Search
Close this search box.

Vizioni i së ardhmes të jenë investimet që ndikojnë pozitivisht ekonominë

Intervistë me znj. Diana Leka, drejtore e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve (KIS)

Mungesa e fuqisë punëtore dhe sidomos largimi i punonjësve të trajnuar po ndikon negativisht në ekonomi dhe në shfrytëzimin e potencialit maksimal të saj.

Diana Leka, drejtore e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve (KIS), një platformë dialogu publik-privat, thotë se kjo situatë do të përshpejtojë orientimin e biznesit drejt automatizimit apo edhe konsolidimit të kërkimit të fuqisë punëtore në vende të reja, e cila sigurisht vjen me kostot e saj.

Ajo shton se në të ardhmen vizioni duhet të jetë në investimet që plotësojnë standardet ESG, pra që ndikojnë pozitivisht ekonominë, mjedisin, jetën e njerëzve.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin 2022?

Këto tre vite prioritizuan nevojën e kapaciteteve institucionale, por edhe të modeleve të biznesit, për të përballuar rreziqet/krizat që sjellin kosto të paparashikueshme, por edhe stimulojnë perspektiva të reja.

Kështu, sapo ekonomia filloi të dalë nga kriza sanitare, nisi kriza energjetike, pasojë e konfliktit Rusi – Ukrainë. Bazuar në shifrat zyrtare të INSTAT, ekonomia u rrit me 4.02% në tremujorin e tretë të 2022, krahasuar me një vit më parë.

Kontributi kryesor erdhi kryesisht nga tregtia, turizmi, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme; ndërsa kontribut negativ ka dhënë industria dhe energjia.

Inflacioni vazhdon të ndikojë në jetën e përditshme, duke sjellë pasojat negative të rritjes së përgjithshme të çmimeve në ekonomi, kryesisht në shportën e ushqimeve bazë dhe transport.

Ndërkohë, shifrat zyrtare të papunësisë tregojnë rënie të normës për moshat 15+ në 10,6% në tremujorin e tretë të vitit 2022.

Në 9-mujorin e parë të vitit 2022, Investimet e Huaja Direkte shënuan vlerën +984 milionë euro, ose +35%, krahasuar me +729 milionë euro në 9-mujorin e parë të vitit 2022.

Këtë periudhë, flukset valutore hyrëse në formën e Investimeve të Huaja Direkte ishin të përqendruara kryesisht në sektorin e aktiviteteve të pasurive të paluajtshme (në masën 18% të totalit), industrinë nxjerrëse (në masën 21%), energji (në masën 14%), si dhe industri përpunuese (në masën 12%).

Ndërkohë, ende, nuk kemi një Investitor të huaj në fushën e bujqësisë. Mbështetur nga turizmi dhe sektori i ndërtimit, ekonomia shqiptare ka mundur të ruajë trend pozitiv rritje gjatë vitit 2022.

Gjithashtu për sa u takon dinamikave ligjore dhe rregullatore në fushën e klimës së biznesit, të cilat janë monitoruar nga Sekretariati theksoj:

miratimin e legjislacionit sekondar në lidhje me zbatimin e ligjit “Për shërbimet e pagesave”, që u mundëson një grupi më të madh të institucioneve/agjentëve të licencuar përmirësimin e pagesave elektronike; miratimin e ligjit “Për mbrojtjen dhe zhvillimin e startup inovative” dhe alokimi i fondeve publike për të stimuluar startup-et; për të hedhur për konsultim publik.

