Search
Close this search box.

Sekretariati konsulton me ekspertë dhe aktorë vendorë, problematikat kryesore të ecurisë së portalit të lejeve dhe inspektimeve

Në kuadër të punës për evidentimin  e problematikave të biznesit në lidhje me ecurinë e portalit e-lejet dhe inspektimet, Sekretariati i Këshillit të Investimeve ka zhvilluar takime në Bashkinë e Tiranës (20 qershor 2017), Bashkinë e Durrësit (11 shtator 2017) dhe Bashkinë Korçë (15 shtator 2017). Në takime morën pjesë zyrtarë të zyrave të urbanistikës dhe inspektoriatit vendor për mbrojtjen e territorit dhe specialistët përkatës. Në takim u diskutua konkretisht mbi ecurinë e aplikimeve elektronike për leje ndërtimi, perfshirë edhe për objekte industriale, sfidat e bashkive si edhe ankesat e investitorëve privatë dhe studiove të projektimit.

Një vend të veçantë, pati diskutimi mbi disa nga rekomandimet më të mundshme për t’iu sugjeruar Qeverisë Shqiptare.

Nga të pranishmit u trajtua dhe roli i inspektoriatit vendor të mbrojtjes së territorit gjatë proçesit të aplikimit për leje, fillimit dhe zbatimit të punimeve. Koordinimi ndër-institucional në nivel qendror dhe vendor, si në rastin e e-lejeve dhe në rastin e inspektimeve, vazhdon të mbetet shqetësim si për administratën publike dhe për sektorin privat.

Sekretariati zhvilloi takime të veçanta edhe me kompani private të cilat kishin eksperiencë konkrete të aplikimit për leje ndërtimi, kryesisht për objekte industriale ku debatet u fokusuan tek respektimi i afateve, proçedurave dhe transparenca e procesit për të gjitha palët.

Gjetjet dhe rekomandimet do të përpunohen nga Sekretariati dhe do të prezantohen në mbledhjen e radhës së KI për 2017.

Foto: Bashkia Durrës

 

 

 

 

 

 

Foto: Bashkia Korçë