Search
Close this search box.

Sekretariati i Këshillit të Investimeve Konsulton me Ekspertë dhe Aktorë Gjetjet Paraprake “Mbi Stimulimin e Investimeve dhe Sigurinë Ligjore të Pronës”

Maj 17, 2019

TIRANË, 17 maj 2019 – Të premten, Sekretariati i Këshillit të Investimeve organizoi një mbledhje konsultuese në nivel teknik “Mbi Stimulimin e Investimeve dhe Sigurinë Juridike të Pronës”, me pjesëmarrjen e rreth 25 përfaqësuesve nga institucione shtetërore, kompani private, shoqata biznesi, dhoma të tregtisë, bashki, ekspertë, etj. Qëllimi i mbledhjes ishte diskutimi i gjetjeve paraprake dhe rekomandimeve të mundshme për ndërhyrje të hartuara në bashkëpunim të ngushtë me partnerë të ndryshëm biznesi. Qëllimi i punës së Sekretariatit ka qenë evidentimi i problematikave kryesore të investitorëve në lidhje me pronën dhe ofrimi i rekomandimeve përkatëse në koherencë me zhvillimin e sektorëve strategjikë, të tillë si bujqësia dhe turizmi.

Pavarësisht disa përmirësimeve në renditjen e raporteve ndërkombëtare, Shqipëria mbetet prapa në respektimin e të drejtave të pronës dhe regjistrimin e plotë dhe përfundimtar të pronës─dy sfida madhore me ndikim në mirëqeverisjen e vendit. Problematikat e investitorëve në lidhje me pronën janë evidentuar pothuasje në të gjitha tematikat e trajtuara në tryezën e Këshillit të Investimeve që prej vitit 2015.

Gjatë këtij takimi në nivel teknik, diskutimet u fokusuan kryesisht mbi prioritizimin e ndërhyrjeve përsa i përket regjistrimit të plotë të pronave shtetërore (të paktën të atyre në përdorim të institucioneve shtetërore) sikurse edhe në fushat prioritare të investimeve duke respektuar titujt e pronësisë, rëndësinë e komponentit shoqëror përsa i përket procesit të formalizimit, vendosjen e një standardi kombëtar për regjistrimin e pronës në përputhje me standardet e BE, eliminimin e mbivendosjes midis strategjive të ndryshme të përdorura për harmonizim dhe nevoja për përdorim të teknologjive moderne, unifikimin e institucioneve regjistruese, koordinimi midis institucioneve qendrore dhe bashkive si dhe zyrave të regjistrimit, dhënien e komenteve nga ana e biznesit në lidhje me draft ligjet “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë,” etj. Gjetjet dhe rekomandimet paraprake iu nënshtruan një debati konstruktiv midis pjesëmarrësve. Komentet dhe sugjerimet e ngritura do të reflektohen nga Sekretariati i KI në draftin përfundimtar të analizës për t’iu paraqitur anëtarëve të KI-së brenda javës së ardhshme.

Tema e të drejtave të pronësisë është pjesë e axhendës së KI-së për vitin 2019. Hapi i mëtejshëm është diskutimi i temës dhe rekomandimeve perkatese në tryezën e KI në fund të muajit Maj.