Këshilli Investimeve Lajmet Kryesore, Prill – Qershor 2024
- July 10, 2024
Votimi i Axhendës së KI për 2024
Prill 2024
Anëtarët e Këshillit të Investimeve votuan online për axhendën e vitit 2024. Temat më të votuara ishin:
- Përmirësimi i konkurrueshmërisë së produkteve jo-ushqimore në tregun shqiptar dhe aksesi i tyre në tregun e BE-së – Sfidat dhe Mundësitë
- Lehtësimi i Aksesit në Financë për Bizneset—Reduktimi i barrës administrative dhe zgjerimi i opsioneve të financimit për NMVM-të duke siguruar transparencë në programet nxitëse.
Takime prezantuese me anëtarët e rinj të biznesit të KI
Prill 2024
Pas rotacionit të anëtarëve të biznesit të Këshillit gjatë muajit mars, Sekretariati organizoi takime prezantuese me anëtarët e rinj për t’i njohur ata me kuadrin operacional të KI-së dhe nismat e ndërmarra. Anëtarët u njohën gjithashtu edhe me disa nga rekomandimet kryesore të miratuara nga KI, ku u theksua edhe roli i tyre rëndësishëm për mbështetjen e aktiviteteve të KI për avokim në zbatimin e këtyre rekomandimeve. Nëpërmjet takimeve të tilla synohet nxitja e bashkëpunimit midis anëtarëve të rinj dhe partnerëve aktualë për të rritur efikasitetin e punës të Këshillit në adresimin e sfidave kryesore të klimës së investimeve në vend.
Vështrim mbi Treguesit e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë për vitin 2023
Prill 2024
Sekretariati publikoi përmbledhjen e treguesve kryesorë makroekonomikë të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor për vitin 2023, bazuar në burime zyrtare kombëtare dhe ndërkombëtare. Përmbledhja përfshin përditësime mbi llogaritë kombëtare, dinamikën e tregtisë së jashtme, situatën e tregut të punës, investimet dhe treguesit monetarë. Gjithashtu, në të jepet renditja e Shqipërisë në indekset globale si Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit, Indeksi i Lirisë Ekonomike, Indeksi Global i Inovacionit, Indeksi i Kompleksitetit Ekonomik dhe Indeksi i Gatishmërisë së Teknologjisë, duke nxjerrë në pah si pikat e forta ashtu edhe fushat që kanë nevojë për përmirësim në performancën ekonomike dhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë në tregun rajonal dhe global.
Gjetjet e Pyetësorit: Sfidat e Sektorit Privat – Informaliteti, Produktiviteti dhe Inovacioni
Prill 2024
Vrojtimi i Sekretariatit me 601 kompani nxori në pah sfidat kryesore të sektorit privat në lidhje me informalitetin, produktivitetin dhe inovacionin. Fushat kryesore të anketimit përfshinin komunikimin me autoritetet tatimore, ndikimin e fiskalizimit dhe uljes së TVSH-së në turizëm, si dhe perceptimet e bizneseve për informalitetin dhe produktivitetin. Rezultatet e pyetësorit zbuluan se 77% e kompanive po planifikojnë investime për të rritur produktivitetin e tyre. Fushat kryesore të identifikuara nga biznesi ku nevojitet ndërhyrja e shtetit kishin të bënin me uljen e taksave ose rritjen e subvencioneve, mbështetjen për programet e trajnimit dhe ndihmën në përmirësimet teknologjike. Gjithashtu, u vërejt një theks i veçantë në drejtim të inovacionit dhe shpërndarjes efikase të burimeve, veçanërisht në kërkim dhe zhvillim, për të mbështetur konkurrueshmërinë e bizneseve.
Notë Teknike: Sfidat e Sektorit Privat – Informaliteti, Produktiviteti dhe Inovacioni
Prill 2024
Ndërsa Shqipëria thellon integrimin e saj në tregjet rajonale dhe globale, mbështetja tradicionale në një fuqi punëtore me kosto të ulët është gjithnjë e më e paqëndrueshme për shkak të emigrimit të gjerë dhe rritjes së pagave që nuk përputhen me përfitimet e produktivitetit. Kjo kërcënon konkurrencën e biznesit dhe rrit rreziqet e falimentimit. Adresimi i këtyre sfidave, veçanërisht nëpërmjet rritjes së produktivitetit dhe investimit në inovacion, është jetik për ruajtjen e konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare.
