Search
Close this search box.

Këshilli Investimeve Diskuton mbi Ndërveprimin Bashki-Biznes

Janar 27, 2020

Tiranë, E Hënë, 27 janar 2020 / Nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Investimeve me temë diskutimi “Mbi ndërveprimin Bashki-Biznes – Transparenca, Shërbimet dhe Zhvillimi Ekonomik Vendor”. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, zv/Kryebashkiaku i Tiranës, z. Arbjan Mazniku, përfaqësues nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, Shoqata për Autonominë Vendore, Bashkia Korçë si edhe përfaqësues të tjerë të sektorit publik dhe privat, përfaqësive të huaja diplomatike me cilësinë e vëzhguesit.

Në hapje të mbledhjes, Ministrja Denaj e vlerësoi takimin si një mundësi të mirë për të reflektuar mbi situatën aktuale, shqyrtimin e mundësive të përmirësimit të klimës së biznesit dhe për të propozuar masa të nevojshme, në përputhje me politikat afatmesme qendrore dhe vendore. Ministrja theksoi nevojën e rritjes së komunikimit dhe bashkëpunimit mes bashkive dhe biznesit, në funksion të rritjes së transparencës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Në funksion të temës së trajtuar në këtë Mbledhje, Këshilli i Investimeve realizoi gjatë korrik-gusht 2019 një anketim mbi ndërveprimin biznes-bashki, plotësuar nga 300 biznese në mbarë Shqipërinë. Ndërkohë, konsultimi me palët e interesuara (bashki & biznese në Tiranë, Elbasan, Korçë, Shkodër) u krye gjatë periudhës nëntor 2019 – janar 2020.

Anketimi dhe analiza e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve ka vënë në dukje nevojën për një bashkëveprim më të madh midis aktorëve për rritjen e transparencës në procesin vendimmarrës në bashkitë dhe këshillat bashkiakë përkatës, duke identifikuar edhe instrumenta konkretë si platforma lokale.

Objekti i analizës së përgatitur nga Sekretariati i KI në kuadër të kësaj mbledhje ishte aktualizimi i debatit mbi përmirësimin e klimës së investimeve bazuar në evidentimin e problematikave që lidhen me ndërveprimin biznes – bashki, me fokus:

  • Transparenca mbi taksat dhe tarifat vendore dhe VKB-të e miratuara;
  • Shërbimet që përfiton biznesi (proporcionaliteti, cilësia e shërbimeve, standardi);
  • Roli i bashkive në zhvillimin ekonomik vendor dhe nxitjen e investimeve.

Diskutimet e pjesëmarrësve në këtë takim u përqëndruan në çështje dhe raste konkrete të evidentuara gjatë ndërveprimit me bashki të ndryshme, të cilat më së shumti lidheshin me: a) procedurat e vendosjes, miratimit dhe metodologjive të taksave dhe tarifave vendore; b) transparencën mbi mbledhjen dhe destinacionin e tyre; c) konsultimin e paketave fiskale lokale me grupet e interesit; d) dokumentacionin e kërkuar për pagimin e taksave apo marrjen e licencave lokale; e) procedurat e diskutueshme të bllokimit dhe zhbllokimit të llogarive; f) cilësinë e shërbimeve të ofruara nga bashkitë dhe standardin e tyre,  etj.

Pjesëmarrësit patën mundësi të shprehnin këndvështrimet e tyre në frymën e komenteve konstruktive të cilat nënvizuan domosdoshmërinë e dialogut të përhershëm biznes-bashki në funksion të përmirësimit të klimës së investimeve.

Materialet e plota të mbledhjes do të publikohen së shpejti në faqen e KI. Për më shumë informacion, na vizitoni sërish.