Search
Close this search box.

Mbledhje e Këshillit të Investimeve: Adresimi i Sfidave për Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Aksesit në Tregje të Produkteve Shqiptare me Standarde Evropiane

Këshilli i Investimeve zhvilloi mbledhjen e tij të dytë për vitin 2024 nën drejtimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Blendi Gonxhja. Axhenda e mbledhjes u përqendrua në dialogun mbi sfidat e sipërmarrjes ndaj përmirësimit te konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare dhe rritjes se aksesit në tregje  me standarde evropiane. Në mbledhje morën pjesë pothuajse të gjithë anëtarët e Këshillit, si dhe rreth tridhjetë vëzhgues nga sektori publik, privat dhe agjencitë për zhvillim.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Gonxhja theksoi se përafrimi me standardet evropiane në prodhim është thelbësor për integrimin e suksesshëm në tregun e BE dhe theksoi nevojën për përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e ekspertizës dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit midis sektorit publik dhe atij privat. Ministri gjithashtu njoftoi krijimin e një portali unik për eksportuesit dhe ftoi pjesëmarrësit të kontribuojnë me ide për adresimin e çështjeve emergjente dhe për të bashkëpunuar në arritjen e objektivave të përbashkëta.

Në përputhje me axhendën, Sekretariati prezantoi gjetjet kryesore të analizës së tij, e cila bazohet në analizimin e raporteve më të fundit, konsultimet me aktorë kryesorë të sektorit publik dhe privat (nëpërmjet fokus grupeve), dhe një pyetësor të plotësuar nga 143 biznese. 

Sfidat kryesore përfshinin mungesë në të dhënat institucionale (për produktet jo-ushqimore) për operatorët ekonomikë vendas me përparësi konkurruese dhe potencial për eksport, ndërgjegjësimin e ulët të biznesit mbi kuadrin ligjor dhe rregullator që përcakton të drejtat dhe detyrimet e tyre në lidhje me përgjegjësitë brenda zinxhirit të furnizimit për vendosjen e produkteve të tyre në treg, mungesën e mbështetjes institucionale në drejtim të informimit apo kostove të harmonizimit të kërkesave për produkte cilësore, ekspertizën dhe njohuritë e limituara mbi standardet, etj. 

Rekomandimet e propozuara preknin fusha të cilat kishin të bënin me nevojën e përgatitjes së një liste prioritare produktesh (jo-ushqimore) vendase me potencial eksporti dhe hartimin e politikave përkatëse mbështetëse, lehtësimin e aksesit në informacion nëpërmjet inovacionit të kanaleve të komunikimit zyrtar, përshpejtimin e përafrimit ligjor/rregullator në fushën e ndërtimit, si edhe përmirësimin e mirëfunksionimit të mbikëqyrjes së tregut dhe rritjen e dijeve dhe ndërgjegjësimit për standardet dhe praktikat më të mira.

Përfaqësues të biznesit, përfshirë Dhomën e Biznesit të Diasporës, Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, DHTI Tiranë, Dhomën Ekonomike të Gruas, Pro-Eksport Albania dhe Dhomën e Biznesit Grek, diskutuan mbi nevojën e një analize të thelluar të produkteve shqiptare që janë me avantazhe eksporti dhe përdorimin e certifikimeve ndërkombëtare, konkurrencën e pabarabartë që përballen bizneset shqiptare kundrejt produkteve të importuara (që shpesh mbështeten financiarisht nga vendet e tyre të origjinës), mungesën e incentivimit për përpunimin e lëndës së parë brenda vendit dhe mungesën e subvencioneve dhe financimeve të buta që ofrohen në vendet evropiane. Ndër të tjera, ata sugjeruan edukimin, specializimin dhe certifikimin e personelit dhe hartimin e një plani të qartë dhe të shpejtë nga qeveria shqiptare në fusha të teknologjisë së lartë, si energjia dhe eksporti i shërbimeve dhe fokusimin në sektorë me avantazhe si bujqësia dhe energjia.

Përfaqësuesit e partnerëve për zhvillim në Shqipëri theksuan nevojën për investime në infrastrukturën kombëtare, eliminimin e barrierave burokratike, mbështetje për teknologjinë dhe inkurajimin e investimeve të huaja. Ata propozuan përmirësimin e pikave të kalimit në kufij dhe adaptimin e rregulloreve për të ulur pengesat burokratike. Ata theksuan rëndësinë e zhvillimit të një strategjie eksporti, përmirësimit të konkurrencës së ndërmarrjeve vendase dhe mirëmenaxhimin e përdorimit të fondeve për mbështetje financiare. Iniciativa si SEPA dhe thjeshtimi i pagesave dhe kalimeve në kufi u nënvizuan si mjete të rëndësishme për rritjen e konkurrueshmërisë.

 

*****

Materialet e plota të kësaj mbledhje do të publikohen në javët në vijim në seksionin tonë të dedikuar.