Search
Close this search box.

Njoftim për Shtyp – Këshilli I Investimeve për një reformë të qëndrueshme kundër Informalitetit

Mblidhet Këshilli I Investimeve, Prezantohen nga Sekretariati rezultatet e analizës dhe anketës për një reformë të qëndrueshme kundër informalitetit

 

Këshilli i Investimeve (KI) mbajti me 15 Dhjetor mbledhjen e tij të radhës drejtuar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, njëherësh edhe Kryetari I Këshillit. Në fokus të mbledhjes ishte reforma anti-informalitet dhe hapat që duhet të ndërmerren nga qeveria, bizneset dhe palët e tjera të interesit me qëllim që rezultatet të jenë pozitive.

Drejtuesja e Sekretariatit, Diana Leka prezantoi rezultatet e analizës në lidhje me sfidën e informalitetit si një reformë e përbashkët qeveri–biznes. Ndërkohë, në këtë analizë është përfshirë edhe një anketë (anonime online) e realizuar nga Sekretariati gjatë muajit Nëntor dhe ku morën pjesë 100 biznese dhe u realizua edhe një studim i zinxhirit të vlerës dhe informalitetit në sektorin e përpunimit të qumështit.

“Rreth 67% e bizneseve pranojnë se informaliteti është kosto dhe jo për fitim, por megjithatë ka ende shumë vështirësi në treg që pengojnë formalizimin. Ndër më kryesorët janë sistemi tatimor dhe niveli i punonjësve tatimorë, aksesi në financim si dhe qëndrueshmëria e reformave që ndërmerren”, tha znj.Leka.

Bazuar në rezultatet e anketës dhe takimet me grupet e biznesit, Sekretariati I Investimeve ngriti disa kërkesa dhe rekomandime për qeverinë, ku ndër më të rëndësishmit është hartimi sa më parë i një strategjie afatgjatë për të luftuar informalitetin (ëëë.investment.com.al)

Në fjalën e tij Ministri Ahmetaj tha se lufta ndaj informalitetit është shumë e rëndësishme dhe prandaj qeveria po planifikon të hartojë një strategji dy-vjeçare ku do të draftohen qartë rrugët dhe hapat që do të ndërmerren në këtë drejtim.

“Është e drejtë që do një platformë, një strategji afatgjatë e cila të jetë e trashëgueshme edhe me rotacionet që ndodhin me pushtetet, sepse duhet të biem dakord se beteja kundër informalitetit nuk mund të përdoret kundër apo pro një force politike” – tha Ahmet aj.

Nga ana e tyre, drejtues të shoqatave të bizneseve dhe të bizneseve vlerësuan rekomandimet dhe shprehën mbështetje për nevojën e luftës kundër informalitetit por theksuan rëndësinë e një reforme afatgjatë formalizimi, nevojën e konsultimeve paraprake dhe përfshirjes së biznesit, thjeshtimin e procedurave dhe legjislacionit, përmirësimin e kapaciteteve të administratës, ndërgjegjësimin dhe edukimin e vazhdueshëm të bizneseve dhe shoqërisë.

“Informaliteti duhet të trajtohet në mënyrë të qëndrueshme dhe sistematike, duke dëgjuar bizneset, duke dëgjuar shqetësimet e tyre dhe duke i bërë të gjithë pjesë të procesit. Reduktimi i informalitetit do të kontribuojë në klimën e biznesit dhe ekonominë në tërësi. Është një rrugë e qartë me shumë sfida si dhe në shumë vende tëtjera, por ku ka një vullnet ka një rrugë”- tha Gazmend Kadriu, Zëvendës President i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

“Analizat sektoriale janë shumë interesante dhe duhet të kryhen edhe për sektorë të vecantë sepse analiza e zinxhirit të vlerës krijon idenë se ku thuhet zinxhiri dhe ku ndodh informaliteti” – tha Drejtor Ekzekuti i TITAN Cement group.

I Pranishëm në mbledhje ishte edhe Z. Peter Sanfey, Acting Director, Country and Sector Economic në BERZH. Ai tërhoqi vëmendjen se “Informaliteti nuk është problem vetëm në Shqipëri por në të gjitha ekonomitë e tregut. Ka nevojë për një platformë të qartë qeveritare me afate kohore dhe objektiva të matshëm me përfshirjen e të gjithë aktorëve. Duke treguar benefitet e masave kundër informalitetit dhe matur arritjet ka mundësi për të reduktuar edhe më shumë taksat pa prekur nivelin e të ardhurave në buxhet” , ndersa Zev/President I FIAA’s dhe CEO i Vodafon Z. Dietlof Mare, nenvizoi domosdoshmerine e thjeshtezimit te procedurave dhe edukimit te vazhdueshem te taksapaguesve por edhe te tatimoreve.