Konsultimi i projektligjit “Për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Start-upeve Inovative”

25 Nëntor, 2020

Tiranë, 25 nëntor 2020 / Sekretariati i Këshillit të Investimeve diskutoi me aktorë të fushës konsultimin e projektligjit “Për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Start-upeve Inovative”. Realizuar në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, mbledhja tërhoqi vëmendjen e rreth 50 pjesëmarrësve, kryesisht përfaqësues të dhomave dhe shoqatave të biznesit, firmave ligjore dhe konsulencës financiare, si dhe kompani të interesuara për të investuar në start-up inovative.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Eduard Shalsi falenderoi projektin “EU for Innovation” për mbështetjen ofruar në hartimin e këtij projektligji, dhe KI si platformën e duhur për konsultimin efektiv të projektligjit. Projekligji ka të bëjë me stimulimin e ekosistemit te kompanive start-up inovative të cilat merren jo vetem me teknologji të inovacionit, por edhe sjellin modele biznesi, produkte apo shërbime të vecanta me vlerë të shtuar dhe që rrisin mundësitë për të rinjtë të shfaqin potencialin e tyre.

Zëvendës Ministri Besart Kadia u shpreh se draftligji është ambicioz dhe ka si synim kryesor rritjen ekonomike afatgjatë. Z. Kadia ftoi palët për bashkëpunim në lidhje me parashtrimin e mënyrave më të mira për rritjen e mundësive lokale shtetërore por edhe atyre të sistemit privat, për të financuar dhe për të gjetur skema më të mira të lidhjeve me kapitalin e riskut ndërkombëtar për t’u zbatuar në Shqipëri në të ardhmen.

Gjatë mbledhjes pjesëmarrësit ngritën komente që kishin të bënin me përkufizimet në ligj, nevojën për infrastrukturë për mbështetje të inovacionit, nevojën për bashkëpunim rajonal, zhvillimin e krijimit të fondeve për kërkim dhe zhvillim, nevojën për më shume incentiva fiskale, etj.

Konsultimi i projekligjeve të cilët kanë një impakt të drejtpërdrejtë në klimën e investimeve eshte një nga shtyllat kryesore të punës së Këshillit të Investimeve. Projektligji për zhvillimin e start-upeve inovative synon ta bëjë Shqipërinë me konkurruese nëpërmjet stimulimit dhe mbështetjes së  ekosistemit që rregullon marrëdhëniet e aktorëve publik dhe privat dhe universiteteve—një funksion të cilin edhe KI është përpjekur të përmirësojë nëpërmjet dialogut të duhur midis palëve që prej vitit 2015.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)