BERZH nis vlerësimin për të përmirësuar kuadrin ligjor për ristrukturimin e bizneseve pas pandemisë

1 Shtator, 2020
Vlerësim mbi Falimentimin dhe Ristrukturimin e Biznesit

 

  • Në vendet ku operon BERZH, shumë biznese të prekura nga pandemia do të kenë nevojë për mbështetje për ristrukturim
  • Vlerësimi i legjislacionit kombëtar do të ndihmojë në adresimin e mangësive në kuadrin e falimentimit
  • Pyetësori do të jetë online për konsultim publik deri më 31 Tetor 2020 në www.ebrd-restructuring.com

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka nisur sot një vlerësim mbi instrumentet e ristrukturimit të biznesit në të 38 ekonomitë ku operon. Vlerësimi synon të ofrojë udhëzime të hollësishme mbi mangësitë legjislative për të adresuar një rritje të pritshme të bizneseve që do të kenë nevojë të përdorin procedura formale të ristrukturimit pas pandemisë së koronavirusit. Vlerësimi synon të ofrojë një përmbledhje të opsioneve ligjore para falimentimit dhe gjatë falimentimit në të gjitha këto ekonomi.

Duke pasur parasysh shkallën globale të krizës së koronavirusit, shumë biznese në mbarë botën kanë përjetuar një ndërprerje në aktivitetin ekonomik. Shumë biznese do të duhet të ristrukturohen si në mënyrë operative ashtu edhe financiare, ndërsa të tjerët mund të pushojnë aktivitetin. Vlerësimi në fjalë do të rishikojë legjislacionin ekzistues kombëtar në të gjitha ekonomitë, për të vlerësuar gatishmërinë dhe efektivitetin e sistemeve të falimentimit të vendeve si dhe për të identifikuar pikat e forta dhe të dobëta, duke marrë parasysh pikëpamjet e palëve të interesuara dhe profesionistëve.

Vlerësimi menaxhohet nga Departamenti i “Legal Transition” pranë BERZH-it, i cili mbështet reformën ligjore dhe institucionale në një numër fushash tregtare, përfshirë falimentimin.

Nisma e BERZH-it mbështetet nga Organizata Ndërkombëtare për Zhvillimin e Drejtësisë (IDLO), Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Mbështetjen e Reformës Strukturore (Reforma DG), INSOL Europe dhe INSOL International. BERZH po punon gjithashtu ngushtë me Këshillat e Investimeve, të cilat janë themeluar me angazhimin e BERZH-it në Shqipëri, Armeni, Bjellorusi, Gjeorgji, Kosovë, Republikën e Kirgistanit, Moldavi, Taxhikistan, Tunizi, Ukrainë dhe Uzbekistan, për të informuar sa më shumë palë të interesuara dhe për të siguruar që diskutimet midis sektorit publik dhe privat në lidhje me këtë vlerësim janë plotësisht të koordinuara në rang kombëtar.

Këshilli i Investimeve në Shqipëri po mbështet këtë vlerësim dhe avokon plotësimin e tij nga profesionistë, konsulentë ligjorë, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe aktorë të tjerë, kontributi i të cilëve është i tepër i rëndësishëm për suksesin e këtij vlerësimi. Që prej vitit 2015, falimentimi ka qenë një nga fushat e punës së Sekretariatit, ku dhe është përfshirë në konsultimin e ligjin “Mbi Falimentin” (Mbledhja II e KI).

Rezultatet e përgjithshme të vlerësimit, përfshirë raportin përmbledhës të gjetjeve do të publikohen online në vijim.

Për më shumë informacion, www.ebrd.com/news

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)