Buletini Informativ, Korrik – Shtator 2025
- September 30, 2025
Kontribut në dialogun mbi aftësitë e të rinjve dhe gatishmërinë për tregun e punës në kuadër të integrimit evropian
2 korrik 2025
Në kuadër të edicionit të dytë të Javës së Administratës Publike 2025, Sekretariati i KI mori pjesë në aktivitetin “Në Zemër të Integrimit: Një Takim me Negociatorët”, organizuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Gjatë diskutimit, Drejtuesja e Sekretariatit theksoi rëndësinë e përgatitjes së të rinjve për kërkesat e tregut evropian të punës, nevojën për zhvillimin e aftësive të reja në përputhje me transformimin digjital dhe procesin e integrimit, si dhe domosdoshmërinë e monitorimit të nevojave të tregut të punës për të adresuar mungesat në aftësi. Duke iu referuar analizave të KI, u nënvizua se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar mbetet një nga shqetësimet kryesore të biznesit, ndërsa u theksua nevoja për përfshirje më të madhe të të rinjve dhe sipërmarrësve në procesin e integrimit evropian.
Progres mbi Rekomandimet e KI, janar-qershor 2025
18 korrik 2025
Sekretariati publikoi raportin e tij të fundit mbi progresin e rekomandimeve të KI për gjysmën e parë të vitit 2025, i cili evidenton zhvillime pozitive në fushën e aksesit në financë, inovacionit dhe digjitalizimit të NMVM-ve, të mbështetura nga masa institucionale dhe partneritete të reja. Raporti nënvizon gjithashtu avancimin e disa nismave strategjike, si operacionalizimi i Zonave të Zhvillimit Teknologjik dhe Ekonomik (TEDA), krijimi i skemave të reja për financimin e gjelbër dhe zgjerimi i instrumenteve mbështetëse digjitale për biznesin, në funksion të reformave ekonomike dhe procesit të integrimit evropian. Ndër zhvillimet kryesore të periudhës përfshihen lançimi i një skeme financimi prej 25 miliardë lekësh për NMVM-të, masa fiskale për reduktimin e informalitetit dhe rritjen e transparencës, zhvillimi i platformës Export Albania për mbështetjen e ndërkombëtarizimit të bizneseve, garancitë sovrane për sektorin e bujqësisë dhe pilotimi i produkteve të reja të sigurimit.
Përmbledhje e Treguesve Makroekonomikë të Shqipërisë, Janar-Qershor 2025
31 korrik 2025
Raporti përmbledhës mbi treguesit makroekonomikë të Shqipërisë për gjysmën e parë të 2025 ofron një pasqyrë të detajuar të situatës makroekonomike të vendit, duke u mbështetur në të dhëna nga burime zyrtare dhe organizata ndërkombëtare. Ekonomia shqiptare u rrit me 3.39% në tremujorin e parë të vitit, e nxitur kryesisht nga shërbimet publike, pasuritë e paluajtshme dhe tregtia. Gjatë gjashtëmujorit të parë, eksportet u rritën me 2.1%, importet ranë me 2%, ndërsa inflacioni u ul në 2.1%. Gjithashtu, tregu i punës shënoi përmirësim të lehtë dhe stoku i investimeve të huaja direkte u rrit me 13.5%, duke reflektuar besimin e vazhdueshëm të investitorëve në ekonominë shqiptare.
PUBLIKIME TË SEKRETARIATIT

Progres mbi Ecurinë e Rekomandimeve të KI, Janar-Qershor 2025
Raport Monitorimi
RRETH KËSHILLIT TË INVESTIMEVE
Këshilli i Investimeve është një platformë e mbështetur nga Qeveria Shqiptare, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO) për të nxitur dialogun publik-privat në kuadër të përmirësimit të klimës së investimeve dhe nxitjes së qeverisjes së mirë në vend.