe rreth tridhjetë vëzhguese (përfaqësues të sektorit publik dhe privat, si dhe agjencive për zhvillim), mbledhja konfirmoi interesin e lartë të aktorëve të KI-së dhe rëndësinë e procesit të konsultimit.

Në fjalën e tij, ministri Ervin Mete nënvizoi momentin e rëndësishëm të përgatitjes së draftit të ERP-së, duke përmendur publikimin e fundit nga Komisioni Evropian të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky plan parashikon 6 miliardë euro fonde për tre vitet e ardhshme, ku Shqipëria pritet të përfitojë rreth 1 miliardë euro, në varësi të progresit dhe avancimit të reformave. Ministri theksoi domosdoshmërinë e përfshirjes së gjerë të komunitetit të biznesit për të siguruar arritjen e objektivave të programit. Ai infomoi gjithashtu mbi planet për rritjen e përfaqësimit të komunitetit të biznesit në Këshillin e Investimeve, duke e konsideruar atë si një forum të rëndësishëm për dialogun dhe bashkëpunimin Qeveri-Biznes.

Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Endrit Yzeiraj, prezantoi shkurtimisht draftin aktual të ERP-së. Raporti përfshin katër kapituj kryesorë: Zbatimi i Udhëzimeve të Politikave, Kuadri Makroekonomik, Kuadri Fiskal dhe Prioritetet e Reformave Strukturore. Ndryshime të dukshme në këtë draft përfshijnë futjen e tre grupimeve tematike (Kapitali Njerëzor dhe Politikat Sociale, Qëndrueshmëria dhe Rimëkëmbja, dhe Konkurrueshmëria), një ulje në numrin e reformave strukturore nga 15-20 në 6 dhe një theks të shtuar në angazhimin në dialog me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht, institucionet ndërkombëtare financiare, për të plotësuar zbatimin e reformave.

Gjatë sesionit të diskutimeve, përfaqësues të biznesit, si Dhoma Amerikane e Tregtisë, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Dhoma e Biznesit Shqiptar të Diasporës, Shoqata e Bankave, Confindustria Albania, Këshilli Shqiptar i Agrobiznesit, Dhoma e Tregtisë Tiranë, vlerësuan rëndësinë e konsultimit në kohë të draftit të ERP-së duke theksuar disa pengesa kryesore që, nëse adresohen, mund të rrisin efektivitetin e programit dhe konkurrencën e biznesit. Çështjet kryesore të diskutuara përfshinin informalitetin, strategjinë e menaxhimit të të ardhurave, platformën e fiskalizimit, inspektimet tatimore, TVSH-në, qëndrueshmërinë fiskale, përfshirjen e biznesit, kapitalin njerëzor, arsimin, reformën e pronës, përfshirjen e diasporës, dixhitalizimin e sektorit privat dhe politikat sociale për grupet dhe zonat vulnerabël. Komente përkatëse u dhanë gjithashtu edhe nga partnerët për zhvillim (anëtarë të KI-së), si BE, BB, IFC dhe BERZH.

Angazhimi aktiv ndërmjet sektorit publik dhe atij privat gjatë kësaj mbledhje shënoi një pikënisje në konsultimin e Programit të Reformës Ekonomike me përfaqësues të biznesit. Afati kohor i parashikuar për dorëzimin e draftit përfundimtar të ERP në Komisionin Evropian është 15 janar 2024. Përfaqësuesit e biznesit ftohen të kontribuojnë në këtë proces duke paraqitur shqetësimet dhe sugjerimet e tyre deri më 26 dhjetor 2023, në adresën e mëposhtme të emailit: [email protected].
*****
Materialet e plota të kësaj mbledhje do të publikohen në javët në vijim në seksionin tonë të dedikuar https://www.investment.com.al/sq/mbledhjet-e-keshillit-te-investimeve/.