Prezantohet në Tiranë “Raporti i Tranzicionit 2017-2018” nga BERZH

Prill 11, 2018

Tiranë, 11 prill 2018 // Prezantohet “Raporti i Tranzicionit 2017-2018”, përgatitur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Një raport vjetor i BERZH mbi progresin e reformave dhe zhvillimin ekonomik në 37 vende nga Evropa Qëndrore deri në Azinë Qëndrore dhe Mesdheun Jug- Lindor. Të pranishëm në panel ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Drejtori i BERZH-it në Shqipëri, z. Matteo Colangeli, si dhe Zv/Drejtori i Sektorit për Çështjet dhe Politikat Ekonomike të Vendeve në BERZH, z. Peter Sanfey.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në prezantimin e këtij raporti theksoi se ka një vlerësim pozitiv mbi zhvillimet në rajon. Në raport, vlerësohet se investimi i TAP do të ketë efekte pozitive në infrastrukturën energjetike të vendit. Ndërkohë rritja e produktivitetit është ngadalësuar dhe një faktor i rëndësishëm që konsiderohet si një nga problemet më kryesore që duhet të shqetësojë rajonin tonë lidhet me dinamiken e bizneseve private, veçanërisht të vogla. Raporti rekomandon që duhet bërë më shumë për fuqizimin e tyre. 80 për qind e bizneseve në rajon janë të vogla dhe kanë peshë të rëndësishme për prodhimin e brendshëm bruto, punësimin etj. Por, ata kanë vështirësi të gjejnë financime dhe mbështetje me politika.

Raporti thekson faktin se për të mbështetur rritjen, vendet e rajonit të BERZH-it duhet të jenë në gjendje të përfundojnë tranzicionin e tyre në ekonomi me treg të qëndrueshëm dhe kjo nuk do të jetë e lehtë. Për këtë arsye, është i rëndësishëm forcimi i institucioneve, të mbështetet dinamika dhe inovacioni i kompanive, integrimi i këtyre kompanive në ekonominë globale dhe të investohet në infrastrukturën e qëndrueshme.

Z. Matteo Colangeli tha se BERZH ka mbështetur me financime sidomos sipërmarrjet. BERZH ka interes në financimin e sektorit të energjisë. “Do të mbështesim sipërmarrjen private në sektorin e turizmit. Agrobiznesi është gjithashtu me interes dhe ne jemi duke parë mundësi për financime”, u shpreh z. Colangeli.

Për më shumë, lexoni Transition Report 2017-18.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, BERZH dhe Nisma e Evropës Qendrore (CEI).