Search
Close this search box.

Për një Kontroll më të mirë Tatimor dhe Proçedura Falimentimi

Dy çështje të rëndësishme u diskutuan në Mbledhjen e Këshillit të Investimeve mbajtur më 5 tetor 2015 në ambjentet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes: Rekomandime në lidhje me përmirësimin e kontrollit tatimor sikurse edhe Projektligji i ri mbi Falimentimin. Të dyja këto çështje janë konsideruar nga shoqatat e biznesit si kritike dhe si faktorë të rëndësishëm ndikues në klimën e investimeve në Shqipëri.

Përpara Mbledhjes, Sekretariati kishte përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me shoqata biznesi sikurse edhe bazuar në rezultatet e anketimit që lançoi deri në mes të muajit shtator, një analizë mbi Kontrollin Tatimor me sugjerime dhe rekomandim për përmirësimin e kësaj çështje të ndjeshme për biznesin. Gjetjet dhe rekomandimet u mirëpritën nga anëtarët e Këshillit të Investimeve.

Kompanitë vlerësojnë masat domethënëse të ndërmarra së fundmi nga Qeveria, si Ligji i ri i TVSH-së dhe Kodi Doganor, sistemi i ri i Teknologjisë së Informacionit në tatime, përpjekjet në vazhdim për rimbursimin automatik të TVSH-së, përmirësimin e rregullave dhe proçedurave për rimbursimin e TVSH-së, përfshirjen e një proçedure të re risku për kontroll tatimor, etj. Sidoqoftë, ka ende shqetësime serioze në lidhje me qëndrueshmërinë dhe qartësinë e kuadrit ligjor, zbatimin e proçedurave tatimore, profesionalizmin e administratës tatimore, transparencën dhe informimin në kohë të tatimpaguesve ndaj ndryshimeve ligjore. Veçanërisht, mos konsultimi i këtyre ndryshimeve ligjore me sektorin privat, u theksua nga Z. Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Referencë u bë mos përfshirjes së biznesit në ndryshimin e fundit të Ligjit mbi Proçedurat Tatimore.

Ministri Ahmetaj përsëriti inkurajimin e tij ndaj anëtarëve të Këshillit, veçanërisht ndaj komunitetit të biznesit, për të konsideruar Këshillin e Investimeve si një platformë për paraqitjen e komenteve, sugjerimeve dhe shqetësimeve të tyre gjithashtu edhe në lidhje me paketën fiskale.

Një tjetër çështje e rëndësishme e axhendës ishte projektligji i ri mbi Falimentimin. Një prezantim mbi risitë e këtij projektligji u dha nga ekspertë të Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), të përfshirë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e këtij ligji. Projektligji u hartua si rezultat i një kërkesë të vazhdueshme nga biznesi dhe Këshilli i Investimeve inkurajon miratimin e këtij projektligji në Asamblenë Shqiptare në përputhje me planin e veprimit.

 

Këshilli i Investimeve është një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur qeverisjen e mirë. Puna e Këshillit mbështetet nga Sekretariati, një organ i pavarur me profesionistë të përzgjedhur dhe kontraktuar nga BERZH për t’u angazhuar drejtpërsëdrejti me komunitetin e biznesit. Financimi fillestar për Sekretariatin është ofruar nga Qeveria Italiane.