Search
Close this search box.

Mbledhja e Këshillit të Investimeve – “Mbi Inspektimet”

Janar 29, 2019

Tiranë, e Martë, 29 Janar 2019 / Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi të martën mbledhjen e radhës “Mbi Inspektimet” drejtuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj. Në fjalën e saj, Ministrja Denaj në cilësinë e kryetares së KI u shpreh se një nga prioritet e qeverisë  është krijimi i një klime të favorshme për biznesin, duke nënvizuar rëndësinë e formalizimit nëpërmjet vendosjes së rregullave të qarta për të gjithë, si edhe nevojën për një cilësi më të lartë të inspektimeve, jo domosdoshmërisht shoqëruar me një frekuencë të lartë të tyre ndaj bizneseve. Më tej, znj. Denaj falenderoi BERZH për mbështetjen e ofruar në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe nxitjes së qeverisjes së mirë si edhe shprehu mirënjohje edhe për SECO (Sekretariatin Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike) i cili së bashku me BERZH do të mbështesin edhe për 3 vitet e ardhshme punën e Sekretariatit dhe të KI. Znj. Denaj informoi KI se aktualisht po përgatitet dhe Ligji i ri i Unifikuar i Investimeve i cili, sikurse është bërë e ditur më parë, do të konsultohet dhe diskutohet nëpërmjet Këshillit të Investimeve.

Në vijim, Drejtorja e Sekretariatit të KI, znj. Leka, prezantoi analizën “Mbi Inspektimet” duke informuar se ky punim përbën një hap të parë drejt një analize më të thelluar në 2019, dhe synon të tërheqë vëmendjen mbi rëndësinë e reformës në kuadër edhe të proceseve të integrimit të vendit në BE. Gjetjet e analizës u fokusuan në tre shtylla: strategjike, ligjore dhe kapacitete institucionale. Mesazhet e analizës dhe konsultimeve të Sekretariatit në lidhje me temën e diskutimit mund të përmblidhen si më poshtë:

  1. Progresi i mëtejshëm i Reformës së Inspektimit, si pjesë e reformës derregullatore, kërkon një moment reflektimi dhe vlerësimi të impaktit dhe arritjeve të deritanishme, dhe prioritizimin endërhyrjeve të mëtejshme të integruara me reformat e tjera strukturore në administratën publike.
  2. Koordinimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional si parakusht për suksesin e reformës së inspektimeve duhet të konsolidohet në vijimësi;
  3. Progresi i inspektimeve online duhet të shoqërohet edhe me unifikimin e praktikave administrative nëpërmjet publikimit të komentarëve si edhe rritjes së kapaciteteve njerëzore të qëndrueshme, të trajnuara dhe të azhornuara me legjislacionin, në inspektoriatet shtetërore.

Përfaqësuesit nga biznesi vlerësuan tematikën si mjaft aktuale dhe materialin e përgatitur për mesazhet e qarta në lidhje me rëndësinë e formalizimit, konkurrencës së ndershme, inspektimeve si edhe koordinimit ndër-institucional – si hallka të barazvlefshme të zinxhirit që influencojnë qartë klimën e investimeve. U pranua se qasja e inspektorëve ndaj sipërmarrjes ka ndryshuar në raport me disa vite më parë, por u nënvizua se hapësirat për përmirësimin e procedurave të inspektimit, transparencës dhe efikasitetit të tyre janë ende të mëdha. Gjithashtu, ata rekomanduan një vëmendje më të madhe tek inspektimet në nivel vendor, pasi shpesh ka pasur mbivendosje me inspektimet qendrore duke krijuar kosto tek bizneset, dhe theksuan rëndësinë e konsultimit paraprak të vendosjes së normativave në fusha specifike të inspektimeve (i cili do të rriste standardet e përputhshmërisë së bizneseve) dhe një kuadër nën-ligjor të qëndrueshëm.

Përfaqësuesja e BERZH, Zsuzsana Hargitai, Drejtoreshë Rajonale për Ballkanin Perëndimor, iu referua punës së bërë nga BERZH në Serbi në dy vitet e fundit për përmirësimin e koordinimit të inspektimece dhe qartësinë dhe transparencën e praktikave, dhe theksoi se reforma në inspektime kërkon shumë përpjekje dhe nuk jep rezultate të menjëhershme. Ajo shprehu gatishmërinë e BERZH-it për të ndihmuar në këtë fushë dhe nënvizoi rëndësinë e planifikimit të inspektimeve dhe publikimit të vendimeve, si edhe sugjeroi ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës me pjesëmarrjen e bizneseve dhe  ministrive përgjegjëse për zbatimin e reformës në sektorë specifikë.

Përfaqësuesit e IFC  dhe BE, shprehen dakordësinë për gjetjet e analizës së Sekretariatit, duke nënvizuar asistencën që këta donatorë kanë dhënë për vendin, veçanërisht nga ana institucionale. Ata u shprehën mbi rëndësinë e hartimit dhe dizenjimit të metodologjive të inspektimeve mbi bazë risku, si edhe mbi nevojën për udhëzime përkatëse të shoqëruara nga seanca trajnimi.

Drejtori i Përgjithshëm i AKU, Z. Agim Ismaili, ndau me të pranishmit disa nga masat e AKU si një inspektoriat me një rëndësi specifike. Ai bëri me dije se AKU ka  plan kombëtar mbi bazë risku i cili synon uljen e inspektimeve dhe kostove për bizneset. AKU ka futur në praktikë një risi gjatë vitit 2018 që është vetë-kontrolli, e shoqëruar edhe me një komunikim të vazhdueshëm me biznesin. Sipas z. Ismaili, shumë indikatorë tregojnë se bizneset kanë investuar shumë për standardet e sigurisë ushqimore.

Ndërkohë, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, theksoi se inspektimet janë një fushë e cila prej kohësh ka qenë një shqetësim për të gjithë. Ai u shpreh se materiali i përgatitur nga Sekretariati është interesant për t’u analizuar dhe kuptuar, nga ku mund të nxirren disa konkluzione me afate konkrete në lidhje me punën e inspektoriateve. Z. Shalsi u shpreh se ndonëse ka patur progres të dukshëm në punën e deritanishme ende ka shumë për të bërë, veçanërisht në lidhje me komunikimin ndër-institucional. Z. Shalsi nënvizoi rëndësinë e përdorimit të teknologjisë së informacionit për t’u afruar më shumë me biznesin, për të komunikuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe për hequr reputacionin e keq të inspektoriateve tek bizneset.

Si pikë e fundit e axhendës, KI diskutoi edhe mbi progresin e rekomandimeve të KI si edhe propozimet mbi Temat e Diskutimit për 2019.

Materialet e plota të mbledhjes do të publikohen së shpejti në faqen e KI. Për më shumë informacion, na vizitoni sërish.