Këshilli Investimeve, Lajmet Kryesore, Tetor – Dhjetor 2022
- January 18, 2023
AVOKIM PËR POLITIKA PËR RRITJEN E KONKURRUESHMËRISË SË NVM-ve DREJTUAR NGA GRATË
12 Tetor 2022
Në një tryezë organizuar nga Dhoma Ekonomike e Gruas me fokus klimën e investimeve dhe ekonominë e gjelbër, Sekretariati i Këshillit të Investimeve theksoi rëndësinë e politikave të investimeve të huaja direkte të cilat synojnë stimulimin e inovacionit lokal, menaxhimit, dhe promovimin e eksportit vendas dhe teknologjisë në nivel të kompanive vendase. Më specifikisht, këto politika janë të domosdoshme për mbarëvajtjen e konkurrencës së bizneseve në pronësi të grave dhe krijimin e vlerës të shtuar të NVM-ve shqiptare, përfshirë industritë nxjerrëse. Sekretariati inkurajoi gratë sipërmarrëse që të jenë më proaktive në advokim përmes shoqatave të grave pasi së bashku ato mund të shprehin dhe mbrojnë më mirë çështjet e tyre të biznesit.
Dhoma Ekonomike e Gruas është bërë anëtare e Këshillit të Investimeve që prej janar 2022. Një nga objektivat kryesore të saj është ndikimi dhe lobimi për forcimin e sipërmarrjes dhe karrierës së grave.
EVIDENTIM I PROBLEMATIKAVE TË FUQISË PUNËTORE—NË FOKUS TË RINJTË DHE SIPËRMARRËSIT
Shtator – Tetor 2022
Në bashkëpunim me partnerët e biznesit, Sekretariati kreu konsultime në lidhje me sfidat e tregut të punës në Shqipëri nën këndvështrimin e sektorit privat, institucioneve përkatëse të administratës publike dhe të rinjve. Më specifikisht:
- Intervista të drejtpërdrejta me 37 aktorë të sektorit publik dhe privat në 6 rrethe
- 1 fokus grup me të rinj dhe ekspertë
- 1 anketë me 253 kompani
- 1 anketë me 262 të rinj
Gjetjet paraprake të procesit të konsultimit evidentuan se mungesa e fuqisë punëtore në vend është një sfidë thelbësore ku sektorët e tregtisë, ndërtimit dhe industrisë duket se e vuajnë më shumë.
MBLEDHJE PLENARE: KËSHILLI INVESTIMEVE MBI DISPONUESHMËRINË DHE CILËSINË E FUQISË PUNËTORE
26 Tetor 2022
Nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, KI zhvilloi një mbledhje plenare për të diskutuar shqetësimet e sektorit privat mbi disponueshmërinë dhe cilësinë e fuqisë punëtore në vend. Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e aftësive për punë për të përmbushur nevojat aktuale të biznesit, veçanërisht duke marrë parasysh transformimin e tregut gjatë viteve të fundit për shkak të dixhitalizimit. Gjatë diskutimit të hapur, përfaqësuesit e biznesit shprehën shqetësimet e tyre mbi sfidat aktuale të tregut të punës dhe parashtruan disa sugjerime.
PUBLIKIM I RI: MBI DISPONUESHMËRINË DHE CILËSINË E FUQISË PUNËTORE
21 Nëntor 2022
Cilat janë arsyet kryesore që ndikojnë në mungesën e disponueshmërisë dhe cilësisë së fuqisë punëtore në tregun vendas sipas sipëmarrësve?
Përmirësimi i mendësisë së pronarëve të NMVM-ve (CEO) drejt krijimit të vlerës së kapitalit njerëzor mund të jetë një element thelbësor për përmirësim, ndërkohë që masat e tjera mbështetëse, si ofrimi i mundësive për karrierë për të rinjtë dhe investimi në mësimin dhe zhvillimin e punonjësve, mbeten të domosdoshme.
Studimi i fundit i KI “Mbi disponibilitetin dhe aftësitë e fuqisë punëtore” sjell në një këndvështrim të dyfishtë sfidën imediate të disponueshmërisë dhe cilësisë së fuqisë punëtore në vend nga: (1) perspektiva e sektorit privat dhe (2) perspektiva e punëkërkuesit të ri si një mundësi për të balancuar pritshmëritë dhe faktet.
GJETJET E SONDAZHIT: “MBI SFIDAT E TË RINJVE NË TREGUN E PUNËS”
30 Nëntor 2022
Çfarë mendojnë të rinjtë për aksesin në tregun e punës dhe kulturën e punës në vend?
Ndërsa brezi i ri i të rinjve hyn në tregun e punës, kjo pyetje nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme. Për të lehtësuar dialogun ndërmjet punëkërkuesve dhe sipërmarrësve dhe për të stimuluar veprimet përkatëse të palëve të interesuara, Sekretariati në bashkëpunim me Rrjetin e Profesionistëve të Rinj (YPN) dhe Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës (FEUT) ndërmori një sondazh me 262 të rinj për të kuptuar nevojat e tyre specifike dhe sfidat për të hyrë në tregun e punës.
GJETJET E SONDAZHIT: “MBI DISPONUESHMËRINË DHE CILËSINË E FUQISË PUNËTORE”
5 Dhjetor 2022
Pasiguritë e NVM-ve dhe sipërmarrësve shqiptarë se si të trajtojnë mungesën e aftësive janë eksploruar së fundmi nga një sondazh i KI me 253 kompani. Sondazhi evidenton:
- Mungesën e fuqisë punëtore dhe mungesën e aftësive
- Kanalet për gjetjen e fuqisë punëtore
- Sfidat kryesore me të cilat përballen kompanitë në tregun e punës
- Perceptimi mbi format më të përhapura të informalitetit
Sondazhi nxjerr në pah se kompanitë përballen me një kontekst sfidues rekrutimi, me tre të katërtat e bizneseve që raportojnë vështirësi në plotësimin e vendeve të lira. Duke u përpjekur të adresojnë mungesën e aftësive të fuqisë punëtore, bizneset tashmë po fokusohen kryesisht në rritjen e trajnimit brenda kompanive dhe/ose riorganizimin e tyre.
PËR TË PËRBALLUR MË MIRË RREZIQET, SIPËRMARRËSIT KANË NEVOJË PËR MË SHUMË TË DHËNA DHE DIXHITALIZIM PËR MARRJEN E VENDIMEVE TË DUHURA
15 Dhjetor 2022
Në Aktivitetin Lançues “Gratë sipërmarrëse dhe perspektiva gjinore në zinxhirin e vlerave të biznesit” organizuar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, Sekretariati i Këshillit të Investimeve u shpreh se pandemia zuri në befasi funksionimin e të gjitha strukturave social-ekonomike të shoqërisë, përfshirë këtu edhe botën e biznesit. Covid-19 detyroi shtetin dhe biznesin të ridimensiononin rolet dhe nivelin e tyre të bashkëpunimit, duke afruar njëkohësisht edhe sipërmarrjen me fushën e shkencës dhe duke rritur nevojën për vendimmarrje të bazuara në të dhëna. Për këtë arsye, gratë dhe të rinjtë që duan të investojnë në Shqipëri duhet të marrin informacion të përditësuar për të bërë biznes, qoftë edhe nëpërmjet bashkëpunimit me shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë.
KONTRIBUT NË DRAFT STRATEGJINË KOMBËTARE TË PUNËSIMIT DHE AFTËSIVE 2023-2030
23 Dhjetor 2022
Në takimin konsultativ me sektorin privat të organizuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MEF), Sekretariati avokoi punën e KI dhe rekomandimet e dhëna prej tij së fundi në këtë drejtim, ndërsa theksoi rëndësinë e momentit të hartimit të kësaj strategjie. Më tej, Sekretariati i bëri thirrje shoqatave të biznesit dhe kompanive për të investuar më shumë në kapitalin njerëzor dhe qeverisjen e korporatave, ndërsa u shpreh se qeveria duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje kapaciteteve koordinuese institucionale në kuadrin e angazhimit me platformat e konsultimit, veçanërisht për sa i përket dokumentimit të konsultimit dhe konkluzioneve të nxjerra—një prioritet në funksion të procesit të BE-së.

