Search
Close this search box.

Sekretariati diskuton klimën e investimeve me shoqata evropiane të biznesit

Të martën, 27 shtator 2016, Sekretariati i Këshillit të Investimeve mbajti një takim me rreth 20 shoqata evropiane, të cilat ishin pjesë e një vizite studimore mbi “Qeverisjen ekonomike dhe zbatimin e ligjit – përmirësimi i mjedisit të favorshëm për biznesin dhe mundësive”, organizuar në Shqipëri në datat 26-28 shtator 2016 nga Drejtoria e Përgjithshme e Politikave të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim e Komisionit Evropian (DG NEAR).
Shoqatat evropiane përfaqësuese në këtë vizitë studimore ofronin shërbime për bizneset evropiane në rrjetëzim (networking), trajnim profesional dhe sipërmarrje, të tilla si EUREKA, Aleanca Evropiane për Biznesin e Vogël, Rrjeti Evropian për Aftësitë Bazë, Platforma për Gratë Sipërmarrëse, Shoqata e Dhomave të Ballkanit, Instituti Evropian i Qeverisjes së Korporatave, Fondi Evropian i Integrimit & Konkurrueshmërisë Rajonale, Shoqata Evropiane për Trajnimin Profesional, Qendra e Evropës Jug-Lindore për Mësimdhënie të Sipërmarrjes, dhe Shoqata e Institucioneve për Trajnimin Profesional.
Tema e diskutimit ishin problematikat aktuale të klimës së investimeve në Shqipëri, mundësitë për investime dhe sektorët kyç të ekonomisë. Pas një prezantimi të shkurtër nga Drejtorja e Sekretariatit, Znj. Diana Leka, mbi platformën e Këshillit të Investimeve & Sekretariati, sikurse edhe mbi situatën e klimës së investimeve në Shqipëri, anëtarët e delegacionit patën mundësinë të shtronin pyetje për problematika specifike të biznesit, sektorët kryesorë konkurrues dhe potencialet për investime në Shqipëri.
Gjatë mbledhjes, ekspertët e Sekretariatit iu përgjigjen çështjeve të ngritura, në lidhje me incentivat aktuale të investimeve, rregullat dhe legjislacioni në fuqi të tilla si Ligji për Investimet Strategjike, i cili ul pengesat burokratike për sektorët strategjikë dhe investitorët. Pyetje të tjera të ngritura kishin lidhje me mundësitë dhe aftësitë e disponueshme në tregun e punës,  dhe instrumentet aktuale të trajnimit në vend. Gjithashtu u ngrit çështja në lidhje me projektet gati për investime (ready-to-invest) apo fizibile për tërheqjen e investitorëve në vend.