Këshilli Investimeve organizon mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar impaktin e pandemisë mbi biznesin

14 Prill, 2020

Tiranë, 14 Prill 2020 – Të martën, Këshilli i Investimeve (IC) mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme në formatin e një videokonference për të diskutuar ndikimin e pandemisë COVID-19 mbi biznesin në Shqipëri, me fokus masat financiare dhe ekonomike të marra nga qeveria për të përballuar pasojat e pandemisë, vëzhgim mbi shqetësimet kryesore të biznesit, si dhe sugjerime për masa në të ardhmen e afërt. Kjo mbledhje emergjente u thirr nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë dhe në të morën pjesë të gjithë anëtarët e KI (përfaqësues të institucioneve shtetërore, komunitetit të biznesit dhe partnerëve për zhvillim). Gjithashtu, morën pjesë për herë të parë si vëzhgues përfaqësues të lartë të agjencive të huaja si UN, Sida, etj.

Në fjalën e saj, Ministrja Anila Denaj u shpreh se objektivi i kësaj mbledhje të jashtëzakonshme ishte komunikimi mes palëve në formatin e Këshillit të Investimeve, tashmë një platfomë e përhershme dialogu biznes-qeveri për çështje të cilat shqetësojnë në mënyrë të vazhdueshme veçanërisht sipërmarrësit. Duke iu referuar gjetjeve të anketës kryer paraprakisht online nga Sekretariati i KI, Ministrja u shpreh se bizneset vlerësojnë pozitivisht masat kryesore të marra nga qeveria, ndonëse ka ende për të bërë dhe qeveria po punon shumë në këtë drejtim. Më konkretisht, Ministrja vuri në dukje se bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë janë shprehur se  shtyrja e afatit të pagesës së kredisë është masa më e mirë e marrë nga qeveria, e ndjekur nga garancia sovrane dhe shtyrja e afatit për dorëzimin e pasqyrave financave. Po ashtu, bizneset me xhiro më të vogël se 14 milionë lekë kanë cilësuar si efektive masat mbështetëse ndaj biznesit të vogël, e shoqëruar nga skema e subvencionimit të pagave.

Përfaqësuesit e biznesit (Amcham, Unioni i Dhomave të Tregtisë, FIAA, Dhoma e Tregtisë Tiranë, Confindustria Albania, Dhoma e Biznesit të Diasporës, etj.) i kërkuan qeverisë marrjen e masave mbështetëse në 4 shtylla: papunësia, lehtësira fiskale në nivel pushtet qendror dhe lokal (p.sh. rimbursimi në kohë i TVSH-së dhe zbutja e gjobave nga administrate tatimore), likuiditeti dhe subvencionet për rigjenerimin e sektorëve specifikë të tillë si agro-industria. Për industri të caktuara (si ajo e fasonit), duhen marrë masa për të mbajtur në punë punonjësit, si dhe për ridimensionimin e kërkesave për penalitetet të cilat duhet të zbuten gjatë kësaj periudhe.

Partnerët për zhvillim shprehen solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për kapërcimin e situatës, ndërsa theksuan rëndësinë e koordinimit në shpërndarjen e paketave financiare mbështetëse, në linjë me programet e vazhdueshme financiare dhe programet për ndarjen e riskut.

Në mbyllje të mbledhjes, me rastin e pesëvjetorit të KI (15 Prill 2015 – 15 Prill 2020), Ministrja falenderoi anëtarët për kontributin e vyer, në veçanti për sjelljen në një nivel më të lartë modelin e dialogut publik-privat në vend, në përmbushjen e objektivave të përbashkëta të të dyja palëve transpozuar në masa efektive, si dhe dëshirën për bashkëpunim të vazhdueshëm edhe në të ardhmen.

____

Informacion mbi disa nga arritjet e Këshillit të Investimeve:

 Si dhe videoja jonë më e re: Këshilli i Investimeve: Për një dialog efektiv përmes angazhimit proaktiv të aktorëve.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)