Buletini informativ, Prill – Qershor 2026
- June 30, 2026
Fokus Grup “Mbi Sigurinë Juridike të Pronës”
7 prill 2026
Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), shoqatat e biznesit dhe ekspertë të fushës, Sekretariati i Këshillit të Investimeve (KI) organizoi një fokus grup mbi “Sigurinë Juridike të Pronës”, në kuadër të analizës dhe prioritizimit të problematikave kryesore në këtë fushë. Diskutimet u përqendruan në prezantimin e sfidave kryesore dhe gjetjeve paraprake të analizës së Sekretariatit, të mbështetura në konsultime me aktorë relevantë dhe një anketim me 146 biznese, të realizuar në bashkëpunim me Dhomën e Noterëve, Shoqatën Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA), Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Dhomën Ekonomike të Gruas (DHEG).
Mbledhje e KI “Mbi Sigurinë Juridike të Pronës”
20 prill 2026
KI zhvilloi një mbledhje të drejtuar nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, me pjesëmarrjen e Drejtoreshës së ASHK-së, znj. Lorena Goxhobelli. Diskutimet u fokusuan në sfidat e sektorit privat lidhur me aksesin në të dhënat kadastrale, progresin në digjitalizimin e shërbimeve dhe avancimin e procesit të regjistrimit fillestar të pronave.
Ministrja Ibrahimaj vlerësoi rëndësinë e sigurisë juridike të pronës për klimën e biznesit, duke theksuar progresin në digjitalizimin e shërbimeve publike, thjeshtimin e procedurave administrative dhe nevojën për vijimin e reformave në kuadër të Agjendës Evropiane dhe Planit të Rritjes.
Dokument Pune “Siguria Juridike e Pronës – Progresi dhe Sfidat”
30 prill 2026
Dokumenti analizon progresin në digjitalizimin e shërbimeve kadastrale dhe sfidat që ndikojnë sigurinë juridike të pronës, duke evidentuar nevojën për harmonizimin e përpjekjeve në drejtim të forcimit e koordinimit institucional, përfundimin e regjistrimit fillestar dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve kadastrale.
Gjetjet e Anketës “Biznesi dhe Sfidat e Ndërveprimit Digjital – Shërbimet Kadastrale”
30 prill 2026
Vrojtimi analizoi ndikimin e digjitalizimit të shërbimeve kadastrale te biznesi, duke evidentuar se, megjithëse procedurat janë lehtësuar dhe barra administrative është ulur për shumicën e bizneseve, mbeten sfida lidhur me kostot dhe cilësinë e shërbimeve. Shumë kompani raportojnë pagesa të përsëritura dhe i perceptojnë tarifat si të larta në raport me shërbimin e ofruar.
Vështrim mbi Treguesit e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë 2025
13 maj 2026
Përmbledhja e përgatitur nga Sekretariati pasqyron zhvillimet kryesore ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2025, përfshirë rritjen ekonomike, investimet, punësimin dhe tregtinë.
Sipas vlerësimeve paraprake, ekonomia shqiptare u rrit me 3.79%, ndërsa flukset e investimeve të huaja direkte mbetën të qëndrueshme në 1.6 miliardë euro. Dokumenti evidenton gjithashtu përmirësime në treguesit ndërkombëtarë të konkurrueshmërisë dhe inovacionit.
Mbledhje e KI mbi konsultimin e draft Strategjisë Kombëtare të Industrisë dhe draftit të Politikave për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme 2026–2030
30 qershor 2026
KI zhvilloi një mbledhje mbi projekt Strategjinë Kombëtare të Industrisë 2026–2030 dhe projekt Politikën për NVM-të 2026–2030 përgatitur nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit. Diskutimet u fokusuan në komentet e sektorit privat për përmirësimin e dokumenteve strategjike, me theks në sfidat e tregut lokal dhe rritjen e konkurrueshmërisë, mbështetjen e prodhimit vendas dhe kostot per përafrimin me standartet e harmonizimit me tregun evropian.
Raport mbi Aktivitetin e KI 2025
30 qershor 2026
Raporti përmbledh aktivitetet kryesore të KI gjatë vitit 2025, konsultimet me sektorin privat dhe institucionet publike, rekomandimet e paraqitura dhe progresin në zbatimin e tyre. Ai pasqyron rezultatet e dialogut me biznesin, punën analitike të Sekretariatit dhe ecurinë e rekomandimeve të KI në procesin e reformave.
Tema e Mbledhjes së Ardhshme të KI: “Infrastruktura e Cilësisë dhe Sfidat e Adoptimit të Standardeve në Turizëm”
Qershor 2026
Në vijim të agjendës së miratuar për vitin 2026, mbledhja e ardhshme e KI do të fokusohet në sfidat e adoptimit të standardeve të cilësisë në sektorin e turizmit.
Sekretariati ka nisur punën përgatitore për të analizuar pengesat kryesore të biznesit, përfshirë kostot, kapacitetet teknike, nevojat për trajnim dhe mbështetjen institucionale për përafrimin me standardet ndërkombëtare.
Anketim me bizneset “Infrastruktura e Cilësisë dhe Sfidat e Adoptimit të Standardeve – Rasti i Turizmit”
Qershor 2026
Sekretariati ka lançuar një anketim online me bizneset për të identifikuar sfidat kryesore në lidhje me infrastrukturën e cilësisë dhe adoptimin e standardeve në sektorin e turizmit.
Anketimi trajton njohjen e kërkesave të cilësisë dhe qëndrueshmërisë, si dhe vështirësitë në përmbushjen e standardeve rregullatore. Gjetjet do të shërbejnë për diskutimet e ardhshme të KI dhe formulimin e rekomandimeve.
PUBLIKIME TË SEKRETARIATIT

Siguria Juridike e Pronës
Prezantim PPT

Siguria Juridike e Pronës – Progresi dhe Sfidat
Dokument Pune

Biznesi dhe Sfidat e Ndërveprimit Digjital – Shërbimet Kadastrale
Gjetjet e Anketës

Siguria Juridike e Pronës
Matrica e Rekomandimeve

Proçesverbali i mbledhjes XXXVII të KI
Proçesverbali i mbledhjes

Vështrim mbi Treguesit e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë 2025
Vështrim mbi Treguesit e Zhvillimit Ekonomik
PREZENCË NË MEDIA

Anketa e KI: Regjistrimi i ndërtimeve të reja, shërbimi më problematik në Kadastër
Revista Monitor, 1 qershor 2026
Videos
Televizioni Scan, 22 prill 2026
Bizneset duan siguri juridike për pronën, Prençe: Këshilli i Investimeve, të ketë rol vendimmarrës
Televizioni Scan, 20 prill 2026
Delina Ibrahimaj: Këshilli i Investimeve një platformë konsultimi në zgjerim
RRETH KËSHILLIT TË INVESTIMEVE
Këshilli i Investimeve është një platformë e mbështetur nga Qeveria Shqiptare, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO) për të nxitur dialogun publik-privat në kuadër të përmirësimit të klimës së investimeve dhe nxitjes së qeverisjes së mirë në vend.