Search
Close this search box.

Sekretariati thekson sfidën e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në forumin e parë të aksesit në prodhimet lokale

Tiranë, 30 shtator 2020

Forumi i Aksesit në Prodhimet Lokale – një iniciative e re për mbështetjen dhe promovimin e produkteve lokale filluar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), me qëllim diskutimin dhe dialogun me përfaqësuesit e dhomave të tregtisë dhe sipërmarrjes mbi politikat që duhet të ndërmerren në mbështetje të produkteve lokale.

Në këtë forum të parë u diskutua mbi rëndësinë e produkteve “Made in Albania” dhe politikat mbështetëse për krijimin e një zinxhiri nga prodhimi deri në tregjet rajonale. Me anë të fuqizimit të produkteve lokale, qeveria shprehu synimin për të zhvilluar sektorin e punësimit, rritjen e të ardhurave për frymë dhe rrjedhimisht një ekonomi me baza të qëndrueshme edhe në kohë sfidash.

Në këtë takim, Sekretariati i Këshillit të Investimeve theksoi se kriza shkaktuar nga COVID-19 vërtetoi edhe njëherë rëndësinë unike të komunikimit të qëndrueshëm dhe partneritetit shtet – biznes për mirëfunksionimin e ekonomisë dhe zbutjen në kohë të pasojave të krizës shëndetësore, ndërkohë që sugjeroi që në kuadrin e delokalizimit të disa tregjeve nga Azia, produktet shqiptare të mund të konsiderojnë potencialin për treg në rajon. Duke ju referuar anketës së Sekretariatit (prill 2020), një pjesë e importuesve e kanë konfirmuar këtë. Drejtuesja e Sekretariatit, znj. Diana Leka sugjeroi që ndoshta ka ardhur koha e debatit mbi një listë produktesh/industrish “strategjike” për vitet që vijnë, që ndoshta edhe duhet të mbështeten në mënyrë të qëndrueshme me politika me synimin që të  garantohet një “niche” specifike për konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare në kohë.