Lajmet Kryesore, Lajmet Kryesore, Tetor – Dhjetor 2024
- December 31, 2024
Gjetjet e anketës: Perspektiva e Sistemit Bankar mbi Financimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme
1 tetor 2024
Anketa e kryer nga Sekretariati, me pjesëmarrjen e 9 bankave, eksploron qasjen e sektorit bankar për financimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM). Gjetjet e anketës tregojnë se bankat kanë në prioritet NMVM-të, po kryesisht kreditimin e sektorëve të turizmit, energjisë dhe shërbimeve. Megjithatë, disa barriera si informaliteti dhe regjistrimi i kolateralit të paregjistruar pengojnë aksesin më të gjerë të NMVM-ve në financim.
Gjetjet e anketës: Perspektiva e Mikrofinancës mbi Financimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme
1 tetor 2024
Anketa e kryer nga Sekretariati, me pjesëmarrjen e 8 institucioneve mikrofinanciare, evidenton se institucionet jo-banka luajnë një rol të rëndësishëm në financimin e NMVM-ve të pashërbyera nga bankat, duke ofruar kredi të shpejta dhe fleksibilitet, si dhe eliminim e dokumentacionit të “tepërt” të kërkuar nga bankat.
Gjetjet e anketës: Perspektiva e Biznesit mbi Akesin në Financë
1 tetor 2024
Anketa e kryer nga Sekretariati, me pjesëmarrjen e 221 bizneseve, evidenton se 1 në 2 biznese përballen me sfida të rëndësishme lidhur me aksesin në financim, veçanërisht NMVM-të që operojnë në sektorët e turizmit dhe bujqësisë. Këto biznese hasin vështirësi për shkak të kërkesave shpesh të “paarsyeshme” në lidhje me aftësitë për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar përfshi edhe kolateralin, por jo vetëm.
Fokus Grup “Për Përmirësimin e Instrumentave Financues të Biznesit”
18 tetor 2024
Sekretariati i Këshillit të Investimeve organizoi një fokus grup me anëtaret e Dhomës Ekonomike të Gruas për të prezantuar gjetjet paraprake të anketës (me 221 kompani) mbi aksesin në financim për NMVM-të. Në takim morën pjesë gjithashtu edhe përfaqësues të sektorit financiar. Gjatë këtij aktiviteti, gratë sipërmarrëse nga sektorë të ndryshëm, si turizmi, shërbimet, pasuritë e paluajtshme, shëndetësia dhe këshillimi, ngritën propozime konkrete për produkte financiare me fokus gratë, uljen e kostove administrative, thjeshtimin e procedurave të financimit dhe promovimin e alternativave të reja të financimit.
Konsultimi i Planit Zhvillimor të Durana Tech Park
30 tetor 2024
Sekretariati i Këshillit të Investimeve, në bashkëpunim me Korporatën Shqiptare të Investimeve (AIC), organizoi një konsultim të hapur mbi Planin e Detajuar të Zhvillimit të Durana Tech Park. Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 40 palë të interesuara, kryesisht përfaqësues nga komuniteti i biznesit, kompani ndërkombëtare të teknologjisë, kompani inovative vendase dhe startup-e. Bizneset që do të përfshihen në këtë park pritet të krijojnë një rrjet bashkëpunimi dhe të përfitojnë nga mundësitë e shumta që do të ofrohen prej tij.
Mbledhje e Këshillit të Investimeve: Për Përmirësimin e Aksesit në Financë për NMVM-të
12 nëntor 2024
Nën drejtimin e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Blendi Gonxhja, mbledhja e Këshillit të Investimeve u përqendrua në sfidat që pengojnë sipërmarrjet shqiptare për të pasur akses më të mirë në financim. Në fjalën e tij hyrëse, Ministri Gonxhja vlerësoi rolin thelbësor të NMVM-ve në zhvillimin ekonomik të vendit, prezantoi disa prej iniciativave të qeverisë, përfshirë programet e granteve përmes AIDA-s, skemat e garancive sovrane, një ligj të ri për akses më të lehtë në llogaritë bazë të pagesave dhe integrimin e Shqipërisë në SEPA (Zonën Unike të Pagesave në Euro).
Përfaqësuesit e biznesit theksuan nevojën për produkte financiare të përshtatura për sektorë specifikë, përfshirë gratë sipërmarrëse, dhe adresuan sfida që lidhen me normat e larta të interesit, kërkesat e rrepta për kolateral, si dhe mungesën e formalizimit në sektorë të rëndësishëm si turizmi dhe bujqësia.
Notë Teknike: Për Përmirësimin e Instrumenteve të Financimit
17 dhjetor 2024
Dokumenti paraqet disa nga sfidat kryesore dhe mundësitë që lidhen me rritjen e aksesit në financë për bizneset në Shqipëri, me fokus të veçantë në NMVM-të. Fushat kryesore të analizës janë ndërgjegjësimi i biznesit dhe interesi për aksesin në financë, sfidat gjatë procesit të kreditimit dhe faktorët kryesorë që ndikojnë në vendimet e financimit të sipërmarrësve, si dhe pritshmëritë mbi ndikimin e digjitalizimit nga ana e sektorit bankar.
Kontribut në Javën Ndërkombëtare të Sipërmarrjes
18-21 nëntor 2024
Gjatë Javës Ndërkombëtare të Sipërmarrjes, Sekretariati i Këshillit të Investimeve kontribuoi në një sërë eventesh të rëndësishme.
