Konkurrueshmëria dhe Ndërkombëtarizimi i NMVM-ve shqiptare

12 Nëntor, 2021

Tiranë, 12 nëntor 2021 / Kryesuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi një mbledhje plenare për të diskutuar mundësitë dhe sfidat që lidhen me ndërkombëtarizimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM). Në takim morën pjesë të gjithë anëtarët e KI-së si dhe përfaqësues të tjerë nga sektori publik dhe privat dhe agjencitë për zhvillim në rolin e vëzhguesit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e NMVM-ve për ekonominë e vendit dhe theksoi mbështetjen e Qeverisë përmes stimujve tatimorë, përpjekjeve të fundit në drejtim të politikave përmes Strategjisë së sapo miratuar për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve (BIDS), si dhe nismat e tjera rajonale si CEFTA, Open Balkan të cilat ofrojnë mbështetje për NVM-të në lidhje me eksportet. Nga ana tjetër, ministri Brahimaj tha se nevojiten më shumë përmirësime për të rritur kapacitetet eksportuese të NMVM-ve dhe për të synuar investimet e huaja direkte (IHD). Në këtë kuadër, në bashkëpunim të ngushtë me dhomat dhe shoqatat e biznesit, po punohet për të vlerësuar më mirë cfarë që ka funksionuar deri më sot dhe më pas për të eksploruar nevojat specifike të NMVM-ve në të ardhmen e afërt.

Përfaqësues të sektorit privat (FIAA, AMCHAM, Shoqata e Prodhuesve, Shoqata e Operatorëve Turistikë, Shoqata e Përpunuesve të Qumështit, Shoqatat e Eksportuesve, etj.) kërkuan më shumë përpjekje politike për ndërtimin e imazhit shqiptar jashtë vendit, më shumë mbështetje për NMVM-të për trajnimin dhe edukimin e stafit, infrastrukturë më të mirë TIK dhe lehtësim të sistemeve të pagesave elektronike dhe infrastrukturë përmes TEDA-ve.

Sekretariati mbajti një prezantim të shkurtër mbi gjetjet dhe propozimet kryesore të ngritura nga partnerët e KI-së gjatë fazës së konsultimit dhe përmes pyetësorit të zhvilluar me 82 kompani në sektorët e agro, turizmit dhe fasonerisë. Shumica e rekomandimeve të propozuara kishin të bënin me aftësitë e sipërmarrjes dhe rikualifikimin e fuqisë punëtore të brendshme, përmirësimin e të dhënave të NMVM-ve dhe kërkimin e tregut, rrjetëzimin ndërkombëtar, rritjen e ndërgjegjësimit të NVM-ve për efikasitetin e energjisë dhe opsionet për menaxhimin e mbetjeve.

Gjithashtu, Sekretariati prezantoi nga një përmbledhje mbi statusin e zbatimit të rekomandimeve të mëparshme të KI-së, duke sjellë disa arritje kyçe të arritura, veçanërisht në drejtim të aksesit në TIK, e-tregtisë për NVM-të, apo bashkëpunimit midis bashkive dhe bizneseve. Më shumë vëmendje nevojitet për rekomandimet e mbetura të paplotësuara si miratimi i një strategjie të mirëfilltë për formalizim, stabilizimi i kuadrit ligjor dhe fiskal, dixhitalizimi i regjistrave të institucioneve kryesore, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet inspektorateve, etj.

Materialet e plota të këtij takimi do të publikohen në javët në vijim në seksionin tonë të dedikuar https://www.investment.com.al/sq/mbledhjet-e-keshillit-te-investimeve/.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)

Albanian Investment Council