Projektligji “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, i cili është transpozim i eIDAS Regulation; përmirësime ligjore në lidhje me stimulimin e investimeve në Agropërpunim (“Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, miratimi i ligjit “Për vreshtat dhe verën”, disa përmirësime në lidhje me mirëfunksionimin e platformës E-leje, lehtësimin e rimbursimit të TVSH (Mars 2022), disa ndërhyrje në drejtim të stimulimit të formalizimit nëpërmjet skemave kombëtare mbështetëse në bujqësi, krijimi i një inventari të pronave publike në bujqësi, apo përgatitja e draft-ligjit në drejtim të eficiencës së energjisë (në proces).
Vizion i qartë
Në këto kohë krizash unike, ridimensionohet roli i hartimit të një vizioni të qartë, qëndrueshmëria ndaj prioriteteve dhe buxhetimi në koherencë me to. Kriza sanitare konfirmoi se partneriteti dhe ndarja në kohë e informacionit dhe njohurive për zgjidhje sa më gjithëpërfshirëse dhe inovatore lehtësojnë kostot. Por ndryshimi i vazhdueshëm i legjislacionit, sidomos atij fiskal, krijon pasiguri dhe vazhdon të jetë një shqetësim i vazhdueshëm për biznesin.
Si e prisni ecurinë e ekonomisë së vendit në vitin 2023? Cilët janë faktorët që do të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht?

2023 është një vit elektoral, ndërkohë që bazuar në vlerësimet zyrtare, pritet të ngadalësojë rritjen ekonomike, e ndikuar edhe nga situata globale.

Sipas Ministrisë së Financave, rritja do të ngadalësohet në 2,6%. Banka Botërore, në vlerësimin e saj më të fundit, thekson se ekonomia shqiptare do të ngadalësojë ritmin e rritjes në 2,3% gjatë vitit 2023.

Ndërkohë, shitja e energjisë, si pasojë e rezervave hidrike të njoftuara, pritet të konfirmojë efektin në gjysmën e dytë të vitit 2023.

Zhvillimi i turizmit ka qenë një nxitës mjaft i rëndësishëm për ekonominë e vendit, i cili pritet të ndihmojë ekonominë edhe këtë vit, po besoj se më shumë vëmendje duhet dhënë te cilësia, standardi dhe qëndrueshmëria e ofertës për të konsoliduar rritjen dhe kontributin.

Projektet e mëdha infrastrukturore pritet të përshpejtojnë dhe përmirësojnë, në një kohë të shkurtër, ofertën turistike.

Ndërtimi dhe investimet në pasuritë e paluajtshme do të jenë tërheqës të rritjes ekonomike në vend, duke parë interesimin sidomos të të huajve në investimet në pasuritë e paluajtshme në vend.

Por vizioni i së ardhmes duhet të jetë në investimet që plotësojnë standardet ESG pra – ndikojnë pozitivisht ekonominë, mjedisin, jetën e njerëzve.

Investimet në energji, fotovoltaike dhe forma të tjera të energjisë së rinovueshme, do të ndikonin kostot e biznesit në afatmesëm, duke ndihmuar në rritje të eficiencës dhe konkurrueshmërisë.

Aktualisht Këshilli i Investimeve po punon me subjektet SME në këtë drejtim dhe në mbledhjen e tij të ardhshme do ta trajtojë këtë temë me më shumë detaje.

Gjatë punës suaj, cilat keni konstatuar si shqetësimet kryesore të biznesit dhe cilat janë rekomandimet tuaja për zgjidhjen e tyre?

Referuar punës së KI 2022, mungesa e fuqisë punëtore dhe sidomos largimi i punonjësve të trajnuar (mungesa e aftësive) do të vazhdojë të ndikojë negativisht në maksimizimin e potencialit të ekonomisë, por besoj se do të përshpejtojë orientimin e biznesit drejt automatizimit, apo edhe konsolidimit të kërkimit të fuqisë punëtore në vende të reja, e cila sigurisht vjen me kostot e saj.

Rritja e pagës minimale dhe asaj reale do ndikojë në ekuilibrat midis ofertës dhe kërkesës për punë në vend.

Ndërkohë, investimi në drejtim të edukimit, sistemeve të dixhitalizimit dhe menaxhimit të sistemeve të rrezikut apo qëndrueshmërisë do të ketë kosto fillimisht e do të stimulojë produktivitetin.

