Search
Close this search box.

Për lehtësimin e aksesit të sektorit privat në shërbime financiare inovatore

Tiranë, 14 qershor 2022 / Sekretariati i Këshillit të Investimeve merr pjesë në forumin “Digjitalizimi kundrejt parasë fizike” organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave – AAB, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të qeverisë, sektorit bankar, dhe të biznesit. Punimet e këtij forumi u fokusuan në trajtimin e kanaleve alternative të pagesave, uljen e parasë fizike dhe lufta ndaj informalitetit, si dhe qasjen e bankave në platformën e-Albania.
Në ndërhyrjen e saj, Drejtorja e Sekretariatit, znj. Diana Leka (Angoni), u shpreh se KI ka evidentuar rolin kryesor që luajnë bankat në uljen e parasë fizike në ekonomi dhe forcimin e kanaleve alternative të pagesave—prekur si çështje edhe në gjashtë mbledhje të KI në kuadrin e analizimit të informalitetit dhe inovacionit në sipërmarrje.
Më tej, znj. Leka vlerësoi angazhimin e sektorit bankar dhe qeverisë për masat e marra së fundmi në drejtim të lehtësimit të tregtisë elektronike, zbatimin e sistemit të kleringut për transfertat lokale dhe miratimin e pjesës më të madhe të legjislacionit sekondar të Ligjit 55/2020. Ndërkohë, theksoi se Shqipëria mbetet në pozicionet e fundit rajonale përsa i përket nivelit të përdorimit të POS, kartave të debitit dhe kreditit. Në analizat e Sekretariatit, specifikisht ato sektoriale (në turizëm, agro, BPO, etj.), bizneset (kryesisht NVM-të) ende nënvizojnë koston e lartë të shërbimeve bankare dhe shkallën e lartë të informalitetit.
Duke vlerësuar angazhimin e palëve për dixhitalizimin, znj. Leka (Angoni) rekomandoi të analizohet me maturi progresi i arritur sikurse edhe sfidat aktuale në koherencë me nivelin dhe kulturën e shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare. Mbi këtë reflektim, të hartohet një roadmap që të konsiderojë investimet e sektorit por edhe lehtësimin e aksesit të sektorit privat, veçanërisht të NVM-ve në shërbimet inovative dhe financim.