Kuadri Ligjor për Investimet, Shqetësimet Kryesore të Biznesit

23 Maj, 2018

Të mërkurën, Këshilli i Investimeve në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe International Finance Corporation (IFC) organizoi një tryezë diskutimi mbi kuadrin ligjor për investimet në vend.

Morën pjesë në këtë mbledhje rreth 60 përfaqësues nga shoqata të huaja dhe vendase si AmCham, Dhoma Italiane e Tregtisë, Dhoma Turke e Tregtisë (ATTSO), Dhoma Gjermane e Tregtisë (DIHA), ICE, FIAA, Advantage Austria, ACERC, AITA, Nordic Association Albania, DHTI Tirana, Unioni i Dhomave të Tregtisë (UCCIAL), BTSH, etj., kompani vendase dhe të huaja si Vodafone Albania, Bankers Petroleum, ABCom, Forscher, Alpha Bank, Antea Cement, Balfin Group, TAP, Shell, Colliers, etj., si dhe studio konsulence në fushën ligjore dhe tatimore si Boga & Associates, HMH, Mazars, Baker Tilly, Kalo & Associates, Optima, AA+ etj.

Mbledhja u hap nga Drejtoresha e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, znj. Diana Leka, me një mesazh të shkurtër mirëseardhje për pjesëmarrësit. Ajo theksoi rëndësinë e njoftimit dhe konsultimit paraprak të ligjeve si një nga shqetësimet kryesore të biznesit, adoptuar edhe nga Këshilli i Investimeve nëpërmjet rekomandimeve të tij përkatëse. Gjithashtu, znj. Leka informoi shkurtimit mbi përfshirjen e Këshillit të Investimeve gjatë procesit të diskutimit në lidhje me kuadrin ligjor të investimeve duke konsideruar tendencat dhe iniciativat në rajon, si dhe në lehtësimin e dialogut midis aktorëve.

Në vijim, Zëvendës Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Albana Shkurta mbajti një prezantim të shkurtër mbi kontekstin dhe procesin për një ligj të unifikuar mbi investimet, duke u bazuar në veçanti në renditjet e Shqipërisë në Raportin e UNCTAD ‘Investment Policy Review’ (2017). Komentet, shqetësimet dhe gjetjet e nxjerra mbi kuadrin ligjor të investimeve gjatë kësaj mbledhje do të shqyrtohen nga ekspertët e IFC (organizatë me një përvojë të gjerë ekspertize mbi çështje që kanë të bëjnë me legjislacionin e investimeve) për t’u konsideruar më tej në shqyrtimin e legjislacionit aktual.

Përfaqësuesja e IFC në Shqipëri, znj. Laura Qorlaze, shpjegoi kontributin e IFC për përmirësimin e klimës së investimeve në Shqipëri. “Kjo tryezë diskutimi me përfaqësues nga grupe të ndryshme të komunitetit të biznesit, do të shërbejë për të diskutuar boshllëqet dhe mangësitë e kuadrit ekzistues ligjor mbi investimet dhe nevojën për të plotësuar boshllëqet dhe për të unifikuar pjesët ekzistuese të legjislacionit në një ligj bashkëkohor dhe të plotë për t’iu përgjigjur sa më mirë nevojave për rritje në Shqipëri,” u shpreh znj. Qorlaze.

Z. Mark Reichel, ekspert i IFC, mbajti një prezantim mbi ‘Praktikat më të mira ndërkombëtare dhe sfidat për një kuadër bashkëkohor ligjor mbi investimet.’ Pas prezantimit të tij, fjala iu la diskutimeve nga ana e pjesëmarrësve në lidhje me a) përmirësimin e legjislacionit mbi investimet, b) metodën e duhur për t’u ndjekur nga institucionet ndaj investitorëve vendas dhe të huaj, c) incentivat, d) mekanizmat për zgjidhjen e ankesave të investitorëve, e) sektorët prioritarë, dhe f) çështje të tjera përkatëse.

Pjesëmarrësit konsideruan rolin e mekanizmave shtetërorë për zgjidhjen e ankesave të investitorëve si tepër të rëndësishëm në zgjidhjen e këtyre ankesave në fazat e hershme por nënvizuan se mekanizma të tilla nuk duhet të mbivendosen me struktura të ankimimit administrativ të cilat ekzistojnë aktualisht. Gjithashtu, u theksua nevoja për rregulla të qarta dhe të detajuara për një mekanizëm të suksesshëm për mosmarrëveshjet e investitorëve.

Komente u parashtruan gjithashtu edhe nga znj. Alketa Knuti, Këshilltare e Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes (MSHMS). Znj Knuti solli shembullin e MSHMS si një mekanizëm shtetëror për zgjidhjen e ankesave të investitorëve ndërsa vepron si një institucion ndërmjetësues midis biznesit dhe administratës publike. Znj Knuti nënvizoi se zgjidhja e qëndrueshme e ankesave të biznesit do të kërkonte ndryshime ligjore të cilat përcaktojnë qartë instrumentet në bazë të të cilave administrata publike mund të vetë-korrigjojë veprimet dhe/ose mosveprimet e saj.

Në përfundim, kuadri ligjor i përditësuar mbi investimet duhet të pasqyrojë parimet e fundit mbi investimet për të garantuar mbrojtjen e investitorëve të rinj dhe ekzistues, por pjesa më e rëndësishme mbetet vullneti dhe angazhimi për të zbatuar ligjin. Znj. Albana Shkurta falenderoi pjesëmarrësit për kontributin e tyre të vlefshëm dhe informoi se komente të mëtejshme mund t’i dërgohen Sekretariatit të Këshillit të Investimeve.

 

Shënim: Një përmbledhje e komenteve të diskutuara në këtë tryezë diskutimi do të prezantohet së bashku me materiale të tjera në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Investimeve (qershor 2018) dhe do të publikohen në faqen e Këshillit pas kësaj mbledhje.

 

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)