Publikim “Mbi Klimën e Investimeve 2015-2021”

31 Janar, 2022

Më shumë se gjashtë vite më parë, krijimi i Këshillit të Investimeve shënoi një moment të rëndësishëm në dialogun publik-privat në Shqipëri në kuadër të nxitjes së debatit dhe komunikimit midis qeverisë dhe sektorit privat për çështje prioritare të klimës së investimeve. Ndërkohë, pandemia e COVID-19 theksoi rëndësinë e komunikimit dhe besimit të ndërsjelltë midis biznesit dhe institucioneve për të përballuar krizat dhe për t’iu përgjigjur në kohë pritshmërive të biznesit.

Teksa hyjmë në vitin e 7-të të punës, sjellim për publikun dhe palët e interesuara librin “Mbi Klimën e Investimeve 2015-2021”, i cili integron të gjitha dokumentet teknike të përgatitura në kuadër të mbledhjeve plenare të KI në bashkëpunim të ngushtë me një numër të madh aktorësh. Në përgatitjen e kësaj punë analitike, janë konsultuar mbi 400 aktorë dhe janë anketuar mbi 3000 biznese, duke u mbështetur në të dhëna dhe burime të shumta për çështje ligjore, ekonomike dhe rregullatore.

Libri përfshin kronologjikisht 20 tema të analizuara (të votuar dhe miratuar nga anëtarët e KI-së), të strukturuara në katër fusha kryesore që kanë të bëjnë me shqetësimet kryesore të biznesit si zbatimi i shtetit të së drejtës, procedurat tatimore dhe doganore, potencialet për investime dhe stimujt dhe ekonomia informale. Ky publikim i mundëson lexuesve të tij një pasqyrë retrospektive të çështjeve më të rëndësishme të klimës së investimeve dhe mundësinë për të reflektuar mbi arritjet, sfidat dhe mësimet e nxjerra.

Shpresojmë që ky publikim do të ofrojë njohuri të vlefshme që mund të përdoren si kontekst për gjenerimin e një diskutimi largpamës midis politikëbërësve, studiuesve, studentëve dhe palëve të tjera të interesuara për të rritur vullnetin politik, për të ndërtuar konsensus mbi veprimet prioritare të politikave dhe përshpejtimin e reformave, duke pranuar njëkohësisht rëndësinë e dialogut privat-publik për zhvillimin ekonomik.

Mirënjohja jonë shkon për të gjithë, por veçanërisht për partnerët tanë të biznesit dhe kryetarët e KI që e kanë bërë këtë platformë një mjet të besueshëm ndërveprimi midis shumë aktorëve, si dhe BERZH dhe SECO për mbështetjen e tyre ndaj KI dhe Sekretariatit.

 

Libri mund të shkarkohet këtu.
Video prezantuese.

 

Kontakt:

Sekretariati i Këshillit të Investimeve

[email protected]

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)

Albanian Investment Council