Për bashkëpunimin Akademi – Sipërmarrje, Firmosja e Memorandumit të Mirëkuptimit me UET
- 3 July, 2017
Në kuadër të bashkëpunimit Akademi – Sipermarrje, në qershor 2017 u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi midis Universitetit Evropian të Tiranës dhe Këshillit të Investimeve. Kjo iniciativë bazohet në një nga vendimet që Këshilli i Investimeve mori në vitin 2016 për të përfshirë studiues të rinj në fusha të caktuara ekonomike dhe juridike me ndikim në aktivitetin e sektorit privat. Memorandumi i parë i Mirëkuptimit u nënshkrua me Universitetin EPOKA më 31 mars 2017. Në fjalimin e saj në mbledhjen e Këshillit të Investimeve më 9 maj 2017, kryetarja e Këshillit të Investimeve, Ministrja Milva Ekonomi ndër të tjera u shpreh se: “Kërkesa për të hulumtuar çështje që kanë të bëjnë me ekonominë po vjen si një ndërgjegjësim në rritje nga ana e atyre që jetojnë në botën akademike, sidomos studentëve të nivelit master.”
Qëllimi i këtyre MM midis Këshillit të Investimeve dhe Universiteteve shqiptare është bashkëpunimi i ngushtë për shkëmbimin e të dhënave kërkimore, sesione debati dhe rekomandime të mundshme përfshirë analiza ekonomike; konferenca, sesione debati dhe/ose bashkëpunime në publikime, etj.