Search
Close this search box.

Këshilli Investimeve Lajmet Kryesore, Korrik – Shtator 2023

Tema e Mbledhjes së Ardhshme të KI: Për Përmirësimin e Cilësisë së Shërbimeve Publike të Digjitalizuara të Ofruar Biznesit

Korrik 2023

Tranzicioni digjital me fokus shërbimet publike ka rimodeluar modelet e biznesit në vend, duke stimuluar aftësimin dixhital dhe platformat online. Me votim të anëtarëve të KI-së mbi temën e ardhshme, Sekretariati u fokusua në evidentimin e sfidave të sipërmarrësve vendas për aspekte kyçe si:

  • Besimi në e-Qeverisje: Eksplorimi i besueshmërisë dhe efikasitetit të shërbimeve digjitale të qeverisë.
  • Inovacioni në Modelet e Biznesit: Diskutimi i nevojës për modele inovative të biznesit dhe përdorimi i përgjegjshëm i teknologjive të reja, duke marrë parasysh implikimet e kostos, veçanërisht për NVM-të.
  • Mbështetja e Administratës Publike: Vlerësimi i sistemeve mbështetëse dhe reagimi i administratës publike për të përmbushur në kohë nevojat e biznesit.

Konsultime: Sfidat e biznesit për shërbimet publike digjitale

Korrik - Gusht 2023

Sekretariati përfundoi me sukses fazën e konsultimit në përputhje me përgatitjet për Mbledhjen e Ardhshme të Këshillit të Investimeve. Për një panoramë sa më gjithëpërfshirëse të progresit por edhe  të sfidave të sipërmarrësve në lidhje me shërbimet publike digjitale, Sekretariati bashkëpunoi me aktorë të ndryshëm duke realizuar:

  • Intervista të drejtpërdrejta: Intervista të thelluara me përfaqësues kryesorë si nga sektori publik ashtu edhe nga ai privat.
  • Konsultim në nivel teknik: Në bashkëpunim me Dhomën Ekonomike të Gruas, Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe shoqata te biznesit, si edhe ekspertë të pavarur u zhvilluan tre mbledhje teknike me pjesëmarrjen aktive të 50 përfaqësuesve nga sektori privat dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
  • Anketë: Sekretariati realizoi një anketë me 324 kompani përmes një pyetësori të strukturuar, duke mbledhur informacion të drejtpërdrejtë nga komuniteti i biznesit.

Sekretariati merr pjesë në Mbledhjen e Parë të Grupit Ndërinstitucional të Punës për Përgatitjen e Udhërrëfyesit për Arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm

12 Korrik 2023

Drejtorja e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve mori pjesë në mbledhjen e parë të grupit ndërinstitucional të punës ngritur me urdhër të Kryeministrit për përgatitjen e një udhërrëfyesi për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) brenda vitit 2023 dhe për të identifikuar dhe zhvilluar mjetet për zbatimin e masave për arritjen e SDG-ve. Ky grup kryesohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) dhe përbëhet nga përfaqësues nga ministri të ndryshme dhe institucione kyçe.

[PUBLIKIM I RI] Vështrim mbi Treguesit e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023

Korrik 2023

Sekretariati publikoi përmbledhjen e treguesve kryesorë makroekonomikë të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor për gjysmën e parë të vitit 2023 sipas publikimit të tyre në burime zyrtare kombëtare dhe ndërkombëtare.

[PUBLIKIM I RI] Progresi i Rekomandimeve të KI, janar-qershor 2023

Gusht 2023

Raportimi i progresit dhe sfidave të zbatimit të rekomandimeve të Këshillit të Investimeve përbën tashmë një funksion sistemik, të mirë strukturuar të punës së tij. Krahasuar me fundvitin e 2022, vërehet një rritje prej 4.6% të rekomandimeve të përmbushura, duke arritur totalin prej 48.6%, ndërsa në proces 16.8%.

Sekretariati kontribuon në Samitin e IV të Gruas së Diasporës Shqiptare

15 shtator 2023

Sekretariati i Këshillit të Investimeve mori pjesë në Samitin e Katërt të Gruas së Diasporës Shqiptare, një ngjarje e rëndësishme e organizuar nga Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare (ADBC)—anëtare e biznesit në KI. Me temën "Me mendje dhe zemër në Shqipëri", samiti mblodhi bashkë partnerë të nderuar si Center for International Private Enterprise (CIPE), Bashkëpunimi Ndërkombëtar Gjerman (GIZ) dhe organizata të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktiviteti bashkoi më shumë se 130 gra, duke përfshirë përfaqësues të nivelit të lartë nga Shqipëria dhe Kosova, profesionistë, drejtues biznesesh, akademikë dhe organizata ndërkombëtare; si dhe mbi 450 pjesëmarrës që u bashkuan online. Gjatë Panelit të Ekonomisë Digjitale, Drejtorja e Sekretariatit, znj. Diana Leka (Angoni), theksoi sfidat me të cilat përballen gratë sipërmarrëse vendase, veçanërisht në përvetësimin e aftësive digjitale dhe përdorimin efikas të platformave digjitale, dhe avokoi për nevojën për mbështetje në mënyrë të qëndrueshme nga ana e diasporës në këto dy drejtime.

Kryetari i Ri i Këshillit të Investimeve

18 shtator 2023

Z. Ervin Mete u emërua Ministri i ri i Financave dhe Ekonomisë pas njoftimit në fillim të shtatorit nga kryeministri Edi Rama për riorganizimin e kabinetit të tij. Në këtë funksion, z. Mete u bë Kryetari i ri i KI-së, duke marrë detyrën nga znj. Delina Ibrahimaj, e cila drejtoi Këshillin gjatë periudhës 2021-2023 dhe që do të vazhdojë kontributin e saj si anëtare e KI në cilësinë e Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Drejtorja e Sekretariatit zhvilloi një takim prezantues me z. Mete dhe kabinetin e tij për t'i përditësuar ata mbi aktivitetet e KI-së dhe përgatitjet për mbledhjen e ardhshme të KI, planifikuar të mbahet më 6 tetor 2023. Nje vëmendje e vecante, iu kushtua edhe përditësimit të axhendës së KI për 2023 dhe statusit të rekomandimeve.

RRETH KËSHILLIT TË INVESTIMEVE

Këshilli i Investimeve është një platformë e mbështetur nga Qeveria Shqiptare, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO) për të nxitur dialogun publik – privat në kuadër të përmirësimit të klimës së investimeve në vend. Për më shumë vizitoni www.investment.com.al.

Tour Albania albania tours real estate saranda Armani Stronger With You Parfum