- 18 nëntor: Gjatë seminarit të organizuar nga MEKI/CEI/SEECP, prezantoi disa nga gjetjet dhe rekomandimet kryesore të Këshillit të Investimeve mbi reforma kyçe publike, si siguria ligjore e pronës, çështjet e kadastrës, optimizimin e potencialit investues dhe përafrimin e kuadrit ligjor për investimet e huaja.
- 19 nëntor: Gjatë prezantimit të Anketës së Mjedisit të Biznesit 2024, organizuar nga disa shoqata të biznesit në vend (FIAA, Confindustria Albania, CCIA, HBAA), theksoi rëndësinë e rekomandimeve sistemike dhe gjithëpërfshirëse nga sektori privat për përmirësimin e klimës së biznesit.
- 20 nëntor: Gjatë aktivitetit të organizuar nga Universiteti Epoka mbi Ekonominë Qarkulluese, Sekretariati theksoi rëndësinë e praktikave të mësimdhënies në këtë fushë dhe rolin e sektorit privat vendas në përafrimin e zgjidhjeve të gjelbra, inteligjente dhe digjitale me reformat e BE-së. Në kuadër të diskutimit, Sekretariati paraqiti raste reale të bizneseve vendase që po përballen me këto ndryshime evidentuar në kuadrin e analizave të Sekretariatit mbi produktivitetin dhe aksesin në tregun e BE-së.
- 21 nëntor: Gjatë një paneli të organizuar nga Banka Botërore dhe IFC mbi financimin inovativ për startup-et dhe NMVM-të, Sekretariati ndau këndvështrime të biznesit dhe evidenca lidhur me konkurrencën vendase në tregjet financiare, inovacionin në produktet financiare dhe forcimin e kapaciteteve të NMVM-ve.
Pjesëmarrje në evente të tjera
Dhjetor 2024
Forumi i Biznesit 2024, “Raise the Challenge,” i organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve më 5 dhjetor, shërbeu si një platformë bashkëpunimi midis politikëbërësve, investitorëve, bizneseve dhe ekspertëve për të diskutuar zhvillimin ekonomik përmes investimeve, inovacionit dhe partneriteteve publike-private. Në këtë aktivitet, Sekretariati i Këshillit të Investimeve theksoi rëndësinë e një dialogu paraprak e gjithëpërfshirës, përshpejtimin e reformave për kadastrën dhe regjistrimin e pronës shtetërore, duke i cilësuar këto si elementë thelbësorë për rritjen e besimit të investitorëve dhe rëndësinë e përafrimit te projekteve të reja me objektivat e një ekonomie të gjelbër dhe digjitale.
Më 13 dhjetor, gjatë Ceremonisë Mbyllëse të Javës së Integritetit, organizuar nga Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Sekretariati theksoi rëndësinë e ndërtimit të besimit përmes krijimit të institucioneve të forta dhe ofrimit të shërbimeve transparente e të qëndrueshme për bizneset, referuar analizave të KI, kryesisht për shërbime të rëndësishme si inspektimet, taksat, doganat dhe të tjera.
Po ashtu, më 19 dhjetor, në aktivitetin mbi inicimin e monitorimit të progresit të integrimit dhe Planit të Rritjes, organizuar nga CDI në bashkëpunim me Ambasadën Hollandeze, Sekretariati theksoi rëndësinë e angazhimit qytetar në këtë proces unik, mbështetjen e KI në drejtim të bashkëpunimit me sektorin privat bazuar në eksperiencën e deritanishme (2015-2025), si edhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile për të siguruar një proces efikas dhe të bazuar në objektiva të qarta.
Vlerësim nga Anëtarë dhe Bashkëpunëtorë të Këshillit të Investimeve 2024
30 dhjetor 2024
Raporti ofron një vlerësim nga disa prej anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të Këshillit të Investimeve mbi rolin e tij në përmirësimin e klimës së biznesit dhe promovimin e qeverisjes së mirë. Sipas përgjigjeve të të anketuarve, vërehet se Këshilli i Investimeve vazhdon të shihet si një platformë e besueshme dhe efikase për dialogun politik, ndërsa 88% e të anketuarve besojnë se Këshilli ka inkurajuar institucionet publike të adresojnë nevojat dhe shqetësimet e sektorit privat.
PUBLIKIME TË SEKRETARIATIT

Për Përmirësimin e Instrumenteve Financiarë
Notë Teknike

Perspektiva e Sistemit Bankar mbi Financimin e Ndërmarrjeve
Gjetjet e Anketës

Perspektiva e Mikrofinancës mbi Financimin e Ndërmarrjeve
Gjetjet e Anketës

Perspektiva e Biznesit mbi Aksesin në Financë
Gjetjet e Anketës

Për Përmirësimin e Instrumenteve Financiarë
Matrica e Rekomandimeve

Për Përmirësimin e Instrumenteve Financiarë
Prezantim PPT
PREZENCË NË MEDIAN TELEVIZIVE

ABC News, 24 dhjetor 2024
Bankat japin më shumë hua/Këshilli i Investimeve:Bizneset po marrin kredi për zgjerim të aktivitetit
RRETH KËSHILLIT TË INVESTIMEVE
Këshilli i Investimeve është një platformë e mbështetur nga Qeveria Shqiptare, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO) për të nxitur dialogun publik-privat në kuadër të përmirësimit të klimës së investimeve dhe nxitjes së qeverisjes së mirë në vend.