Search
Close this search box.

Mbledhje Paraprake me Ekspertë mbi Politikat Incentivuese për Tërheqjen e Investimeve

Më 19 Prill 2016 në ambjentet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes (MZHETTS) u mbajt takimi teknik i organizuar nga Sekretariatit i Këshillit të Investimeve (KI) në kuadër të analizës për “Politikat incentivuese për Nxitjen e Investimeve: Shqipëria dhe Vendet e Ballkanit Perëndimor”, që do të prezantohet  në mbledhjen e radhës të KI të planifikuar në datë 27 Prill 2016. Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të institucioneve publike të angazhuara në fushën e politikave dhe statistikave mbi investimet dhe sipërmarrjen, si MZHETTS, Banka e Shqipërisë, Agjensia për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) dhe INSTAT.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i gjetjeve paraprake të Sekretariatit mbi analizën e incentivave të investimeve dhe bashkëpunimi i mëtejshëm për pasurimin e dokumentit me të dhëna dhe informacione shtesë. Konkretisht cështjet që u ngritën në takim lidheshin me incentivat konkrete të përfshira në analizë dhe ecuria e zbatimit të legjislacionit përkatës si ligji i TEDA-ve, ligji i investimeve strategjike, verifikimin e të dhënave mbi fluksin e investimeve të huaja për 2015, interesimin e investitorëve të huaj në vitin e fundit dhe sektorët përkatës, regjistrimin e kompanive të huaja dhe evidentimin në statistikat zyrtare, pagën mesatare në sektorin privat në Shqipëri dhe rajon, etj.

Në lidhje me kontributin konkrekt në analizën dhe rekomandimet e ofruara nga Sekretariati, palët u angazhuan të ofrojnë informacion sipas fushave përkatëse. Nga ana tjetër, Sekretariati do të reflektojë komentet në materialin e konsoliduar për të prezantuar në Mbledhjen e KI-së në datë 27 Prill 2016 dhe do mbajë kontakte në vazhdim për të monituar zbatimin e rekomandimeve të analizës.

Ndër të tjera, u ra dakord që Sekretariati të iniciojë një Marrëveshje Bashkëpumimi ndërmjet institucioneve qendrore për përmirësimin e të dhënave të Investimeve të Huaja Direkte. Objektivi kryesor i kësaj iniciative është krijimi i të dhënave të lexueshme nga ministritë dhe aktorët e tjerë për analiza të thelluara që t’i shërbejnë më mirë politik-bërjes dhe vendim-marrjes.