Përmirësimi i klimës së biznesit – Dialog me shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë

9 Shtator, 2022

Tiranë, 9 shtator 2022 / Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë (njëkohësisht edhe Kryetarja e Këshillit të Investimeve), znj. Delina Ibrahimaj, zhvilluan një takim me shoqatat e biznesit,  dhomat e tregtise dhe anëtarë të KI mbi ecurinë e procesit te konsultimit te rekomandimeve të biznesit[i] për përmirësimin e klimës së biznesit.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Delina Ibrahimaj theksoi rëndësinë e forcimit të dialogut mes institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve të biznesit, duke bere edhe një bilanc të rekomandimeve të analizuara. Kështu nga 262 rekomandime, tashmë 32 janë adresuar, ndërkohë që 112 janë ezauruar në diskutim nga teknikët e institucioneve të ndryshme, ndërsa 45.5 % ose 118 janë ende në proces trajtimi. Problematikat kryesore të trajtuara lidhen me fiskalizimin, dixhitalizimin, kuadrin rregullator financiar, arsimin, punësimin, procedurat doganore, koncesionet, hidrokarburet, si dhe çështje të ndryshme që prekin biznesin.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria mbetet e angazhuar per një ndërveprim sa më dinamik e transparent me biznesin. Më tej, z. Rama u shpreh se arritjet në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit, duhet të reflektohen në mënyrë me profesionale nga dhomat e biznesit në raportet e tyre mbi klimën e biznesit, ku të merren në konsideratë hapat konkretë që janë bërë për të përshpejtuar, lehtësuar, transformuar procedura deri dje të lodhshme e zvarritëse të cilat sot janë të automatizuara dhe elektronike. Më tej, kriza e energjisë ishte kryefjala e diskutimeve ku Kryeministri Edi Rama kërkoi nga sipërmarrjet që të investojnë në burimet alternative të rinovueshme të energjisë si panelet diellore duke optimizuar kostot dhe duke kursyer energji në një kohë krize globale.

Gjatë fjalës së tyre, bizneset u shprehën mbi problematika të ndryshme që kishin të bënin me krizën e energjisë, çështjet ligjore dhe mungesën e fuqisë punëtore, ku shprehën edhe vlerësimin e tyre për formatin dhe punën e Këshillit të Investimeve, si një platformë efektive e dialogut publik-privat. Ndërsa, Drejtorja e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, znj. Diana Leka (Angoni) evidentoi rëndësinë e  vullnetit politik dhe angazhimit serioz të palëve, duke vlerësuar progresin në drejtim të angazhimit, formatit të dialogut dhe gjithëpërfshirjes, ndërsa theksoi nevojën për:

  • Fuqizimin e dimensioneve të konsultimit publik të projekt-akteve midis institucioneve dhe komunitetit të biznesit, ku rritja e kapaciteteve dhe angazhimi cilësor i palëve të përfshira është domosdoshmëri;
  • Rritja e ndërgjegjësimit të institucioneve për një llogaridhënie dhe transparencë më të madhe ndaj biznesit në lidhje me mënyrën e ndjekjes së rekomandimeve dhe statusin e tyre; ngritjes së kapaciteteve të shoqatave të biznesit dhe veçanërisht dhomave të tregtisë për të qenë aktorë proaktivë të procesit të konsultimit;
  • Qëndrueshmëria e procedurave fiskale dhe barrës tatimore për biznesin e vogël sipas angazhimeve të mëparshme të Qeverisë;
  • Bërja funksionale e modeleve TEDA sipas kuadrit ligjor dhe institucional tashmë të ndërtuar dhe përfshirja dhe njohja e gjerë e biznesit në lidhje me këto iniciativa.

Video e mbledhjes: https://www.youtube.com/watch?v=55JDLVdrvNU

***

[i] Lancuar në mbledhjen e Këshillit te Investimeve mbajtur më 31 janar 2022.

 

 

 

 

 

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)

Albanian Investment Council