Bashkëpunim me akademinë: Mbështetja e rekomandimeve të KI për kapitalin njerëzor dhe cilësinë e aftësive
23 prill 2024
Në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës (FEUT), Drejtuesja e Sekretariatit mori pjesë në një panel diskutimi në Panairin e Punës të FEUT. Që nga viti 2015, KI ka luajtur një rol në avokimin për rritjen e cilësisë së aftësive të punës në vend dhe nxitjen e partneriteteve midis sektorit privat dhe akademisë. Duke njohur boshllëqet e aftësive si një pengesë kryesore për investimet e ardhshme private, KI ka mbrojtur vazhdimisht përafrimin e kurrikulave arsimore me nevojat e tregut dhe inkurajimin e programeve inovative të trajnimit. KI vazhdon të avokojë për adresimin e këtyre hendeqeve, duke rritur angazhimin e tij për përmirësimin e konkurrueshmërisë së vendit duke i dhënë përparësi zhvillimit të kapitalit njerëzor.
Monitorimi i Zbatimit të Rekomandimeve të KI
Prill-Maj 2024
Në tremujorin e dytë të vitit 2024, ndjekja sistematike e zbatimit të rekomandimeve të KI vazhdoi përmes ndërveprimit formal me tetë institucione: Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Agjencinë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI), Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), Ministrinë e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ministrinë e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Agjencinë për Inovacion dhe Ekselencë. Institucionet publike kanë treguar gatishmëri për të dhënë informacion lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të KI-së. Megjithatë, në përgjigjet e tyre shpeshherë mungojnë të dhëna të detajuara dhe metrikë specifike dhe nuk jepet qartë ndikimi i matshëm i iniciativave në sektorin privat.
Ceremonia e Çmimeve “Bright Mind 2024”
11 Maj 2024
Drejtuesja e Sekretariatit, znj. Diana Leka (Angoni), mori pjesë në mbrëmjen gala “Bright Mind 2024” organizuar nga Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare (ABDC), anëtare e Këshillit të Investimeve. Gjatë aktivitetit, znj. Leka pati privilegjin t’i jepte një çmim Shoqatës së Kontabilistëve Shqiptarë në Itali (ADCAI) në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre. Ajo inkurajoi gjithashtu ADCAI të angazhohet në mënyrë aktive përmes ABDC (një anëtar i përhershëm i KI), duke ndarë njohuritë dhe sugjerimet e tyre për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.
Get in the Ring Albania 2024
28 maj 2024
Drejtuesja e Sekretariatit, znj. Diana Leka (Angoni), ishte anëtare e jurisë në konkursin e startup-eve “Get in the Ring Albania 2024”. Kjo ngjarje dinamike mblodhi së bashku një spektër të larmishëm pjesëmarrësish, duke përfshirë sipërmarrës të rinj aspirantë dhe aktorë të rëndësishëm nga sektori publik, privat dhe partnerëve për zhvillim. Ky bashkëpunim theksoi angazhimin e KI, nisur që në vitin 2016, për nxitjen e inovacionit dhe sipërmarrjes në Shqipëri, nëpërmjet mbështetjes së drejtuesve të rinj të biznesit që përpiqen të kenë një ndikim të rëndësishëm në ekosistemin e startup-eve.
Sekretariati konsultohet me aktorë të sektorit publik dhe privat mbi temën e ardhshme të Mbledhjes së KI (vrojtim dhe intervista)
Maj 2024
