Search
Close this search box.

Sekretariati merr pjesë në Forumin e Shoqërisë Civile të Tiranës në kuadër të “Proçesit të Berlinit”

Tiranë, 27 prill (KI) – Sekretariati merr pjesë si panelist në Forumin e Shoqërisë Civile të Tiranës në kuadër të “Proçesit të Berlinit”, i cili u mbajt in Tiranë në datat 26-28 prill 2017, me mbështetjen e ERSTE Stiftung, Fondit Evropian për Ballkanin, Friedrich Ebert Stiftung, SOE Dialogue Southeast Europe, në bashkëpunim me Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI).

Në fjalimin e saj, në seancën “Mjedisi i Biznesit & Potenciali i Inovacionit”, Drejtorja e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, Znj Diana Leka u shpreh se “Politikat e mira dhe të “fokusuara” ndaj SME-ve  janë vendimtare nëse duam të sfidojme konkurrencën globale. Më konkretisht,  partnerët socialë, përmes dialogut, duhet të identifikojnë sfidat dhe të sugjerojnë zgjidhje rreth tregut të punës. Aktualisht, disa pengesa/sfida të rëndësishme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë Aksesi në Financim veçanërisht për mikro-bizneset, dhe menaxhimi i talenteve (grante, studime).”

Ndër të tjera, Znj Leka , përmendi se “Bizneset/startup-et,  kanë ide tepër të mira krijuese por për shembull nuk kanë informacion të mjaftueshëm mbi incentivat. Nëse dëshirojmë të përfitojmë më shumë investime kemi nevojë për një platformë bashkëpunimi midis disa aktorëve.” Drejtoresha e Sekretariatit përmendi se sipas një studim të kryer nga Sekretariati në lidhje me cilësinë e tregut të punës,  “aftësitë e avancuara” rezultuan si elementë kritikë për performancën apo konkurrueshmërinë e sektorit, ndërkohë që ka një mangësi në cilësinë e kurrikulave në nivele të caktuara të arsimit. Prandaj, rekomandohet të konsiderohet sa më shpejt integrimi i njohurive të reja “themeltare” në nivele të caktuara të arsimit me fokus në 1) aftësitë analitike (zgjidhje të problemeve), 2) gjuhët e huaja, 3) aftësitë kompjuterike, 4) aftësitë komunikuese. Si edhe  një bashkëpunim i ngushtë midis akademisë dhe biznesit. Më tej, ajo sugjeroi që në debatet e mëtejshme në vend të termit inovacion, të përdorej koncepti i ‘inovacionit gjithëpërfshirës’ (inclusive innovation).

Forumi i Shoqërisë Civile është një nismë e rëndësishme në kuadër të Proçesit të Berlinit, e cila bashkon mbi 100 pjesëmarrës nga vende të rajonit dhe Bashkimit Evropian me qëllim nxitjen e dialogut midis qytetarëve dhe vendimmarrësve, sikurse edhe rritjen e bashkëpunimit në mesin e organizatave të shoqërisë civile të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Forumi i Shoqërisë Civile Tiranë 2017 u bazua mbi arritjet e Forumit të Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor Vjenë 2015 dhe Forumeve të Shoqërive Civile në Beograd, Paris dhe Shkup në 2016. Aktiviteti kishte si qëllim të shërbente si një mbledhje paraprake për Samitin e Ballkanit Perëndimor 2017, i cili do të mbahet në korrik në Trieste, Itali. Kësaj here Forumi u ndërtua mbi çështje më të gjera të shoqërisë civile duke kontribuar në caktimin e axhendës Evropiane, në përgatitjen dhe diskutimin e propozimeve për politika, monitorimin e rezultateve dhe arritjeve të politikave, sikurse edhe në formulimin e mesazheve dhe rekomandimeve kryesore në lidhje me tematikat e Samitit të Triestes, të tilla si:

  • Reflektime mbi gjendjen aktuale dhe të ardhshme të Proçesit të Berlinit
  • Bashkëpunimi i brezit të ri
  • Zbatimi i ligjit/anti-korrupsioni
  • Mjedisi i biznesit dhe inovacioni (përfshirë roli i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) dhe platformat inovatore për bashkëpunim)
  • Çështje dypalëshe

Përfundimet dhe rekomandimet e forumit do t’i paraqiten drejtuesve të lartë të shteteve dhe qeverive që do të marrin pjesë në Samitin e Triestes më 12 korrik 2017. Ky takim shënon gjithashtu një hap shumë të rëndësishëm në forcimin e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor, përmes përfshirjes së tij në vendimmarrjen rajonale.

 

———————————————————

Forumi i Shoqërisë Civile i Ballkanit Perëndimor është i fokusuar në ngritjen e një platforme të qendrueshme me aktorë jo qeveritarë brenda të ashtuquajturit “Proçesi i Berlin” për nxitjen e debatit në mesin e vendimmarrësve për një Evropë më të madhe. Këto forume filluan si një nismë për njohjen e tyre si një segment i rëndësishëm ku qeveritë dhe politikanët në rajon të mund të ruajnë në vazhdimësi bashkëpunimin më të ngushtë me shoqërinë civile.

Forumi i Shoqërisë Civile i Ballkanit Perëndimor është një nismë e përbashkët e Fondit Evropian për Ballkanin, Fondacionit ERSTE dhe Friedrich Ebert Stiftung. Partneri shqiptar i Forumit të Shoqërisë Civile Tiranë 2017 është Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Taxi Reykjavik real estate saranda