Search
Close this search box.

Këshilli i Investimeve diskuton Draft Strategjinë e Re të Nxitjes së Investimeve dhe Biznesit 2021-2027

Qershor 21, 2021

Tiranë, 21 qershor 2021 / Kryesuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi një mbledhje plenare për të diskutuar draftin e Strategjisë së re të Nxitjes së Investimeve dhe Biznesit 2021-2027 (BIDS). Në mbledhje morën pjesë anëtarë të KI, përfaqësues të tjerë nga sektori publik dhe privat si edhe nga agjencitë për zhvillim.

Ministrja Denaj deklaroi në fjalën e saj se dy objektivat kryesore të strategjisë janë rimëkëmbja nga pandemia Covid-19 dhe integrimi dhe bashkëpunimi rajonal. Vizioni i strategjisë është për një ekonomi shqiptare që është konkurruese, e nxitur nga inovacioni dhe e bazuar në njohuri, e cila krijon vende të reja pune me cilësi të lartë duke shfrytëzuar mundësitë e ofruara nga tranzicioni dixhital dhe transformimi i zinxhirit të vlerave ndërkombëtare. Ministrja parashtroi tre objektivat specifike për arritjen e këtij qëllimi: tërheqja e investimeve dhe ndërkombëtarizimin, zhvillimi i bizneseve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.

Ndër të tjera, anëtarët dhe partnerët e KI sugjeruan më shumë transparencë në planet për investime në infrastrukturën publike dhe për sektorët e stimuluar me qëllim zbutjen e kostos së investimeve të reja, rishikimin e strukturës së AIDA-s për të zgjeruar kompetencat e saj në rajon, përfshirjen e të dhënave të përditësuara deri në vitin 2020 (veçanërisht përsa i përket strukturës së NVM-ve), analizë më të mirë të modelit Triple Helix për ta përmirësuar atë për periudhën e ardhshme 7-vjeçare, nevojën për të zgjeruar rolin e IPMG në fushën e investimeve dhe konkurrencës për të ndihmuar zbatimin e BIDS, detajim se si mund të arrihet aksesi në financim, rritje të buxhetit për zbatimin e strategjisë, rritje të vëmendjes për uljen e pabarazisë arsimore midis rretheve për shfrytëzimin e forcës së punës së papërdorur në mbarë vendin, etj.

Gjatë prezantimit të tij, Sekretariati ngriti për shqyrtim disa sugjerime për përmirësimin e BIDS për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë përmes përmirësimit të koordinimit ndërinstitucional, rritje të vëmendjes ndaj qeverisjes korporative të NVM-ve, promovim më të mirë të koncepteve të transformimit dixhital dhe të ekonomisë së gjelbërt për të ndihmuar NVM-të të zvogëlojnë kostot gjatë investimit në inovacion, rritje të harmonizimit midis strategjisë së re dhe veprimeve të mëparshme ligjore dhe rregullatore, rritje të vëmendjes për tërheqjen e investitorëve seriozë, etj.

Në fund të diskutimeve, Ministrja Denaj tha se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e hapur për të mbledhur komente në lidhje me instrumentet e parashikuara në strategji dhe shprehu gatishmërinë për të shtyrë me 1 javë dorëzimin e komenteve për BIDS (deri më 2 korrik 2021).

Materialet e plota të këtij takimi do të publikohen në javët e ardhshme, në seksionin tonë të dedikuar https://www.investment.com.al/sq/mbledhjet-e-keshillit-te-investimeve/.