Këshilli i Investimeve diskuton rekomandime për të nxitur zhvillimin e kompanive inovatore drejt një të ardhmeje dixhitale

23 Mars, 2021
Koha për të reaguar shpejt pasi jo të gjithë mund të shkojnë “shpejtë dixhital”?

Tiranë, 23 mars 2021 / Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi një mbledhje plenare për të diskutuar sfidat dhe rekomandimet kryesore për nxitjen e inovacionit në sipërmarrjen shqiptare, me një fokus në qeverisjen e ekosistemit, bashkëpunimin në kontekstin e “quadruple helix”, aksesin në financim dhe incentivimin e ekonomisë dixhitale. Mbledhja u drejtua nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, me pjesemarrjen e anëtarëve të KI, si dhe përfaqësuesve të tjerë nga sektori publik dhe privat, agjencive për zhvillim, si dhe akademisë.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Denaj nënvizoi se viti 2020 ka dëshmuar më shumë se kurrë rëndësinë e një dialogu të ndërtuar mbi baza të shëndosha mes institucioneve dhe sektorit privat. Ministrja shprehu angazhimin e qeverisë që gjatë viteve të fundit ka qënë në disa dimensione, duke siguruar mbështetjen përmes politikave fiskale për sektorin me një tatim mbi fitimin të reduktuar në 5% dhe angazhimin edhe në kuadër të Programit të Reformave Ekonomike 2021 -2023 me hapa dhe buxhetim për sektorin. Gjatë vitit 2021, ministrja renditi planet konkrete në këtë drejtim si,  zbatimi i strategjisë së broadband, prezantimi i integrimit të incentivave për inovacionin në fondet e AZHBR, përgatitjen e strategjisë së re të  zhvillimit të investimeve dhe bizneseve; si dhe hapin e fundit  për miratimin e Ligjit për Startup-et Inovative.

Duke pranuar sfidat që hasen veçanërisht nga NVM-të, pjesëmarrësit ngritën rekomandime konkrete në lidhje me përshpejtimin e veprimeve drejt konsolidimit të ekosistemit të inovacionit, rritjen e aksesit në financim, ndërtimin dhe fuqizimin e ekosistemit me kapital dhe mekanizma investimesh përmes engjëjve të biznesit, kapitaleve të sipërmarrjes dhe fondeve të investimit në kapital. Disa rekomandime kryesore të propozuara kishin të bënin me specifikat e inovacionit në sektorin e industrisë dhe madhësisë përkatëse të ndihmës, transferimin në vend të teknologjive të reja të aplikuara jashtë vendit, ofrimin e politikave fiskale stimuluese për nxitjen e buxhetimit të K&ZH brenda kompanive, trajnimin e menaxherëve në mentalitetin e tyre të të bërit biznes, opsionet për bashkëpunim më të mirë midis biznesit dhe akademisë, përmirësimin e ekosistemit të fondeve të investimeve (për kompani start-up, teknologji, etj.) me qasjen e duhur në financim dhe njohuri teknike, kthimin e trurit në vend, përfundimin e zbatimit të reformës në drejtësi për të siguruar besimin e investitorëve, bashkimin e të gjithë qendrave ekzistuese të inovacionit në një platformë, etj.

Këshilli i Investimeve zhvilloi një studim gjatë periudhës shkurt-mars 2021, ku përveç të dhënave dhe informacioneve të mbledhura gjatë konsultimeve me përfaqësues të rëndësishëm të ekosistemit të inovacionit, përfshiu edhe gjetjet e një ankete të ndërmarrë me 75 biznese me fokus sfidat e ekosistemit, të inovacionit në sipërmarrje dhe aksesit në financim. Sipas këtij studimi, kompanitë (72%) deklarojnë se i kushtojnë vëmendje të lartë zhvillimit dhe futjes së inovacionit në kompanitë e tyre dhe se (86%) janë për bashkëpunim me sektorin akademik duke e konsideruar mesatarisht të nevojshëm ose shumë të nevojshëm.

Pas kësaj mbledhje, rekomandimet e konsoliduara do të përpunohen nga Sekretariati dhe më vonë do t’i dorëzohen institucioneve përkatëse për shqyrtim dhe ndjekje. Materialet e plota kësaj mbledhje do të publikohen në javët e ardhshme, në seksionin tonë të dedikuar https://www.investment.com.al/sq/mbledhjet-e-keshillit-te-investimeve/.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)

Albanian Investment Council