Këto kosto mund të lehtësohen edhe nga mbështetje që do të vijnë nga axhenda europiane e vendit.

Por këtu ka shumë punë që duhet bërë në drejtim të harmonizimit e informimit në kohë, eficiencës së absorbimit dhe rritjes së kapaciteteve institucionale të menaxhimit të fondeve apo shpronësimeve që mbeten probleme sistemike.

Shqipëria mbetet një vend me nivele tërheqëse të burimeve minerale dhe prodhim të energjisë së rinovueshme në Ballkan, por jo vetëm. Në këto kohë krizash unike, ridimensionohet roli i hartimit të një vizioni të qartë, qëndrueshmëria ndaj prioriteteve dhe buxhetimi në koherencë me to.

Kriza sanitare konfirmoi se partneriteti dhe ndarja në kohë e informacionit dhe njohurive për zgjidhje sa më gjithëpërfshirëse dhe inovatore lehtësojnë kostot. Por ndryshimi i vazhdueshëm i legjislacionit, sidomos atij fiskal, krijon pasiguri dhe vazhdon të jetë shqetësim i vazhdueshëm për biznesin.

Transparenca në përdorimin e fondeve publike dhe konsultimi cilësor paraprak i drafteve ligjore me grupet e interesit do të ndikojë ecurinë normale të aktivitetit të sektorit privat.

Me interes kanë qenë edhe zhvillimet e fundit në lidhje me projektligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat”. Ku, p.sh., shtyrja e diskutimit dëshmoi rëndësinë e procesit të konsultimit publik në mënyrë thelbësore dhe joformale, për akte kaq të rëndësishme.

Pavarësisht nga krizat, objektivi duhet të jetë të mundësohet një reformë afatgjatë dhe e qëndrueshme në fushën tatimore dhe atë të të ardhurave personale, karakteristika këto që nuk kanë qenë pika të forta të politikave tatimore dhe fiskale në vend në vitet e tranzicionit.

Në kushtet e hapjes së tregut (Ballkani i Hapur dhe më tej BE) sektorë të caktuar të ekonomisë, të tillë si industria përpunuese dhe bujqësia në veçanti do të kenë nevojë të menjëhershme për mbështetje buxhetore për të mundësuar konkurrimin në mënyrë të barabartë me vendet e rajonit dhe më gjerë.

Më specifikisht, në kuadrin e axhendës së gjelbër me fokus konkurrueshmërinë e SME-ve, hartimi i politikave lehtësuese në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe eficiencës së energjisë mbetet përparësi.

Ndaj, mbështetja buxhetore nuk duhet të kufizohet vetëm te segmenti i konsumatorëve familjarë (aktualisht për panele diellore për ngrohjen e ujit) por edhe mikroinvestimet në sektorin e energjive të rinovueshme (si p.sh. vetëprodhuesit), si dhe në sektorin e eficiencës së energjisë.

Plotësimi në kohë i legjislacionit sekondar në lidhje me metodologjitë e përcaktimit të çmimit të shitjes së energjisë nga vetëprodhuesit në tregun e parregulluar, skemës së matjes neto të energjisë elektrike, garantimit të parametrave të cilësisë të furnizimit me energji elektrike të paraprihen nga miratimi në kohë i treguesve të kritereve standarde, të cilësisë së shërbimit.
Drafti për tatimin mbi të ardhurat

Shtyrja e diskutimit dëshmoi rëndësinë e procesit të konsultimit publik në mënyrë thelbësore dhe joformale, për akte kaq të rëndësishme. Pavarësisht nga krizat, objektivi duhet të jetë të mundësohet një reformë afatgjatë dhe e qëndrueshme në fushën tatimore dhe atë të të ardhurave personale, karakteristika këto që nuk kanë qenë pika të forta të politikave tatimore dhe fiskale në vend në vitet e tranzicionit