Search
Close this search box.

Këshilli Investimeve diskuton prioritetet për përmirësimin e klimës së investimeve gjatë 2022

Janar 31, 2022

Tiranë, 31 janar 2022 / Kryesuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi një mbledhje të posaçme për të diskutuar shtyllat e ndërhyrjes së qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit në vend dhe për të miratuar axhendën e KI për 2022. Takimi u mbajt në format hibrid dhe në të morën pjesë të gjithë anëtarët dhe partnerët e KI-së, përfshirë përfaqësues të tjerë nga sektori publik & privat dhe agjencive për zhvillim në rolin e vëzhguesit.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj informoi se MFE ka punuar intensivisht gjatë muajve të fundit në prioritizimin e rekomandimeve të shoqatave të biznesit lidhur me përmirësimin e klimës së investimeve. Duke theksuar rëndësinë e konsultimit me komunitetin e biznesit si një nga prioritetet për vitin 2022, Ministrja Ibrahimaj ndau me pjesëmarrësit një kalendar të punës që do të ndërmerret në disa fusha ndërhyrjesh. Ato përfshijnë, ndër të tjera, akte nënligjore dhe ligje që lidhen me fiskalizimin, tatimin mbi të ardhurat, sistemin bankar, punësimin, tregtinë elektronike dhe fusha të tjera rregullatore për përmirësim, sikurse identifikuar më parë nga KI dhe shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë. Kalendari i punës u parashtrua si një ftesë e hapur për komunitetin e biznesit dhe palët e interesuara për t’u përfshirë në grupet teknik të punës që në fazat e hershme të ndërhyrjeve.

Gjatë seancës së diskutimit të hapur, përfaqësues të biznesit si Dhoma Amerikane, FIAA, ATTSO, UCCIAL, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Dhoma e Tregtisë së Diasporës, Shoqatat e Prodhuesve, Këshilli Shqiptar i Agrobujqësisë, etj., e cilësuan si shumë të pritur këtë nismë, ndërsa shprehën mbështetjen e tyre për të ndihmuar në mënyrë proaktive me ekspertizën e tyre sipas fushave përkatëse të ndërhyrjes.

Pas këtij sesioni, Sekretariati prezantoi rezultatet e votimit për Axhendën e KI 2022, e cila përfshinte mendimet e të gjithë anëtarëve të KI (2015-2021). Rezultatet e votimit treguan se anëtarët e KI konsiderojnë si prioritete për diskutim në Axhendën e KI 2022, temat që kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë dhe disponueshmërisë së aftësive për tregun e punës, si mund të bëhet Shqipëria një destinacion më konkurrues në Ballkanin Perëndimor, konsultimi publik dhe transparenca e akteve dhe iniciativave të qeverisë me komunitetin e biznesit, sfidat aktuale me të cilat përballet sektori privat në drejtim të marrjes së energjisë.

Në përfundim të takimit, ministrja Delina Ibrahimaj informoi se gjatë muajit shkurt do të organizohen disa konsultime ndërmjet përfaqësuesve të MFE-së dhe shoqatave të biznesit në përputhje me fushat prioritare për të rënë dakord për kohën dhe finalizimin e ndërhyrjeve specifike.