Focus Group Meeting 'On Formalization and Competitiveness in Tourism' (28 September 2018)

Sekretariati organizon mbledhje konsultuese me aktorë kryesorë ‘Mbi Formalizimin dhe Konkurrueshmërinë në Turizëm’

Shtator 28, 2018

Në kuadër të mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Investimeve ‘Mbi Formalizimin dhe Konkurrueshmërinë në Turizëm,’ Sekretariati i KI ka organizuar mbledhje konsultuese me përfaqësues të pushtetit qendror/vendor, shoqata turizmi, dhoma të tregtisë, etj. Në korrik 2018, një anketë u lançua nga Sekretariati me fokus ‘Informaliteti dhe Konkurrueshmëria në Sektorin e Turizmit,’ duke prekur aspekte që kanë të bëjnë me i) administrimin fiskal si p.sh. shpeshtësia e kontrolleve tatimore, aftësitë profesionale të inspektorëve, etj., ii) perceptimi i biznesit mbi informalitetin në sektor, iii) çështje të tjera në lidhje me klimën e biznesit dhe investimeve në vend.

Tryeza të rrumbullakëta u organizuan në konsultim të ngushtë me dhomat e tregtisë dhe industrisë, përkatësisht në Durrës (5 shtator), Gjirokastër (7 shtator) dhe Korçë (12 shtator), me pjesëmarrjen e gjithsej 65 përfaqësuesve. Konsultime individuale u mbajtën me shoqata të turizmit si dhe biznese nga Shkodra, Vlora dhe Tirana. Qëllimi i këtyre mbledhjeve ishte prezantimi i gjetjeve paraprake të Anketës, duke vënë në pah gjetje sipas rretheve përkatëse me fokus informalitetin në sektorin e turizmit, gjetje të evidentuara nga Sekretariati që prej vitit 2015 (mbi sektorin e turizmit) dhe për të diskutuar gjetje dhe rekomandime të mundshme.

Gjatë këtyre takimeve konsultuese, aktorët e biznesit konfirmuan një rritje të kërkesës dhe kapaciteteve për akomodim, veçanërisht gjatë sezonit të fundit turistik. Disa nga shqetësimet kryesore përcjellë nga biznesi kanë të bëjnë me konkurrencën e pandershme, mungesën e cilësisë në burimet njerëzore për të përballuar numrin në rritje të vizitorëve, pengesat në aksesin në financim, nevojën për më shumë infrastrukturë publike etj.

Pas konsultimit me aktorë kryesorë, bazuar në metodologjinë e punës së KI, Sekretariati organizoi një mbledhje në nivel teknik (28 shtator) për të diskutuar më tej dhe për të konsoliduar gjetjet paraprake të anketës, analizën kërkimore dhe konsultimin e drejtpërdrejtë me biznesin. Në mbledhje morën pjesë rreth 20 përfaqësues nga Ministria e Turizmit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Apelimit Tatimor, Shoqata Shqiptare e Turoperatoreve & Agjencive Turistike (ATOA), Shoqata e ‘Restorantet Turistike Shqiptare’, Dhoma e Tregtisë Tiranë, DIHA, AmCham, Advantage Austria, Dhoma Franceze në Shqipëri, ATTSO, GIZ, USAID, Nordic Association Albania (e cila informoi zyrtarisht se ‘Thomas Cook Northern Europe’ lançon Shqipërinë si një destinacion të ri për stinën e verës 2019), etj. Pas prezantimit të Sekretariatit, pjesëmarrësit parashtruan komente mbi gjetjet dhe diskutuan më tej ndikimin e iniciativave fiskale për sektorin në punësim, impaktin e tyre në investime sipas madhësisë së biznesit, roli i infrastrukturës publike, informaliteti kundrejt www.booking.com/Airbnb etj. si një pengesë kryesore për konkurrueshmërinë e sektorit.

Të gjitha komentet dhe sugjerimet konstruktive të nxjerra nga ky proces konsultimi, do të përpunohen dhe reflektohen në analizën e konsoliduar të Sekretariatit, e cila do të prezantohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Investimeve (tetor 2018). Pas miratimit nga KI, paketa e plotë e dokumenteve do të publikohet në faqen e internetit të KI në vijim të mbledhjes përkatëse të KI.

Tryezë organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Dhomën e Tregtisë Durrës (5 shtator 2018)
Tryezë organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Dhomën e Tregtisë Gjirokastër (7 shtator 2018)
Tryezë me biznesin në Korçë (12 shtator 2018)

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)