Përdorimi Efikas i Skemave Publike për Garantimin e Kredive Rrit Mundësinë e Financimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Shqipëri

27 Korrik, 2020

Tiranë, 27 korrik 2020 – Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në Shqipëri janë kontribuese të rëndësishme në ekonominë shqiptare, duke përfaqësuar 99.8 përqind të ndërmarrjeve aktive. Ata kanë punësuar 79.8 përqind të fuqisë punëtore dhe realizojnë rreth 69 përqind të vlerës së shtuar. Zakonisht ky sektor karakterizohet nga informaliteti i lartë (veçanërisht në bujqësi), disponueshmëria e kufizuar e kolateralit dhe nivelet e ulëta të kapacitetit financiar. Qasja e kufizuar tek financimet, veçanërisht tek kreditë bankare, përbën një sfidë për NMVM-të në Shqipëri.

Sot Këshilli i Investimeve në Shqipëri, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Banka Botërore organizuan një seminar të përbashkët virtual për të paraqitur gjetjet kryesore të Raportit të Bankës Botërore “Vlerësimi i Skemës për Garantimin e Kredisë në Shqipëri” si edhe për të diskutuar në lidhje me mënyrat e përmirësimit të qasjes së NMVM-ve tek financimet përmes këtyre skemave, duke i bërë ato më efikase dhe efektive.

Zëvendës Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Znj. Belinda Ikonomi bëri një përmbledhje të shkurtër të skemave të qeverisë aktuale për garantimin e kredisë (SGK). “Gjatë një cikli ekonomik në rënie të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit (COVID-19), e cila i ka përkeqësuar më tej nevojat për financim të NMVM-ve,” tha Znj. Belinda Ikonomi, Zëvendës Ministre e Financave dhe Ekonomisë, “skemat për Garantimin e Kredive treguan që ishin shumë efektive dhe të dobishme për NMVM-të. ”

Duke vlerësuar programet e shënjestruara të emergjencës për garantimin e kredisë të përgatitura nga qeveria në përgjigje të krizës së shkaktuar nga COVID-19, Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë tha që “Me kalimin e kohës do të ishte e rëndësishme që këto skema të shndërrohen në një Skemë të rregullt publike për Garantimin e Kredive për të favorizuar rimëkëmbjen ekonomike dhe për të adresuar hendekun e financimit për NMVM-të”.

Ekspertët e Bankës Botërore prezantuan rekomandimet kryesore të raportit të Vlerësimit të Skemave për Garantimin e Kredisë, duke theksuar se skemat e mirë-projektuara bëjnë të mundur financimin e klientëve të besueshëm, të cilëve do t’u ishte refuzuar kredia në mungesë të kolateralit të mjaftueshëm. SGK-të janë mjete të rëndësishme për të adresuar dështimet e tregut, të cilat i pengojnë ose i kufizojnë ndërmarrjet nga qasja tek kreditë. Përveç kësaj, ata ndanë me pjesëmarrësit edhe gjetjet e analizës më të fundit granulare të të dhënave të agreguara të Regjistrit të Kredive në Shqipëri në nivel kredie.

Sekretariati i Këshillit të Investimeve në Shqipëri prezantoi disa të dhëna lokale në lidhje me aksesin në financimi për bizneset shqiptare, bazuar në gjetjet e Anketës së zhvilluar nga ata gjatë përiudhës mars -maj 2020 në lidhje me ndikimin e Covid-19 tek biznesi. Sipas këtij studimi, NVM-të vazhdojnë t’i konsiderojnë bankat si opsion të tretë për mbështetje, pavarësisht përpjekjeve intensive të ndërmarra kohët e fundit.

Përfaqësuesit nga sektori privat e vlerësuan këtë moment si shumë të rëndësishëm dhe theksuan nevojën për transparencë dhe ndërgjegjësim më të lartë në lidhje me SGK-të ekzistuese në vend. Ata theksuan se përmirësimi i aksesit në financimpër NMVM-të në vend duhet të adresohet në mënyrë holistike dhe strategjike, duke adresuar njëkohësisht edhe ofertën dhe kërkesën.

Në këtë aktivitet virtual morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga sektori publik, bankat e zhvillimit/ institucionet financiare, partnerët për zhvillim, Programi Italo-Shqiptar për Financimin e SME-ve, si dhe përfaqësues të bankave lokale të nivelit të dytë dhe institucioneve mikrofinanciare.

Materialet e mbledhjes në anglisht:

 

*Ky është një njoftim i përbashkët për shtyp i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Këshillit të Investimeve të Shqipërisë dhe Bankës Botërore.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)