Search
Close this search box.

Këshilli Investimeve, Lajmet Kryesore, Janar – Mars 2022

Publikim I ri: “mbi klimën e investimeve 2015-2021”

31 Janar 2022

Sekretariati i Këshillit të Investimeve publikon librin “Mbi Klimën e Investimeve 2015-2021”, një përmbledhje e të gjitha dokumenteve teknike të përgatitura në kuadër të mbledhjeve plenare të KI në bashkëpunim me një numër të madh aktorësh. Libri analizon 20 tema të ndryshme (të votuara dhe miratuara nga anëtarët e Këshillit të Investimeve), të strukturuara në mënyrë kronologjike në katër fusha kryesore. Në to preken shqetësime kryesore të biznesit si zbatimi i shtetit të së drejtës, procedurat tatimore dhe doganore, potencialet për investime dhe stimujt dhe ekonomia informale.

KI DISKUTON PRIORITETET PËR PËRMIRËSIMIN E KLIMËS SË INVESTIMEVE GJATË 2022

31 Janar 2022

Kryesuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi një mbledhje të posaçme për të diskutuar shtyllat e ndërhyrjes së qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit në vend dhe për të miratuar axhendën e KI për 2022. Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj informoi se MFE ka punuar intensivisht gjatë muajve të fundit për prioritizimin e rekomandimeve të shoqatave të biznesit për përmirësimin e klimës së investimeve. Në këtë kuadër, Ministrja ndau me pjesëmarrësit një kalendar të punës që do të ndërmerret në disa fusha ndërhyrjesh dhe ftoi komunitetin e biznesit dhe palët e interesuara për t’u përfshirë në grupet teknike të punës.

Gjatë diskutimit të hapur, përfaqësuesit e biznesit si Dhoma Amerikane, FIAA, ATTSO, UCCIAL, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Dhoma e Tregtisë së Diasporës, Shoqatat e Prodhuesve, Këshilli Shqiptar i Agrobujqësisë, etj., e cilësuan si shumë të pritur këtë nismë, ndërsa shprehën mbështetjen e tyre për të ndihmuar në mënyrë proaktive me ekspertizën e tyre sipas fushave përkatëse të ndërhyrjes.

ANALIZË KRAHASUESE: COVID-19 DHE SIPËRMARRJA NË SHQIPËRI (2020-2021)

Shkurt 2022

Një vit pas fillimit të pandemisë së Covid-19, kompanitë shqiptare shprehen se kanë rritur përdorimin e teknologjisë dhe shërbimeve elektronike (87% e bizneseve në 2021), ndërsa po reflektojnë se si të përballen më mirë me emergjencat e ardhshme. Problematikat kryesore në të gjithë sektorët mbeten mungesa e klientelës dhe likuiditetit, ndërsa bizneset shprehen se vazhdojnë të përballen me më shumë vështirësi përsa i përket furnizimit me mallra dhe lëndë të parë nga importet.

Në këtë analizë krahasuese, Sekretariati përpiqet të krahasojë përgjigjet e kompanive gjatë afatit kohor të një viti dhe të evidentojë ngjashmëritë dhe ndryshimet në vlerësimin e biznesit mbi impaktin e pandemisë në aktivitetin e tyre.

PUBLIKIM I RI: RAPORTI I MONITORIMIT 2021

18 mars 2022

Raportimi i progresit dhe sfidave të zbatimit të rekomandimeve të KI përbën tashmë një proces/funksion sistemik, të mirë strukturuar të punës së Këshillit. Ky proces nuk mund të formalizohet, pa ndërveprimin aktiv me institucionet përgjegjëse për zbatimin e rekomandimeve të KI, hulumtimin e raporteve kombëtare dhe ndërkombëtare, kontributin me propozime specifike në grupe pune, takime me përfaqësues të sektorit privat, analizë të dhënash të detajuara nga survejimet e Sekretariatit të KI, tashmë tipare kryesore të performancës vjetore të KI.

Që nga viti 2015, KI ka lëshuar gjithsej 274 rekomandime, ndërkohë që aktualisht 40.5% e tyre janë zbatuar, 15% në proces zbatimi dhe pjesa tjetër 44.5% ende për t’u zbatuar. Po cilat janë fushat kryesore të progresit dhe cilat sfida kanë ngadalësuar zbatimin e tyre?

GJETJET E SONDAZHIT: “MBI SFIDAT E TË RINJVE NË TREGUN E PUNËS”

30 Nëntor 2022

Çfarë mendojnë të rinjtë për aksesin në tregun e punës dhe kulturën e punës në vend?

Ndërsa brezi i ri i të rinjve hyn në tregun e punës, kjo pyetje nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme. Për të lehtësuar dialogun ndërmjet punëkërkuesve dhe sipërmarrësve dhe për të stimuluar veprimet përkatëse të palëve të interesuara, Sekretariati në bashkëpunim me Rrjetin e Profesionistëve të Rinj (YPN) dhe Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës (FEUT) ndërmori një sondazh me 262 të rinj për të kuptuar nevojat e tyre specifike dhe sfidat për të hyrë në tregun e punës.

