Sekretariati i Këshillit të Investimeve në Mbështetje të Sipërmarrjes gjatë Situatës së Emergjencës Shkaktuar nga COVID-19

9 Prill, 2020

Tiranë, 9 Prill 2020 – Në funksion të situatës së epidemisë krijuar nga përhapja e virusit COVID-19, qeveria shqiptare ka ndërmarë një sërë masash që prej 9 mars 2020. Pandemia COVID-19 ka ndikuar veprimtarinë e institucioneve publike dhe kompanive private duke krijuar një situatë të pazakontë në jetën ekonomike të vendit. Në përgjigjë të kësaj, qeveria shqiptare ka miratuar një plan financiar dhe një sërë masash për të minimizuar impaktin negativ, sidomos mbi bizneset e vogla dhe të mesme.

Dinamika e ndryshimeve ligjore dhe nënligjore për miratimin e masave të mësipërme ka qënë shumë e madhe nga ana e qeverisë dhe institucioneve të tjera rregullatore. Për t’iu gjendur pranë komunitetit të biznesit në vend, punonjësve të tyre dhe partnerëve të KI, Sekretariati ka ndërmarrë nismën e përgatitjes të përmbledhjeve me të dhënat më të fundit të masave të miratuara, publikuar çdo javë në faqen tonë dhe mediat sociale. Dokumenti i përgatitur përmban të rejat më të fundit mbi masat kufizuese si edhe mbi masat e ndërmara në kuadër të planit financiar të miratuar nga qeveria shqiptare. Përditësimi i fundit daton 6 prill 2020. Për më shumë informacion, vizitoni seksionin tonë të dedikuar për COVID-19.

Gjithashtu, Sekretariati ka hapur një anketë mbi “Vlerësimin e Impaktit të Pandemisë COVID-19 në Aktivitetin Ekonomik të Biznesit në Shqipëri” me qëllim identifikimin e problematikave dhe rekomandimeve nën këndvështrimin e sipërmarrjes. Anketa synon grumbullimin e të dhënave për matjen e shkallës së ndikimit shkaktuar nga COVID-19 në aktivitetin e biznesit sipas sektorëve specifikë, xhiros vjetore dhe numrit të punonjësve. Gjithashtu, anketa do t’u japë përgjigje pyetjeve të tilla si: Si po i përgjigjen bizneset kësaj situate të paprecedentë dhe cilat janë sfidat me të cilat ata po përballen përsa i përket mungesës së likujditetit, mungesës së prodhimit, mungesës së klientelës, rritjes së kostove etj. Sa pritet të jetë ndikimi në xhiron vjetore të biznesit? Cilat janë mënyrat më të mira me anë të të cilave qeveria qendrore dhe ajo vendore mund të ndihmojnë bizneset në këtë moment specifik?

Gjetjet dhe rekomandimet e anketës do t’i përcillen qeverisë shqiptare për t’i ofruar biznesit mbështetjen që ka më shumë nevojë gjatë kësaj periudhe, si edhe për të kuptuar se ku duhet të fokusohen burimet për t’iu përgjigjur më mirë situatës së krijuar. Kjo mund të sjellë ndryshime ligjore dhe rregullatore në funksion të minimizimit të efekteve negative.

Publikime të tjera të Sekretariatit:

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)