Opsionet për një Zgjidhje më Efektive të Mosmarrëveshjeve midis Biznesit dhe Administratës Publike – Këshilli i Investimeve

2 Mars, 2016

Materialet e Mbledhjes IV janë të disponueshme këtu.

Këshilli i Investimeve (KI) mbajti më 02 Mars 2016 mbledhjen e tij të radhës drejtuar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj. Milva Ekonomi, njëherësh edhe Kryetare e Këshillit. Në Mbledhje u diskutua lidhur me efektivitetin e mjeteve në dispozicion të biznesit për të zgjidhur mosmarrëveshjet me administratën publike.

Mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve të administratës publike dhe biznesit janë konsideruar shqetësuese pasi mbartin kosto të konsiderueshme për palët dhe njëkohësisht sjellin pasiguri dhe mosbesim në zhvillimin e aktivitetit ekonomik si tek bizneset vendase ashtu edhe ato të huaja. Shqetësimet kryesore që ka shprehur biznesi kanë qenë: “institucionet buxhetore dhe stafi i punësuar në to, shpesh injoron apo nuk njeh ligjet e funksionimit te tyre, rregullat dhe ndërmerr vendime arbitrare dhe jokoherente me ligjet në fuqi”.

Në prezantimin e Drejtores së Sekretariatit, Diana Leka u theksua se institucionet publike pas shqyrtimit të ankimeve administrative të paraqitura nga bizneset, vetëm në pak raste i japin të drejtë këtyre të fundit, duke i detyruar ato t’i drejtohen gjykatës pothuajse në të gjitha rastet. Nga ana tjetër, Gjykatat Administrative në dy vitet e fundit janë përballur me një fluks të lartë të ankimeve administrative të biznesit. Përafërsisht 75% e numrit total të ankimimeve administrative të biznesit[1] në gjykatat administrative, lidhen me administratën tatimore, doganore, inspektimet dhe prokurimet publike. Për shkak të ngarkesës me çështje dhe afateve të shkurtuara të gjykimit, shpesh është vënë në diskutim nga bizneset, cilësia e vendimeve të gjykatave administrative. Kjo situatë në gjykatat administrative e bën të domosdoshme zgjidhjen e shpejtë, efektive dhe të drejtë të këtyre mosmarrëveshjeve brenda vetë juridiksionit të administratës si domosdoshmëri për të përmirësuar klimën e investimeve në vend.

Bazuar në analizën e ekspertëve të Sekretariatit, të konsultuar paraprakisht me ekspertë të fushës me shoqatat e biznesit dhe vetë institucionet, Këshilli i Investimeve diskutoi mbi disa kërkesa dhe rekomandime për Qeverinë Shqiptare, që synojnë: lehtësimin e aksesit në ushtrimin e të drejtës së ankimit administrativ për bizneset; përmirësimin e efektivitetit të strukturave të apelimit administrativ; rritje të transparencës në proçesin e vendim-marrjes (linku i mbledhjes).

Në fjalën e vet, Ministrja Milva Ekonomi shprehu vlerësimin për punën e deritanishme që ka bërë Këshilli i Investimeve, ndërsa vuri theksin te përmirësimi i klimës së të bërit biznes në vend dhe mbi nevojën e bashkëpunimit të mëtejshëm mes sipërmarrjes dhe qeverisë. Referuar diskutimeve në mbledhjet e mëparshme, Znj. Ekonomi bëri me dije se: “rekomandimet e Këshillit janë marrë tashmë nga administrata dhe po përpunohet një plan masash për të ndërhyrë realisht në informalitet dhe për të zgjidhur situata ku mund të ketë nevojë për derregullim të tregut”.

Përfaqësuesit e biznesit të pranishëm në mbledhje mbështetën punën e Sekretatiatit dhe rekomandimet konkrete të ofruara duke kërkuar zbatimin sa më shpejt nga Qeveria. Konkretisht, Z. Gazmend Kadriu, Zëvendës President i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe Drejtor Ekzekutiv i Union Bank nënvizoi se “organet administrative duhet të ndërgjegjësohen se ka vend për përmrësime në marrëdhëniet me biznesin, dhe ankimi administrative është një mjet përfitues për të dyja palët sepse ndihmon administratën të kuptoj përse gjërat nuk ecin. Ndaj, këto organe duhet të përmirësojnë cilësinë e punës së tyre dhe synojnë stabilitetin institucional”. Më tej, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Z. Nikolin Jaka rekomandoi “forcimin e pavarësisë ligjore e institucionale të strukturave të apelimit dhe ngritjen e kapaciteteve të këtyre strukturave pranë çdo organi administrativ”. Më tej, Z. Jaka theksoi se vetë biznesi duhet të rrisë kapacitetet për të njohur më mirë proçedurat e ankimit administrativ. Ndërkohë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Këshill vunë theksin në domosdoshmërinë e zbatimit të rekomandimeve nga Qeveria Shqiptare, prioritizimin e tyre për të mundësuar zgjidhjen e shpejtë të problematikeve të biznesit dhe nevojën e monitorimit të vazhdueshëm nga Sekretariati të rekomandimeve të ofruara.

[1] Shoqëri tregtare sipas përcaktimeve të Ligjit Nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare” (i ndryshuar)

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)

Albanian Investment Council