Dokument Pune “Mbi Disponueshmërinë dhe Cilësinë e Forcës Punëtore” | Tetor 2022
Mbi Disponibilitetin Dhe Aftësitë E Fuqisë Punëtore

Prezantim PPT “Mbi Disponueshmërinë dhe Cilësinë e Fuqisë Punëtore” | Tetor 2022
Disponueshmëria Dhe Cilësia E Fuqisë Punëtore

Matrica e Rekomandimeve “Mbi Disponueshmërinë dhe Cilësinë e Fuqisë Punëtore” | Tetor 2022
Matrica E Rekomandimeve

Gjetjet e Sondazhit “Mbi Sfidat e të Rinjve në Tregun e Punës” | Tetor 2022
Gjetjet e Sondazhit të Ki “mbi Sfidat e Të Rinjve Në Tregun e Punës”

Gjetjet e Sondazhit “Mbi Disponueshmërinë dhe Cilësinë e Fuqisë Punëtore” | Tetor 2022
Gjetjet e Sondazhit Të Ki “mbi Disponueshmërinë Dhe Cilësinë e Fuqisë Punëtore”
Përmendja e Këshillit të Investimeve në Median Televizive
RRETH KËSHILLIT TË INVESTIMEVE
Këshilli i Investimeve është një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur qeverisjen e mirë. Puna e Këshillit mbështetet nga Sekretariati, një organ i pavarur me profesionistë të përzgjedhur dhe kontraktuar nga BERZH për t’u angazhuar drejtpërsëdrejti me komunitetin e biznesit. Këshilli Investimeve mbështetet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështjet Ekonomike (SECO).