Këshilli i Investimeve organizon mbledhje plenare për të diskutuar sugjerimet e biznesit mbi Planin e Rimëkëmbjes Ekonomike të Vendit

5 Qershor, 2020
Cili mund të jetë fokusi i reformave në politikat e ardhshme për të adresuar shqetësimet e biznesit të shfaqura gjatë pandemisë COVID19 – likuiditeti, punësimi, barra fiskale, dixhitalizimi, tërheqja e IHD-ve, etj.

Tiranë, 5 qershor 2020 – Të premten, Këshilli i Investimeve (KI) mbajti një mbledhje plenare përmes platformës Zoom për të diskutuar sugjerimet kryesore të biznesit për rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas COVID-19. Në takim morën pjesë të gjithë anëtarët e KI (institucionet shtetërore, anëtarët e biznesit dhe partnerët kryesorë për zhvillim), si edhe përfaqësues të tjerë të lartë nga shoqatat e biznesit dhe komuniteti i donatorëve si Ambasada Zvicerane, Ambasada Austriake, Ambasada Gjermane, OSBE, USAID, GIZ, UN etj. në rolin e vëzhguesit.

Në fjalën e saj, Ministrja Anila Denaj dha një përmbledhje të situatës së përgjithshme makroekonomike në Shqipëri, përfshirë zhvillimet e fundit në kontekstin ndërkombëtar. Ajo theksoi edhe faktorët e drejtpërdrejtë që do të ndikojnë ekonominë shqiptare, në veçanti rënia ekonomike e partnerëve kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe pasojat e tërmetit të fortë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019. Në këtë kontekst, Ministrja informoi se është rishikuar kuadri makroekonomi e fiskal dhe rrjedhimisht do të ketë edhe një rishikim të dytë të buxhetit bazuar në një parashikim për rënien ekonomike të Shqipërisë nga -2% në -5%. Znj.Denaj, gjithashtu informoi mbi propozimet e MFE drejtuar qeverisë për të adresuar rimëkëmbjen ekonomike në të ardhmen e afërt, si strategjia afatmesme e të ardhurave dhe masat e zhvillimit ekonomik me fokus NVM-me, sektorët prioritarë dhe punësimin. Ajo informoi se Këshillit të Investimeve iu kërkua të bëjë një përmbledhje të propozimeve konkrete të biznesit me aktivitet në sektorë të ndryshëm ekonomik, për të bërë të mundur që Plani i Rimëkëmbjes të përfshijë edhe disa nga këto propozime. Kjo është në përputhje të plotë me ambicjet dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për të paraqitur brenda muajit qershor 2020, planin e rimëkëmbjes ekonomike dhe më konkretisht, rimëkëmbjen e sektorëve prioritarë si turizmi dhe industria përpunuese.

Përfaqësuesit e biznesit shprehen mbështetjen e tyre për rekomandimet kryesore të parashtruara edhe në materialin e përgatitur nga Sekretariati (hartuar sipas sugjerimeve të anëtarëve të KI). Ata inkurajuan qeverinë që të konsolidojë më tej procedurat administrative të zbatimit të dy paketave financiare të mbështetjes për biznesin. Ata i kërkuan qeverisë shqiptare (1) të veprojë menjëherë, (2) të zhvillojë politika efikase në afat të mesëm dhe afatgjatë për të promovuar punësim të qëndrueshëm, (3) të ndërmarë masa emergjente për të stimuluar konsumin, (4) të përmirësojë shërbimet elektronike të qeverisë (me fokus nënshkrimin elektronik, certifikatatat elektronike), (5) të hartojë politika konkurruese në rajon për tërheqjen e IHD-ve, etj. U theksua se politika monetare dhe fiskale duhet të ecin paralel me njëra tjetrën dhe plani i rimëkëmbjes duhet të përfshijë sa më shumë përfaqësues nga sektorë të ndryshëm për të realizuar ndërhyrje të duhura dhe jo të nxituara.

Përfaqësuesit e partnerëve për zhvillim këshilluan rimëkëmbjen e ekonomisë në këndvështrimin e plotë të sistemit, duke menduar në mënyrë strategjike në planin afatgjatë, si dhe duke mbajtur një fokus në reformat e krijuara më parë, si formalizimin e ekonomisë.

Në përfundim, Kryetarja e Këshillit të Investimeve, Ministrja Denaj theksoi tre çështje si detyra për realizim (1) paraqitjen e rekomandimeve të KI-së në komitetin kombëtar i cili po punon për realizimin e planit të rimëkëmbjes, (2) diskutime të mëtejshme për të adresuar nevojat e mundshme në lidhje me zbatimin e paketave financiare, p.sh. inkurajimi i bankave për marrjen e masave për zbatimin e paketave në mënyrën më optimale të mundshme (3) një takim me palët e interesuara në lidhje me sektorin e bujqësisë për të diskutuar sesi zinxhirët e vlerës mund të shndërrohen në një produkt të thjeshtë për t’u përthithur nga bizneset dhe për t’u financuar nga bankat.

***

Përfaqësues të biznesit që morën pjesë në takim:

  • Dhoma Tregtie/Shoqata të Biznesit – Amcham, UCCIAL, FIAA, CCI Tirana, Confindustria Albania, DIHA, Dhoma Kombëtare e Biznesit të Diasporës, KASH, Shoqata e Bankave
  • Kompanitë – Vodafone Albania, Balfin Group, Sam Wear, OMEGA sh.p.k.

 

Publikime:

Gjetje të Anketës së Sekretariatit: Vlerësimi i Ndikimit të Pandemisë COVID19 në Biznesin Vendas”

 

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)