Search
Close this search box.

Tryezë konsultimi me biznese mbi strategjinë e rimbursimit të TVSH-së dhe Informalitetin në 2019

Prill 10, 2019

Tiranë, Mërkurë, 10 prill 2019 / Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Sekretariatin e Këshillit të Investimeve zhvilloi një tryezë konsultimi me rreth 20 biznese nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj. Tryeza kishte si qëllim bashkëbisedimin me subjektet grumbullues, fason dhe eksportues në lidhje me strategjinë e rimbursimit të TVSH-së për 2019 dhe luftën kundër informalitetit. Në takim morën pjesë edhe Zv/Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Elton Haxhi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z. Enton Duro.

Mesazhet kryesore të Ministres Denaj për të pranishmit u fokusuan në 3 shtylla kryesore:

  • MFE ka detajuar një plan për shlyerjen e detyrimeve në një plan 3 mujor (deri në qershor) për kategoritë fason, grumbullues dhe eksportues sipas parimit First-In, First-Out (FIFO);
  • Informaliteti është një faktor që ka kushtëzuar kohë pas kohe buxhetin në vend dhe për këtë kërkohet dhe ndërgjegjësimi më i madh i komunitetit të biznesit jo vetëm për të adresuar këtë problematikë, por edhe për të hapur debatin në lidhje me modelet e përshtatshme ekonomike që garantojnë rritjen ekonomike dhe mospërsëritjen e cikleve të tilla;
  • MFE së bashku me DPT do të konsiderojnë si prioritet subjektet grumbullues, fason dhe eksportues, dhe do të fokusojnë përpjekjet e tyre në ndërgjegjësimin e biznesit, ndërkohë kanë planifikuar reformimin e administratës tatimore dhe veçanërisht të hetimit tatimor.

Nga ana e tyre, bizneset falenderuan për formatin dhe mundësinë për takim dhe diskutuan mbi domosdoshmërinë për rimbursimin në kohë të TVSH-së për të mos krijuar ngërçe tek kompanitë në kryerjen e pagesave të tjera; për sektorin e fasonëve të konsiderohet  kompensimi i TAP dhe kompensimi i sigurimeve shoqërore në rast vonese të rimbursimit të TVSH-së, impakti i zhvlerësimit të monedhës euro; nevoja e industrisë së bimëve aromatike dhe medicinale për t’u ripërfshirë në skemat kombëtare dhe ndërkombëtare të financimit (si p.sh. IPARD Like, IPARD 2, AZHBR); disa opsione mbi taksimin dhe nivelin e rrogave të sektorit; nevoja për më shumë subvencionime nga shteti, etj. Gjithashtu, bizneset u shprehën mbi probleme të tjera jo të aspektit fiskal, si p.sh. pagesat e shumta të tarifave shtesë si trajnimi i stafit, leja mjedisore, analiza e ujit të pijshëm, sistemi elektrik, etj.

Në lidhje me anti-informalitetin, bizneset u shprehën se biznesi i ndershëm është aleati më i mirë i qeverisë. Ato ngritën kërkesën për krijimin e një grupi pune, ndoshta nëpërmjet Sekretariatit të KI apo Ministrisë, në mënyrë që çështjet të ngrihen nga biznesi në mënyrë të strukturuar sektoriale.

Ministrja Denaj konfirmoi se problematikat dhe propozimet e kësaj tryezë do t’i përcilleshin instancave dhe ekspertëve përkatës. Partnerë të ndryshëm zhvillimi kanë shprehur gatishmërinë dhe po mbështesin MFE për të ndërmarrë një diagnostikim të politikave fiskale, ku do të shihet impakti që ka patur çdo politikë fiskale (për t’u përfunduar deri në fund të qershor 2019). Mbështetja e sektorit fason dhe  grumbulluesve është një prioritet i qeverisë shqiptare. Qeveria po merr masa për të përmirësuar procesin e rimbursimit në kohë të TVSH-së, ndërsa pritet që deri në fund të 2019/max. 2 muajt e parë të 2020, qeveria do të lehtësojë mjaft situatën për çdo kërkues tjetër rimbursimi. Ministrja Denaj fton bizneset që për problematika të ndryshme të adresohen pranë Sekretariatit të Këshillit të Investimeve ose drejtpërdrejtë tek ajo.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z. Enton Duro, shprehu gatishmërinë e institucionit që ai drejton për të adresuar me përpikmëri çdo problem që do t’i drejtohet këtij institucioni dhe i kërkoi subjekteve të shprehnin hapur çdo problematikë që ato hasin.

Sekretariati i KI informoi se tryeza organizohet në kuadrin e  monitorimit të problematikave të biznesit të ndjekura nga KI që nga 2015 (inspektimi tatimor, rimbursimi i TVSH-së dhe informaliteti). Nga anketa e klimës së investimeve për 2018 (me 350 kompani) vërehet një ulje e perceptimit të bizneseve (krahasuar me 2015-2017) mbi informalitetin, nevoja e hartimit të strategjive të formalizimit si në nivel subjektesh ashtu edhe në nivel sektori p.sh. subjektet  në turizëm konfirmojnë që “informaliteti sjell informaliteti”. Gjithashtu, ky takim i paraprin procesit të ngritjes së grupeve të punës që do të ngrihen në KI, për të konsideruar në mënyrë specifike problematika sistemike të biznesit, që janë trajtuar  në vijimësi edhe nga Këshilli i Investimeve.

 

Tashmë, Këshilli i Investimeve ka një përvojë 4 vjeçare në konsultimin e drejtëpërdrejtë të problematikave kryesore të biznesit si nëpërmjet konsultimeve individuale me kompani dhe institucione publike (qendrore apo vendore) ashtu edhe nëpërmjet anketave vjetore që kryen për të matur ecurinë e disa faktorëve të rëndësishëm të të bërit biznes (administrata tatimore, rimbursimi i TVSH-së, informaliteti).