Search
Close this search box.

Këshilli Investimeve mbi disponueshmërinë dhe cilësinë e fuqisë punëtore

Tiranë, 26 tetor 2022 / Nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi një mbledhje plenare për të diskutuar shqetësimet e sektorit privat mbi disponueshmërinë dhe cilësinë e fuqisë punëtore në vend. Në mbledhje morën pjesë shumica e anëtarëve të KI-së dhe rreth 40 vëzhgues, përfaqësues të sektorit publik dhe privat dhe agjencive për zhvillim.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e aftësive për punë për të përmbushur nevojat aktuale të biznesit, veçanërisht duke marrë parasysh transformimin e tregut gjatë viteve të fundit për shkak të dixhitalizimit. Ministrja theksoi punën e bërë deri më sot si hartimi i Strategjisë së re Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, e cila do të konsultohet me grupet e interesit para miratimit final si adhe Programi i Garancisë Rinore. Sipas Ministres Ibrahimaj është mjaft e rëndësishme rritja e informimit dhe ndërgjegjësimit për programet e nxitjes së punësimit që ofrohen, si edhe për vendet e lira të punës, në mënyrë që të ulet hendeku mes personave të papunë dhe kërkesave të biznesit për të punësuar.

Sekretariati i KI-së prezantoi shkurtimisht gjetjet dhe propozimet kryesore për prioritizimin e ndërhyrjeve, nën këndvështrimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), duke u fokusuar në përmirësimin e kulturës së punës dhe perspektivës së të rinjve, rritjen e efektivitetit të kanaleve të informacionit, formalizimit të punës dhe përmirësimit të aftësive dixhitale. Përfundimet e Sekretariatit janë shtjelluar mbi një punë kërkimore, komente nga takimet e drejtpërdrejta të mbajtura me 37 partnerë, gjetjet e anketës së realizuar me 253 kompani dhe pyetësorit të realizuar me 262 të rinj (shtator 2022).

Gjatë diskutimit të hapur, përfaqësuesit e biznesit (UCCIAL, Dhoma Ekonomike e Gruas, Business Albania, Bashkimi i Prodhuesve, FIAA, Shoqata e Biznesit të Diasporës, Rrjeti i Profesionistëve të Rinj, Proekport Albania, dhe Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimit) shprehën shqetësimet e tyre mbi sfidat aktuale të tregut të punës dhe parashtruan disa sugjerime si: futja e librezës elektronike dhe lehtësimi i mëtejshëm i aksesit të punonjësve të huaj, nevoja për ri-integrimin e imigrantëve, rritjen e rolit të mundshëm të dhomave të tregtisë për të përmirësuar  mendësinë e sipërmarrjes te NMVM-të në drejtim të manaxhimit të burimeve njerëzore, përmirësimin e shpërblimit të punonjësve/produktivitetit/konkurrueshmërisë dhe rëndësinë e praktivave mësimore të studentëve nëpër biznese. Sugjerime të tjera u parashtruan nga anëtarët e tjerë të KI (partnerët për zhvillim) mbi përfshirjen e aktorëve kryesorë për çështje komplekse të tregut të punës, rritjen e rolit të arsimit të edukimit parësor në krijimin e një force punëtore të aftë, bashkëpunimin me sektorin privat për hartimin e një kurrikule sipas nevojave të tregut, punën e pritshme të Këshillit të Aftësive Sektoriale (i sapokrijuar) fillimisht në industrinë e turizmit, si edhe mënyrave për uljen e hendekut të fuqisë së kualifikuar në tregun vendas.

Në përfundim të diskutimeve, Ministrja Delina Ibrahimaj informoi mbi përpjeket më të fundit të qeverisë dhe rezultateve të arritura në uljen e informalitet në punë, ngritjes së një observatori të tregut të punës nga AKPA (Agjencia Kombëtare për Punësimin dhe Aftësitë)  për të reduktuar mungesën e informacionit të disponueshëm mbi mundësitë për punë—si për punëkërkuesit ashtu edhe për sipërmarrësit—nëpërmjet AKPA. Ministrja falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e tyre dhe i ftoi ata në takime të tjera të dedikuara të grupeve të punës për të diskutuar më në detaje çështje dhe sugjerime përkatëse.

*****

Materialet e plota të këtij takimi do të publikohen në javët në vijim në seksionin tonë të dedikuar https://www.investment.com.al/sq/mbledhjet-e-keshillit-te-investimeve/.