PËRSHPEJTIMI I ZBATIMIT TË REKOMANDIMEVE TË KI

Mars 2022

Për të përshpejtuar zbatimin e rekomandimeve të KI, gjatë tremujorit të parë të vitit 2022, ekipi i Sekretariatit është përfshirë në mënyrë aktive në tre grupe pune të organizuara nga kabineti i MFE-së me ekspertë dhe përfaqësues të biznesit në fushën e “kuadrit fiskal”, “arsimit dhe punësimit” dhe “ekonomisë” për të prioritizuar rekomandimet e KI-së gjatë vitit 2022. Këto grupe pune u ngritën në vijim të mbledhjes së parë të KI-së (2022) për prioritizimin e ndërhyrjes së MFE-së në kuadër të përmirësimit të klimës së investimeve.

SERI KONSULTIMESH ME AKTORË NË KUADËR TË MBLEDHJES SË ARDHSHME TË KI “MBI KONSULTIMIN PUBLIK”

Mars 2022

Këshilli i Investimeve (KI) në mbledhjen e tij të radhës do të diskutojë dhe prioritizojë rekomandime në lidhje me temën “Konsultimi dhe transparenca e akteve dhe iniciativave të qeverisë ndaj bizneseve dhe aktorëve të interesuar”. Si pjesë e axhendës së KI për 2022, kjo temë vjen si kërkesë e vetë anëtarëve të KI dhe për të diskutuar mbi rëndësinë e konsultimit paraprak qeveri-biznes në lidhje me iniciativat, ligjet, reformat apo masat të cilat ndikojnë në klimën e të bërit biznes. Dinamikat në lidhje me konsultimin publik nuk janë trajtuar asnjëherë më parë në mënyrë integrale dhe të dedikuar në mbledhjet e KI gjatë 2015-2021, ndonëse aspekte të tij janë evidentuar në analizat e Sekretariatit dhe konsultimeve në vijimësi me grupet e interesit, dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit, partnerët për zhvillim si edhe vetë institucionet.

Gjatë muajit mars, Sekretariati evidentoi aktorë përkatës nga sektori publik dhe privat, duke i kontaktuar ata individualisht për bashkëpunim në kuadër të kësaj teme. Komentet dhe sugjerimet e mbledhura do të kontribuojnë në analizën e ardhshme të Sekretariatit, e cila synon që të eksplorojë dhe prioritizojë problematikat që kanë të bëjnë me konsultimin publik dhe partneritetin qeveri-biznes.

BIZNESI I DIASPORËS ME PROJEKTE TË REJA INVESTIMI NË KOHERENCË ME PRIORITETET E KI

24 Mars 2021

Sekretariati i KI mori pjesë në Tryezën e Parnerëve organizuar nga Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare (ADBC). Në fjalën e saj, Drejtorja e Sekretariatit e Këshillit të Investimeve, znj. Diana Leka (Angoni), falenderoi ADBC (anëtare e përhershme e KI prej vitit 2019) për frymën e sjellë në Këshillin e Investimeve, para dhe post Covid-19 me sugjerime përkatëse për opsionet e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, si edhe vlerësoi koherencën në advokimin e produkteve “Made in Albania”, diskutuar në Këshillin e Investimeve që në tetor 2019. Në kontekstin e stimulimit të investimeve në vend, znj. Leka solli në vëmendje avantazhet unike të vendit por edhe nevojën e bashkëpunimit në nivel kombëtar për problematika që lidhen me sfidat e sasisë dhe cilësisë së kapitalit njerëzor, një prioritet i ngritur në Këshillin e Investimeve që në vitin 2017.

Publikime të Sekretariatit

Mbi Klimën e Investimeve, 2020 – 2021

Publikime të Sekretariatit

Analizë Krahasuese: Covid-19 dhe Sipërmarrja në Shqipëri (2020-2021)

Publikime të Sekretariatit

Minutat e Mbledhjes XXVI të KI “Prezantimi i Shtyllave Prioritare të Ndërhyrjes së MFE—në vijim të rekomandimeve të KI dhe Komunitetit të Biznesit”

Publikime të Sekretariatit

Raporti i Monitorimit (2021)

Këshilli i Investimeve në Median Televizive

RRETH KËSHILLIT TË INVESTIMEVE

Këshilli i Investimeve është një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur qeverisjen e mirë. Puna e Këshillit mbështetet nga Sekretariati, një organ i pavarur me profesionistë të përzgjedhur dhe kontraktuar nga BERZH për t’u angazhuar drejtpërsëdrejti me komunitetin e biznesit. Këshilli Investimeve mbështetet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështjet Ekonomike (SECO).