Këshilli Investimeve me rekomandime për përmirësimin e procesit të konsultimit publik
- 3 June, 2022
Tiranë, 1 qershor 2022 / Kryesuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi një mbledhje plenare për të diskutuar shqetësimet e sektorit privat në lidhje me procesin e konsultimit publik dhe rekomandimet përkatëse. Mbledhja u mbajt në format hibrid dhe në të morën pjesë të gjithë anëtarët e KI dhe një numër vëzhguesish, përfaqësues të sektorit publik dhe privat dhe agjencive për zhvillim.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e procesit të konsultimit publik dhe mekanizmave të tij me qëllim miratimin e dokumentave legjislative sa më kuptimplotë dhe integrimit të transparencës në proces, duke iu dhënë mundësinë grupeve të interesit dhe publikut të kontribuojnë në zbatimin e reformave. Ministrja dha si shembull të një praktikë të mirë të ndjekur, konsultimin e kohëve të fundit të paketës ligjore dhe nënligjore të reformës së fiskalizimit. Ministrja Ibrahimaj shprehu angazhimin e saj të plotë në procesin e konsultimit sikurse edhe vërejtur nga konsultimet e fundit të MFE-së me përfaqësuesit e biznesit, ndërsa theksoi nevojën për një kontribut më të mirë nga ana e shoqatave të biznesit përmes komenteve analitike për projektligjet e hedhura për konsultim publik nëpërmjet regjistrit elektronik apo instrumenteve të tjera.
Sekretariati i KI-së prezantoi shkurtimisht gjetjet dhe propozimet kryesore të studimit të kryer në lidhje me njoftimin dhe njoftimin publik të projektakteve nën këndvështrimin e biznesit, përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat e biznesit. Përfundimet e Sekretariatit janë shtjelluar mbi një analizë ligjore dhe rregullatore, komente nga takimet e drejtpërdrejta të mbajtura me 37 partnerë dhe gjetjet e pyetësorit të realizuar me 26 shoqata kryesore të biznesi. Rekomandimet e propozuara trajtojnë disa aspekte si angazhimi politik, ndryshimet ligjore dhe rritja e ndërgjegjësimit për instrumentet teknologjike.
Gjatë diskutimit të hapur, përfaqësuesit e biznesit nga Dhoma Amerikane, Shoqatat e Prodhuesve, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, FIAA dhe UCCIAL shprehën shqetësimet e tyre mbi ecurinë aktuale të procesit të konsultimit publik dhe parashtruan disa sugjerime si:
- përmirësimi i mekanizmit të ankesave
- respektimi i afateve kohore të konsultimit të parashikuara në ligj
- ofrimi i përgjigjeve për komentet e biznesit
- thjeshtimi i instrumenteve të dialogut dhe përdorimi i tyre në kohën dhe vendin e duhur
- rritja e bazës së konsultimit duke përfshirë edhe projekt-akte nënligjore
- monitorimi i konsultimeve në nivel qendror dhe lokal
- identifikimi më i mirë i aktorëve të biznesit dhe vlerësimi i kapaciteteve të tyre organizative.
Në përfundim të diskutimeve, ministrja Delina Ibrahimaj falenderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre dhe i ftoi ata të paraqiten me sugjerime dhe rekomandime më analitike, duke shfrytëzuar më shumë instrumentet e konsultimit publik (si p.sh. Regjistri Elektronik i Njoftimit Publik dhe Konsultimit Publik) për të formalizuar më mirë parashtrimin e shqetësimeve të tyre.
*****
Për foto të mbledhjes, kliko këtu.
Materialet e plota të këtij takimi do të publikohen në javët në vijim në seksionin tonë të dedikuar https://www.investment.com.al/sq/mbledhjet-e-keshillit-te-investimeve/.
KËSHILLI I INVESTIMEVE
SEKRETARIATI
KONTAKT
NA NDIQNI NË
© Të drejtat e autorit 2015-2024 Këshilli i Investimeve në Shqipëri Të gjitha të drejtat e rezervuara. Zhvilluar nga Evolve Web Studio