Këshilli i Investimeve – Mbi Formalizimin dhe Konkurrueshmërinë në Turizëm

Tetor 15, 2018

Tiranë, 15 Tetor  2018 / Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi të hënën mbledhjen e tij të radhës të drejtuar nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj. Në rendin e ditës ishte “Mbi Formalizimin dhe Konkurrueshmërinë në Sektorin e Turizmit”.  Në fjalën e tij, Kryetari i KI, Ministri Arben Ahmetaj u shpreh se “Ndonëse sektori i turizmit ka një rritje të konsiderueshme, formalizimi i tij mbetet ende sfidë për ekonominë e vendit. Gjatë sezonit të fundit turistik, u angazhuan mjaft struktura të kontrollit tatimor veçanërisht në sektorin e turizmit. Por fokusi nuk ka qenë tek penalitetet, por tek edukimi i tatimpaguesve dhe sigurisht tek formalizimi i mëtejshëm.”

Më pas, Drejtorja e Sekretariatit znj. Diana Leka, prezantoi analizën e fokusuar në evidentimin e impaktit që kanë aktivitetet informale dhe evazioni fiskal në konkurrueshmërinë e sektorit. Objekti i analizës ishte identifikimi i masave fiskale, ligjore dhe rregullatore të nevojshme për të adresuar informalitetin e lartë në sektor dhe harmonizimin e tyre me kornizën e përgjithshme të politikave dhe strategjive për zhvillimin e turizmit. Ndër gjetjet kryesore, janë: a) Informaliteti mbetet nje problem sistemik i sektorit me specifika sipas destinacioneve turistike dhe modelit të bizneseve që operojnë në turizëm, b) Struktura e bizneseve të sektorit mbetet mjaft dinamike, nga bizneset e vogla tek bizneset e mesme dhe ato më të medha, me veçoritë e tyre sipas destinacioneve turistike/ % e investimeve të huaja në sektor është e ulët, c) Reformat rregullatore kanë përmirësuar klimën e investimeve në sektor – vlerësohen procedurat e regjistrimit, licencimit dhe vendosjes së një lidhjeje me autoritetet tatimore, d) ndërkohë, disa shqetësime kryesore të biznesit kanë të bëjnë me konkurrencën e pandershme, mungesën e cilësisë në burimet njerëzore për të përballuar numrin në rritje të vizitorëve, pengesa në aksesin në financim, nevoja për më shumë investime në infastrukturën publike etj.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit nga sektori i turizmit konfirmuan se ulja në 6% e TVSH-së, e kërkuar prej vitesh nga bizneset e sektorit, rezultoi një mbështetje e madhe. Ndërkohë që u theksua rreziku nga shkalla e lartë e informalitetit në sektor për bizneset formale, pagues të rregullt të taksave dhe tatimeve kombëtare dhe vendore. Informaliteti më i madh nuk vjen nga hotelet e formalizuara, por nga apartamentet apo vilat e pashitura të cilat së fundi po jepen me qira për vizitorët e huaj dhe kanë nxitur konkurrencën e pandershme. Formalizimi i sektorit mbetet kompleks, dhe duhet të konsiderojë jo vetëm pjesën fiskale por edhe aspektet qe lidhen me ofertën turistike, zgjatjen e sezonalitetit të sektorit dhe rritjen e shpenzimeve mesatare të vizitorë të huaj në Shqipëri të cilat aktualisht mbeten ende në nivele të ulëta. Ata shprehjen mbështetjen e tyre për të qenë partner me qeverinë në formalizimin e sektorit dhe mbrojtjen e konkurrencës së ndershme. Më tej  u  sugjerua që Qeveria të konsolidojë sa më parë regjistrimin e plotë të sipërmarrësve në turizëm, kategorizimin dhe klasifikimin e strukturave akomoduese si masa që do të nxisnin formalizimin.

Përfaqësuesit e BERZH dhe BE theksuan se mbeten të angazhuar për të financuar përmirësimin e infrastrukturës së vendit, dhe konsiderojnë që edhe incentivat fiskale të ofruara nga Qeveria, veçanërisht në agro tourizëm përfaqësojnë një hap përpara drejt formalizmit të sektorit dhe nxitjes së investimeve të reja. Ndërkohë mbetet problematike niveli i ulët i transaksioneve me instrumenta bankare në sektor (karta dhe terminale POS) si shprehje e informalitetit,  aksesi i kufizuar në financim, përqendrimi i lartë i vizitorëve në një sezon të shkurtër, roli i ulët i sektorit privat në mirëqeverisjen e sektorit, si edhe ndërtimet masive në zona ku impakti mjedisor ka një një rëndësi të veçantë dhe duhet mbështetur nga investime në infrastrukturë. Në këtë kontekst u sugjerua edhe nevoja për adresimin e problematikave në Draft-Strategjinë Kombëtare të Turizmit dhe miratimin e saj përfundimtar së bashku me planin konkret të veprimit.

Në fund Ministri Ahmetaj theksoi se “Shoqatat duhet të ndërmarrin iniciativa formalizuese për të luftuar së bashku konkurrencën e pandershme, ndërsa së shpejti beteja kundër informalitetit do të kalojë në një nivel tjetër. Tashmë ka filluar negociata me platformat dixhitale të Booking.com dhe Airbnb për të marrë informacion zyrtar nga këto platforma për të gjithë ato struktura që jepen me qera në territorin e Shqipërisë”.  Gjithashtu ai informoi mbi projektin shumë të rëndësishëm të fiskalizimit që do të realizojë futjen në sistem online dhe në kohë reale të të gjitha transaksioneve biznes me konsumator dhe biznes me biznes, si masë konkrete që do ta përshkallëzojë më tej betejën për formalizim në një mënyrë akoma më inteligjente.

Synimi përfundimtar i analizës, në kuadër të KI-së, mbetet stimulimi i një debati të qëndrueshëm mbi faktorët që mund të influencojnë në rritjen e kontributit të sektorit në ekonomi, identifikimi i përmirësimeve të mundshme në politikat qendrore dhe lokale si dhe praktikat e biznesit. Rekomandimet e përgatitura nga Sekretariati i KI në bashkëpunim me ekspertët e sektorit, bizneset dhe shoqatat e biznesit si edhe me vetë institucionet u prezantuan gjatë mbledhjes dhe do të jenë në vijim objekt diskutimi për t’u përfshirë si masa konkrete gjatë 2019 e në vijim.

Materialet e plota të mbledhjes do të publikohen së shpejti në faqen e KI. Për më shumë informacion, na vizitoni sërish.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, BERZH dhe Nisma e Evropës Qendrore (CEI).