Këshilli i Investimeve diskuton sfidat dhe rekomandimet për shfrytëzimin e potencialeve për investim në sektorin e agro-përpunimit

10 Nëntor, 2020

Cilat ndërhyrje (qeveri-biznes-donator) janë të nevojshme në nivelin sektorial për të shpejtuar NVM-të agro-përpunuese për të zgjeruar investimet aktuale dhe/ose të reja?

 

Tiranë, 10 nëntor 2020 / Të martën, Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi një mbledhje plenare për të diskutuar sfidat kryesore dhe disa rekomandime për promovimin e investimeve në fushën e agro-përpunimit, me fokus të veçantë: perimet, frutat, arrat dhe bimët mjekësore dhe aromatike (MAP)—me qëllim rritjen e vlerës së tyre të shtuar bruto në vend. Mbledhja u drejtua nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, me pjesëmarrjen e pothuajse të gjithë anëtarëve të KI, ndërsa shumë përfaqësues të tjerë nga sektori publik dhe privat morën pjesë në rolin e vëzhguesit.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj dha një përmbledhje të veprimeve dhe vizionit të qeverisë për të promovuar zhvillimin dhe rritjen e prodhimit bujqësor, duke synuar përmirësimin e sektorit në konkurrencën rajonale, si dhe harmonizimin e politikave dhe mjedisit institucional me acquis të BE-së. Ministrja Denaj vuri në dukje se kriza e koronavirusit ka nxjerrë në dukje brishtësinë e zinxhirit modern të furnizimit, prandaj diversifikimi i burimeve të furnizimit dhe dixhitalizimi do të jenë dy hapa thelbësore për ndërtimin e zinxhirëve më të fortë dhe më të mençur të furnizimit, për të siguruar një rimëkëmbje të qëndrueshme të ekonomisë së vendit. Ky moment mund të përdoret gjithashtu si një mundësi për të transformuar dhe ri-dimensionuar sektorin e agro-përpunimit në mënyrë qe të përfitohet nga potenciali i tij në vend.

Përfaqësuesit e biznesit u shprehën se ka një interes në rritje për investime të reja në sektorin e agro-përpunimit. Megjithëse sektori është zgjeruar mjaft dhe ka përfituar mbështetje nga politikat qeveritare, ata pranuan se ende nevojiten më shumë përpjekje për të adresuar disa çështje, të tilla si certifikatat fitosanitare, certifikimi i laboratorëve, informaliteti i sektorit, si dhe cilësia dhe certifikimi i produkteve.

Disa rekomandime kryesore të diskutuara gjatë kësaj mbledhje:

  • Ofrimi i incentivave për konsolidimin e fermave/kooperativave për të rritur ekonominë e shkallës dhe konkurrencën e prodhimit primar;
  • Orientimi i prodhimit primar të nevojshëm për industrinë e agro-përpunimit sipas 4 produkteve potenciale të zgjedhura;
  • Mbështetje për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e eksporteve shqiptare në BE dhe tregje të tjera me vlerë të lartë nëpërmjet masave specifike ndër-sektoriale;
  • Diversifikimi i skemave mbështetëse të granteve dhe produkteve bankare, sa i përket nën-sektorëve të bujqësisë;
  • Investimi në zvogëlimin e mospërputhjes së aftësive – përmes arsimit profesional bujqësor, etj.

Në kuadër të kësaj mbledhje, u përgatit dhe u prezantua një studim teknik, i cili përfshin gjithashtu edhe 4 profile investimesh dhe karta teknologjike për t’u përdorur si pikë referimi për tërheqjen e investimeve. Përveç hulumtimit të raporteve, analiza përfshin gjetjet e një pyetësori kryer posaçërisht me 42 kompani agro-përpunuese, si dhe informacione dhe të dhëna në lidhje me aksesin në financim për sektorin të ofruara nga 8 banka të nivelit të dytë. Studimi pason punën tashmë të iniciuar në grupin e punës midis MFE dhe MBZHR—ngritur për të vlerësuar potencialin për investime në sektorin e agro-përpunimit, veçanërisht nën këndvështrimin e biznesit.

Materialet e kësaj mbledhje do të publikohen në javët e ardhshme, në seksionin tonë të dedikuar https://www.investment.com.al/sq/mbledhjet-e-keshillit-te-investimeve/.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)