Search
Close this search box.

Këshilli Investimeve diskuton mbi Lehtësimin e Proçedurave Doganore

Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi më 9 Maj mbledhjen e tij të radhës drejtuar nga Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes,  Znj Milva Ekonomi. Në fokus të mbledhjes ishte lehtësimi  i procedurave doganore, me synim rritjen e konkurrueshmërisë dhe stimulimin e eksporteve shqiptare. Të pranishëm në mbledhje ishin rreth 20 përfaqësues të shoqatave të biznesit vendas dhe të huaj si ICC Albania, Dhoma e Tregtisë Durrës, DIHA, Shteti Web, Zyra Ekonomike e Ambasadës Greke, Ambasadës Zviceriane,  etj.

Në fjalën e saj, Ministrja Ekonomi evidentoi  përmirësimet e ndjeshme të kryera në vitet e fundit, veçanërisht me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Doganor dhe kërkoi që kodi i ri doganor dhe mundësitë që ai ofron të kthehen në një instrument i cili të ndihmojë realisht kompanitë shqiptare.

Në fillim të vitit 2015, në doganën e portit të Durrësit, u vendos kanali jeshil. Koha e matur lëvizi nga 3 orë që ishte përpara vendosjes së kanalit jeshil në 10 minuta sot. Kjo do të thotë më shumë kohë e më pak shpenzim për biznesin, natyrisht dhe arritje më e shpejtë e tregut destinacion,”- tha Ministrja në fjalën e saj. Qeveria shqiptare dhe administrata doganore kanë ndërmarrë në vitet e fundit një sërë nismash për të ofruar procedura të thjeshtuara si, sistemi i përbashkët i tranzitit me Kosovën, autorizimi për zhdoganim lokal, zgjatjen e afatit të magazinimit të përkohshëm në 90 ditë, prezantimi i operatorit ekonomik të autorizuar, etj.

Sekretariati prezantoi gjetjet kryesore të konsultuara me grupet e biznesit,  të fokusuara në katër shtylla kryesore:

  • Përgatitja në kohë e legjislacionit sekondar doganor referuar hyrjes në fuqi të Kodit të Ri Doganor në 1 Qershor 2017 dhe konsultimi me biznesin, si një praktikë e mirë për nxitjen e partneritetit;
  • Cmimet e referencës, argumentimi, dokumentimi i qartë dhe gjurmimi në sistemin e brendshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të mënyrave të llogaritjes së vlerës doganore (rishikim të akteve/udhëzimeve të brendshme), përditësim të listës së çmimeve të referencës;
  • Nevoja për ndërgjegjësim për biznesin për të kërkuar nga administrata doganore informacion të klasifikimit tarifor të detyrueshëm, kthim përgjigje bizneseve për rezultatet e laboratorit të doganës mbi klasifikimin tarifor.
  • Institucionalizimi i bashkëpunimit dhe konsultimit me biznesin: komunikimi online i informacionit dhe marrjes së autorizimeve të ndryshme të biznesit si në dogana dhe në institucione të tjera të lidhura, tatime, AKU, etj. Përshpejtimi i finalizimit të projektit “single window” në dogana për të lehtësuar më tej koordinimin ndër-institucional.

Anëtarët e Këshillit dëgjuan gjetjet e raportit të përgatitur nga Sekretariati i KI, dhe më tej debatet kryesore nga biznesi u fokusuan në miratimin në kohë të dispozitave zbatuese i legjislacionit sekondar që lidhet me Kodin e Ri Doganor që hyn në fuqi në Qershor 2017 dhe konsultimi i gjerë me biznesin,  kosto e skanimit të kontenierëve për deklaratë dhe jo për kontenier, monitorimi i çmimeve të faturave të shitjes në import, rëndësia e kontrollit dhe dallimit të produkteve të përdorura me ato të reja, si edhe bashkëpunim më të fortë midis DPD dhe AKU, si psh. në lidhje me çertifikatat e produkteve.

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Znj Belinda Ikonomi informoi se synimi i DPD  është që nga viti 2018 të kalohet në një doganë paperless (pa dokumente), dhe deklarimi online pritet të eliminojë shumë probleme ekzistuese. Në portalin e-dogana, biznesi do të ketë informacion lidhur me tarifën, vlerësimet, klasifikimet, dhe si projekt pritet të jetë funksional rreth 6-mujorit të dytë të 2017. Ndërkohë, Drejtori i Zyrës së BERZH-it në Shqipëri, Z. Matteo Colangeli, informoi që BERZH po asiston në ndërtimin e një helpdesk në fushën e taksave për të informuar bizneset mbi rregullat tatimore, dhe shprehu gadishmërinë për të asistuar administratën doganore në instrumente që do të mundësonin rritjen e informimit të operatorëve ekonomikë.

Sekretariati e ka bazuar analizën në ankesat e bizneseve të depozituara në Sekretariat gjatë periudhës 2015 – 2016 (rreth 30 ankesa). Më tej një pyetësor i hapur u hodh online  dhe u plotësua nga 23 kompani. U zhvilluan rreth 25 takime me biznese, importuese dhe eksportuese dhe në rrethe, kompani konsulence, administratën doganore, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Ekonomisë. Ndërsa më 20 Prill u zhvillua një takim konsultimi me ekspertë të fushës nga administrata doganore, tatimore dhe biznese për të diskutuar paraprakisht rekomandimet më të mundshme dhe të rëndësishme për t’u prezantuar në KI.

Materialet e Mbledhjes X – Mbi Lehtësimin e Proçedurave Doganore