Sekretariati u angazhua në mënyrë aktive me aktorë të sektorit publik dhe privat gjatë fazës përgatitore të konsultimit për mbledhjen e ardhshme të KI. Përmes konsultimit me 15 aktorë nga sektori publik dhe privat, si dhe një vrojtimi online me 143 kompani vendase, puna u fokusua në identifikimin e sfidave që përballen sipërmarrësit vendas në përmbushjen e standardeve të tregut të Bashkimit Evropian. Diskutimet theksuan rolin kritik të mbikëqyrjes rregullatore në sigurimin e standardit dhe cilësisë, si dhe rëndësinë e zhvillimit të aftësive të inspektimit për verifikimin e proceseve dhe zbutjen e konflikteve të interesit. Po ashtu u theksua nevoja për rritjen e ndërgjegjësimit të bizneseve në lidhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në vend. Kjo punë paraprake synoi përgatitjen e rekomandimeve nga Sekretariati për t’iu paraqitur Këshillit për shqyrtim.
Mbledhje fokus grup mbi gjetjet e Sekretariatit dhe draft rekomandimet “Për përmirësimin e aksesit dhe konkurreshmërisë për produktet shqiptare në tregun e BE-së”
Maj 2024
Sekretariati organizoi tre mbledhje fokus grup në bashkëpunim me Shoqatën e Biznesit Grek në Shqipëri, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Shoqatën e Ndërtuesve për të shqyrtuar gjetjet paraprake të Sekretariatit dhe draft rekomandimet përkatëse. Diskutimet në këto mbledhje u përqendruan në analizimin dhe saktësimin e rekomandimeve përpara prezantimit të tyre në mbledhjen e ardhshme të Këshillit. Ekspertë dhe anëtarë të biznesit nga këto shoqata diskutuan propozimet në mënyrë që ato të jenë sa më të përshtatshme dhe efektive për mjedisin e biznesit shqiptar.
Kontribut në Konferencën e organizuar nga Dhoma Amerikane dhe Revista Monitor “Ristrukturimi ekonomik për një perspektivë të re”
24 qershor 2024
Drejtoresha e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, znj. Diana Leka (Angoni), kontribuoi në një nga panelet e kësaj konference. Gjatë fjalës së saj, ajo prioritizoi tre elementë kyç: i) qartësimin e vizionit për të kuptuar kompleksitetin e ekonomisë informale, ii) nevojën për të dhëna dhe analiza të detajuara, dhe iii) harmonizimin me reforma kyçe kombëtare. Ajo gjithashtu theksoi nevojën për politika të qëndrueshme për formalizimin e ekonomisë pavarësisht rotacioneve politike, zgjerimin e bazës së tatimpaguesve dhe edukimin e vazhdueshëm të tyre në bashkëpunim me grupet e biznesit, monitorimin e vazhdueshëm dhe krijimin e institucioneve të qëndrueshme zbatuese për zbatimin efektiv të marrëveshjeve dhe rregullave shtet-biznes.
Raport mbi Aktivitetin e KI 2023
30 qershor 2024
Raporti ofron një përmbledhje të iniciativave të Këshillit dhe Sekretariatit për vitin 2023, duke përfshirë arritjet në zbatimin e rekomandimeve dhe përpjekjet e vazhdueshme për të krijuar kushte të favorshme për një dialog transparent mbi politikat që ndikojnë në mjedisin e biznesit.
PUBLIKIME TË SEKRETARIATIT

Sfidat e Sektorit Privat: Informaliteti, Produktiviteti dhe Inovacioni
Gjetjet e Anketës

Sfidat e Sektorit Privat: Informaliteti, Produktiviteti dhe Inovacioni
Matrica e Rekomandimeve
PREZENCË NË MEDIAN TELEVIZIVE

Report TV, 16 prill 2024
Vrojtimi i Këshillit të Investimeve, rritet mosdeklarimi i pagave reale

TV Klan, 17 prill 2024
Sondazhi me bizneset: Informaliteti, ende prezent

Report TV, 19 prill 2024
Anketa: Biznesi në vend kërkon më shumë se 5.700 punonjës! Ja profesionet që kërkohen

TV Klan, 8 maj 2024
Bizneset shqiptare, më pak vëmendje nga inovacioni
RRETH KËSHILLIT TË INVESTIMEVE
Këshilli i Investimeve është një platformë e mbështetur nga Qeveria Shqiptare, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO) për të nxitur dialogun publik – privat në kuadër të përmirësimit të klimës së investimeve në vend. Për më shumë vizitoni www.investment.com.al .